Raqi i Gjylametëve, nga Progri, ishte njëri nga të 20 studentët e grupit të tij që u përgatit si pilot i helikopterit "legjendë" Mi-4, në Pugacov e në Batajsk. Ai u diplomua pilot helikopteri, në gusht të vitit 1961 e më pas u kthye në Atdhe.
Sotiraqi kishte kryer shkollën e Mesme Ushtarake "Skënderbej" ku u pajis me kulturë, me disiplinë e me edukatë të shëndoshë. Kështu e njoha Raqkën, nga viti 1960, deri sa u fik, përjetë. Nga goja e tij nuk dilte kurrë fjala e keqe. Shoqëror, i dashur, i sjellshëm, pa asnjë "armik", Raqka ishte.
Ai shërbeu në Regjimentin e Helikopterëve; në Skuadriljen e Transportit ku fluturoi në aeroplanët An-2; ka qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët Tip-61, në Shkollën e Aviacionit dhe shturman, në aeroplanët Il-14. Kudo ku punoi, djali nga Progri, shkëlqeu e ishte i përkushtuar. Dashuria që falte, e zbukuronte portretin e tij. Raqi ishte familjar, prind, gjiton i dashur e i gjendur.
Në vitin 1968, ishim së bashku instruktorë të teknikës së pilotimit në aeroplanët Tip-61. Fluturonim në aerodromin e Qytetit "Stalin", me turne. Si gjithnjë, Raqi ishte i qetë, i dashur e korrekt, si me studentët dhe me eprorët. Ishim disa pilotë të ardhur nga Skuadrilja e Transportit, në ndihmë të Shkollës. Jo gjithmonë, në ditët kur nuk fluturohej, e kur nuk kishte përgatitje mund të ktheheshim pranë familjeve.
E "vrisnim" ditën, duke vajtur për peshk, në Osum. Raqka, kujtoj, kishte me vete një pezaul (rrjetë), dhe operonte me mjeshtëri. Ne të tjerët bënim sehir e kënaqeshim me peshkun që zinte Raqka.
Në vjeshtën e vitit 1968, u kthyem në detyrat që kishim më parë. E kujtoj dhe në Regjimentin e Helikopterëve, ku fluturoi ditën dhe natën, derisa u përzgjodh për të ndryshuar profilin dhe bëri kalimin për shturman fluturues, në Kinë, në vitin 1972.
Ndarja nga jeta e Sotiraq Gjylametit, pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë, la në hidhërim bashkëshorten, fëmijët, familjarët, shokët e miqtë e tij!
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.