Kemi qenë 18-vjeçarë. Me aspirata e me botëkuptim akoma të paformuar. Mendonim thuajse njëlloj se ashtu u rritëm e na formuan. Pastaj u bëmë 20 e kusur vjeçarë. Tashmë më të rritur e më të formuar, ndonëse adoleshentë. Puna, mosha dhe profesioni i vështirë na poqën para kohe.

Kur ishim studentë i rrëfenim njëri-tjetrit edhe “zorrët e barkut”. Pastaj kjo na dukej kotësi.

Tash që kemi shkelur në moshën e pjekurisë dhe përgatitemi për udhën e gjatë e pa kthim, sikur mendojmë ca si ndryshe. Koha nuk na la siç ishim, megjithëse do ta dëshironim shumë.

Mendimet nuk i kemi të njëjta mbasi dhe rrjedha e jetës nuk ka qenë e njëjtë. Nuk gjykojmë më si dikur: “Siç e tha i pari, na zëntë behari” por secili mblon diçka nga vetja dhe kur e gjykon të arsyeshme e bën publike. Mendoj se të mendosh ndryshe, nuk është vetëm kundërshti, por dhe një mendim alternativ. Ku ta gjejmë këtë, e kemi kërkuar prej kohësh dhe shyqyr që e gjetëm.

Vë re zemërime të kota; qejfmbetje pa shkak. Xhelozi të shpifura e dukuri të tjera, të cilat nuk më pëlqejnë. Mbase janë dhe dukuri të moshës në të cilën kemi hyrë, por një gjë, them se duhet të ketë vazhdim e të mos ndërpritet. Ajo është shoqëria e rinisë; ajo shoqëri e pastër, pa interes në mes dhe pa anësi.

Vështroj mjaft fotografi shokësh që bëhen me raste të ndryshme. Sa mirë që shoqëria e pastër, ruhet gjatë, se brumi nga i cili është gatuar, është bio. Në aviacion, edhe për shkak të vështirësive të detyrës, njerëzit kanë qenë mjaft të lidhur e të mbështetur tek njëri-tjetri. Tani që koha po rrjedh shpejt, njerëzit e ndjejnë nevojën për njëri-tjetrin dhe takohen.

Nëse dikush shpreh një mendim ndryshe, tjetri nuk ka përse të cenohet e të hidhet përpjetë. Secilit i pëlqen mendja e tij, por, në fund të fundit: Një mendje është hiç mendje; mendimi alternativ është i nevojshëm, madje i domosdoshëm. Respekt për ata që mendojnë ndryshe!