Po lexoj opinione mosaprovuese lidhur me atë veprimtari mbresëlënëse, tepër të rrallë e të mirëorganizuar me objekt dhënien e titullit të nderit: (Qytetar Nderi) të rrethit të Durrësit, dy pilotëve: Mahmut Hysa e Besnik Shahi. Pjesëmarrja masive dhe e larmishme, e njerëzve, në këtë veprimtari edhe me heshtje thotë shumë. Shtroj pyetjen: Përse erdhën aq shumë veteranë në atë veprimtari përkujtimore dhe nderuese? Mund e duhet të vinin më tepër; kjo është e lidhur me gjendjen fizike dhe mundësitë e tyre.
Kolona kryesore e këtij takimi është nderimi dhe kujtimi i kolegëve tanë edhe pas ndarjes nga jeta të tyre. Ajo që përjetova më gëzoi shumë e më bëri krenar për mundësinë që kam pasur, të punoj me ta e të mësoj prej tyre.
Nuk mund të rrëmbejmë peshoren e të përcaktojmë kush më shumë se të tjerët kontribuoi. Kush i pati mundësitë, nuk e kurseu ndihmesën; kjo është e përgjithshmja. Veçse të gjithë ata që ishin në atë takim ndjenë gëzim e krenari të ligjshme.
Z. Sami Guzina i takoi roli i vështirë i "mesfushorit", të cilin, kam mendim se e bëri mirë. Kam bindjen se asnjeri nuk doli nga ajo sallë, pa marrë me vete gëzim; krenari dhe emocione të shumta. Këto i vura re në fytyrat e tyre të gëzuara e në sytë që u ndrinin. Si të mos ndihesh i gëzuar dhe i emocionuar kur njerëzit e tyre të familjeve dhe shokët më të afërt, morën atë vlerësim?
Në takim folën vetëm disa, ndonëse secili kish çfarë të thosh. Lumturimin e tyre dhe mallin që fshihej brenda secilit, për Hysen "Legjendar" dhe për Besnikun të dashuruar pas qiellit dhe pas aeroplanit e lexoj kësisoj: Çdo aviacionist, gjatë jetës dhe punës pranë tyre, diçka ka mësuar nga mjeshtëria dhe nga talenti i tyre. Në çdo pozicion pune, ata ishin model i mirë dhe prinin me shembullin vetjak.
Në përfundim dua të theksoj se shpallja e shokëve tanë "Qytetarë Nderi" është nder dhe vlerësim për punën e çdo aviacionisti, pavarësisht nga vendi që zë në tabelën e fluturimeve. Respekt e mirënjohje, për të gjithë ata që dinë të nderojnë e të respektojnë të tjerët!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.