Lutfi Qyra u lind në Qukës të rrethit të Librazhdit, më 15.12.1951. Ai u rrit në një familje me edukatë të shëndoshë dhe përthithi tiparet më të mira të saj e të fisit ku u rrit. Me vullnet e dëshirë të zjarrtë, nisur dhe nga të dhënat e formimit e të fizikut, në vitin 1970, Lutfiu nisi studimet për pilot, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë. Instruktor i fluturimit; Ai që i dha profesionin e pilotit, ishte mjeshtri i madh i ajrit- Myzafer Zaho. Lutfiu nuk vinte nga institucione ushtarake, siç ishte Shkolla "Skënderbej" por nga jeta civilë ku ishte formësuar si agronom. Shpejt djali i zgjuar e i shkathët nga Qukësi u përshtat me jetën ushtarake dhe me kërkesat e disiplinës, në veçanti me kërkesat e veçanta të pilotimit.
Shokë të kursit të tij, në Shkollën e Aviacionit ishin: Agim Matraku; Shevqet Lata; Hasan Muça; Petrit Liçaj; Selman Kasa etj. Me vullnetin dhe këmbënguljen karakteristike të tij, Ai veçohej për këmbëngulje e aftësi të rralla fluturuese.
Lutfi Qyra dhe shokët e tij të grupit u emëruan oficerë më 25 janar 1973. Ai u emërua pilot gjuajtës -bombardues në Regjimentin "Peza" të Qytetit "Stalin" ku fluturoi në aeroplanët reaktivë, parazanorë Mig-17F. Në muajin janar të vitit 1977, pas një specializimi në Kinë, në aeroplanët mbizanorë Mig -19S, Lutfi Qyra u emërua në Regjimentin e Gjadrit, ku i ngjiti shkallët e karrierës, një nga një e me meritë, deri në detyrën e nderuar të Komandantit të Regjimentit. Ai shquhej për këmbëngulje e durim dhe për kërkesë të lartë llogarie, ndaj vetes e ndaj vartësve.
Lutua nuk ishte vetëm pilot i "elitës" por dhe mjaft i fuqishëm fizikisht gjë që e lejonte të merrej me mundje. Ndër tiparet që e dallonin ishte karakteri tejet njerëzor i tij. Lutfi Qyra do të kujtohet si njeri i çiltër e i komunikueshëm, i dashur e i gjindur, në shoqëri nuk i gjendej shoku si kavalier. Në familje, Lutua ishte një prind e bashkëshort për t’u marrë shembull.
Vdekja aksidentale e Lutfiut, nga një atak kardiak, në Tiranë, shkaktoi shumë dhimbje e trishtim, por emri dhe vepra e tij, kontributi që ka dhënë për lartësimin e armës së nderuar të aviacionit do të rrojnë përjetë. Lutfi Qyra do të mbetet një model i cili na rrëfen e na udhëheq, në jetën e brezave aktuale e atyre që do të vijnë si mund të bëhesh pilot e si mund ta shtosh perfeksionin në vijimësi.
I paharruar qoftë kujtimi i tij, t’i rrojnë ata që ka lënë pas!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.