Parë së jashtmi krijimtaria e letrave ngjan e hijeshme e pa telashe. Është e nuk është kështu. Është plot hijeshi e kënaq lexuesin, kur krijimtaria letrare është e arrirë dhe kur, në të, lexuesi gjen veten. Ai që shkruan, i njeh mirë prapësitë.

Në këtë çështje, në krye të valles qëndron përshtatshmëria. Nuk mund të gjenden shkrime që të kënaqin të gjithë lexuesit. Ata nuk janë të njëjtë, si nga formimi, nga mideja dhe nga interesat.

Në qarkullim janë hedhur aq shumë ide e shkrime, sa njeriu çoroditet e nuk di ke të zgjedhë. Pas saj vjen rrjedhoja: “kush ta ka ngenë” ose siç thonë në Gjirokastër: Na rokanisë kokën.

Ndryshimet në mentalitete mes brezave janë shtrirë dhe brenda familjes, duke mbjellë një farë indiferentizmi e apatie. Fëmija nuk do të dijë për të parët e tij; Disa fëmijë, nuk dinë e nuk duan të dinë për paraardhësit e tyre.

Pa bërë Belulin, ndër shumë monografi që kam shkruar në kujtim të shokëve shkrimet kanë mbetur pa fotografinë e “heroit”. Përpjekjet e mia kanë ndeshur në një mur të shurdhët. Nuk më vjen mirë, por, këto janë mundësitë. E tillë ka ardhur jeta: Fëmijët nuk duan të dinë për Babanë; bashkëshortja e ka harruar burrin, përballë një realiteti tjetër; grinden e nuk komunikojnë vëllezërit, me njëri-tjetrin; harxhet i paguajnë të ikurit. Rrjedhojat që sjell ndarja e trashëgimisë, i kam të qarta. Nuk ma merrte mendja të arrinim deri këtu.

Dua të ndaj me ju një rast, i cili më duket tejet interesant e i veçantë. Vendosa të shkruaj për një trim të tërbuar e unikal në profesionin e tij. E mbaja mend shtëpinë dhe trokita në derë serbes.

Derën ma hapi një goxha nuse. Më priti me këmbët e para. “Kush të ka porositur të shkruash për vjehrrin tim të ndjerë?” Zemra dhe shpirti im dhe shpirti i tij. E kam pasur shok të mirë i thashë dhe e bëj për sevap.

I uli tonët mjeranja, por nuk më ftoi të ulesha. Burri i saj, as që lëvizi nga vendi. Në këto kushte terrorizmi, dola e thashë me vete: “mos ua pafsha sytë”! Është dhe çështje kulture dhe edukate familjare.

Prifti i Voskopojës, pa më njohur, la qitapin, hyri në shtëpi e u kthye me një gërshërë vreshti në dorë; më rrëfeu dhe nga të hyja e më dha porosi: “pre trëndafilët më të bukur”! Kur mbarova punë, e doja t’i ktheja gërshërët, mbasi i thashë se trëndafilët do t’i çoja tek varri i Vasilit, Jovanit dhe Fluturimit, në varrezat e dëshmorëve, në Korçë, pyetjes sime: “Sa të detyrohem, uratë?” iu përgjigj, me ashpërsi “Lipsu! Ata janë qiellorë e unë do të lutem për shpirtrat e tyre; Ti dashke të më paguash”

Ndryshime kulturore dhe në edukim vendosin. Ka dhe pragmatizëm. Sa kohë interesi është i përbashkët, qëndrimet puqen, sapo shfaqet në jetën e tjetrit një interes më i fuqishëm, ai padrejtësisht i vë shkelmin lidhjes së parë.

Shumë shqetësim shkaktojnë vërejtjet dhe kritikat. Disa syresh janë me vend e duhen pranuar, por disa të tjera bëhen sa për t’u gjendur kola në punë. Atij që bën vërejtje me bereqet e bëhet me qëllim që të ndreqë, i heq kapelën por jo atij që i ngjan se po jep udhëzime përpara rreshtit e ia fut “rroma për toma”