Në qiellin shqiptar kanë ndritur shumë “yje”! Mjaft prej tyre janë bërë qiellorë e janë shndërruar në “meteore”; të tjerë janë në jetë e mund të dëshmojnë vetë. Gjurmët që kanë lënë, si të ikurit dhe ata që jetojnë, nuk mund të shlyhen; ato janë të përjetshme, sido që disa çapaculë përpiqen t’i minimizojnë.
Njëri nga “yjet” që ndriti në qiellin shqiptar por që fati e deshi të shuhej nën një ndëshkim të pamerituar, ishte Anastas Ngjela. Një njeri e pilot “brilant” për të cilin, gjurmët janë të dukshme e mbresat nuk kanë të sosur.
Më poshtë po ju sjell opinionin autentik të pilotit veteran, Serafin Shegani, i cili jo vetëm që ka fluturuar në të gjithë tipat e avioneve të parkut shqiptar të avioneve por, së bashku me Tashkon ka punuar e ka fluturuar për një kohë të gjatë. Serafinin, pata shansin ta intervistoj më 6 maj të vitit 2013, në orën 17.30, pranë banesës së tij, përballë dhomës në të cilën banoi Anastasi me dr. Marjetën, në fillimet e jetës së tyre bashkëshortore. Intervista vijon...
Opinioni vazhdon...
Serafin Shegani:
“... Me shokët që ke punuar, ke jetuar e ke fluturuar, na lidh një miqësi e paharruar dhe me to jeton gjatë gjithë jetës.
Me shumë respekt kujtoj aviatorin e talentuar - Anastas Ngjela. E njoha në Regjimentin e Rinasit, në vitin 1962 dhe, për shumë kohë kam punuar pranë tij. Ruaj kujtime të paharruara për Të, si aviator dhe si njeri, me virtyte të larta. Ai dallohej nga grupi i pilotëve që fluturonin në aeroplanin Mig- 19 PM. Nuk e dëgjova, qoftë dhe një herë të zinte në gojë rrethin familjar dhe për të përftuar ndonjë privilegj.
Anastas Ngjela fluturonte me ne, jetonte me vështirësitë e profesionit dhe zbatoi, i pari, urdhrin e komandantit për të jetuar në Valias, së bashku me Marjetën, bashkëshorten e tij, me profesion doktoreshë. Për Marjetën, të gjithë banorët e Valiasit kishin respekt të veçantë. Ajo, në çdo moment, u ndodhej pranë banorëve.
Pata rastin që, në vitin 1963, të kalonja në avionin Mig-19 PM. Grupi i kalimit (Serafin Shegani; Sokrat Basha (ndjesë pastë); Bilal Josja; Astrit Mersini (ndjesë pastë); Vasil Kromidha (ndjesë pastë); Nestor Dhaskali (ndjesë pastë) shënimi NN); i cili praktikohej për herë të parë, drejtohej nga Anastasi. Ai kish njohuri të gjithanshme për avionin dhe ka punuar me ne, me një pasion të madh. Si rezultat i punës së Tij, të gjithë pilotët e përvetësuan ‘shkëlqyeshëm’ avionin Mig-19PM.
Në Paradën e vitit 1964, për herë të parë kaluan mbi tribunë 3 treshe Mig-ësh 19-PM. Njëra nga treshet drejtohej nga Anastasi; pata fatin të isha shoqërues i tij... Intervista vijon...
...Vijon opinioni i Serafin Sheganit...
Anastasi jetonte me shqetësimet dhe me problemet e pilotëve. Një ditë, pas provave për Paradë i kërkova leje për të shkuar në Tiranë se kisha një vëlla të sëmurë, me tumor në kokë dhe nuk mund të kurohej këtu, sepse kërkohej ndërhyrje kirurgjikale. Ai më dëgjoi, me vëmendje, u prek shumë kur mësoi se vëllai im ishte vetëm 16 vjeç dhe menjëherë më dha leje. Pas disa ditësh, pas bisedës që kish bërë me Marjetën, më thirri e më tha: ‘Pas fluturimeve, shko në Ministrinë e Shëndetësisë se të pret në takim Vera (Ngjela NN), zëvendësja e Ministrit të Shëndetësisë’!
Sapo mbërrita në Ministrinë e Shëndetësisë e u futa në radhë për t'u takuar, doli Vera, e cila më tha: ‘Ti, oficer, hajde, futu brenda’! Në takim nuk arrita të thoshnja asnjë fjalë sepse Vera m'u drejtua me fjalët se ishte në dijeni të çështjes, mbasi Anastasi dhe Marjeta ma kujtonin çështjen tënde dhe s'kam si të veproj ndryshe. Ajo më tha: ‘Shko në shtëpi, se do të të njoftojmë ne dhe përgatitu se vëllanë do ta çojmë në Hungari, për ta operuar’!... Babai, sa ishte gjallë, e kujtonte këtë respekt që m’u bë, i cili, në atë kohë ishte një gjë shumë e madhe.
Anastasi, si rezultat i meritave të tij si pilot, u emërua inspektor, në Komandën e Aviacionit. Pavarësisht se u largua nga skuadrilja, unë e kam ndierë gjithmonë ndihmesën e Tij në detyrën e Komandantit të Skuadriljes. Përvoja e tij më ka ndihmuar në përvetësimin e avionit Mig-19PM dhe në punën me pilotët... opinioni i Serafin Sheganit vijon...”
... Vijon opinioni i Serafin Sheganit
“... Në vitin 1969, me Anastasin u bashkuam, në grupin e pilotëve që shkuan në Kinë, për përvetësimin e aeroplanit Mig-21. E kisha komandant grupi dhe, në Kinë, fluturonim bashkë. Aty pashë nga afër karakterin e Anastasit. Ai ishte i drejtë, shumë i dashur me shokët por shumë impulsiv, kur shikonte padrejtësi.
Në vitin 1973, na u dha detyra që, në 30-vjetorin e ushtrisë të përuronim Aerodromin e Gjadrit... Ishte përfunduar vetëm pista; aty do të uleshim, pavarësisht se nuk ishte siguruar anash. U ngrita shumë i emocionuar. Pas ngritjes, dëgjova në kufje zërin e Anastasit, i cili do të më merrte në ulje. Dëgjonja zërin e atij që më jepte qetësi e siguri në veprimet e mia... Pas uljes, Ai u ndodh, menjëherë pranë meje, për të ndarë së bashku gëzimin e plotësimit të kësaj detyre.
... Kur vëllai i tij - Kiço Ngjela doli nga mbledhja e Komitetit Qendror dhe u kthye në shtëpi, gjeti aty, pranë familjes së tij- Anastasin. Me të hyrë, Kiçua iu drejtua familjes, me njoftimin se atë e kishin përjashtuar nga partia dhe priste ta arrestonin. I tha Anastasit që të largohej, por Ai nuk lëvizi nga vendi. Pas pak erdhi sigurimi i shtetit për ta arrestuar. Sigurimsat e pyetën Tashkon, përse nuk u largove dhe Ai u ktheu këtë përgjigje: ‘Kiçon e kam vëlla dhe e respektoj në vend të Babait, prandaj nuk mund ta braktis’.
Shumë shpejt u mblodh organizata -bazë e partisë ku bënte pjesë Anastasi dhe e përjashtoi atë nga partia...
Shtoj NN se në atë mbledhje të nemur kam qenë i pranishëm. Në organizatën -bazë, ishin rreth 30 anëtarë e kandidatë për anëtarë partie. U mblodhëm në një klasë, në katin e dytë të ngrehinës. Erdhi një i deleguar, nga lart. Ai doli në foltore dhe lexoi një letër, sikur të ishte prokuror e të lexonte pretencën.
Nuk diskutoi asnjëri, mbasi Anastasit nuk mund t’i thoshje asnjë fjalë të keqe. U hodh në votë. Një skandal i vërtetë. Të gjithë ngritën dorën, lart, për përjashtim, teksa kokën e futën ‘poshtë tavolinës’.
Iu propozua të qëndronte në ushtri e të shërbente në një repart jashtë aviacionit. Nuk pranoi. Ai deklaroi, burrërisht: ‘Jam i përgatitur për pilot e nuk bëj dot punë tjetër, më lironi e më jepni atë që më takon; do t'u përkushtohem 2 fëmijëve që më ka lënë gruaja’.
Pas kësaj, jeta e Anastasit u vështirësua shumë... Me Anastasin, vijon intervistën Serafini, familjarisht banonim afër. Pas përjashtimit të tij nga partia, e përshëndesnim njëri-tjetrin por Ai nuk afrohej të bisedonim. Këtë unë e kuptoja jo si humbje të respektit për njëri-tjetrin por Ai mendonte që mos të na krijonte probleme neve.
Anastas Ngjela u nda nga jeta në moshën 64 vjeç, pa i gëzuar fëmijët e tij...
Pas viteve '90 filluam të shkonim tek njëri-tjetri. Një ditë, në shtëpinë time i thashë Anastasit: ‘Përse, tani nuk angazhohesh me ndonjë punë, në aviacion’? Ai m'u përgjigj: ‘Nuk më është ofruar asnjë punë. Unë, nuk mund të trokas e t'u lutem, kur ata e dinë kontributin tim’.
Na erdhi keq për ndarjen nga jeta të tij; këtë e ndjenë gjithë shokët që punuan me Të, në aviacion. Me respekt të veçantë, shokët morën pjesë në varrimin e tij.
Kur i shkuan për ngushëllim, familjes Ngjela, një grup aviacionistësh, të kryesuar nga Thanas Gjiknuri (ndjesë pastë), i pari i grupit u tha familjarëve të Anastasit: ‘Nga të gjithë ju, Anastasi ishte më i miri’! Asnjëri nuk u ndie.
- I paharruar qoftë kujtimi i Anastas Ngjelës; pilotit të ‘shkëlqyer’ dhe njeriut të përsosur!”
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.