Historia, me shoshën e saj të paanshme e të saktë i jep vendin që meriton, cilitdo, me ftohtësi, në çështjen e madhe të qëndrimit ndaj Atdheut e popullit, sipas kontributeve. Ajo i ka rreshtuar e vijon t’i rreshtojë njerëzit në dy grupe të mëdhenj, cilësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri. Dëshmorët e Atdheut, ata që kanë flijuar jetën, gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu, renditen tek të pavdekshmit. Se, të atillë ishin e të atillë do të mbeten, sa të jetë jeta.
22 nëntori i vitit 1989 rezultoi të ishte një ditë e "zezë", për Aviacionin Shqiptar dhe për popullin mbarë. Ajo ditë rezultoi fatkeqe për 3 ekipazhe të helikopterëve "legjendë" të tipit Mi-4, si dhe për disa mjekë, infermierë, pedagogë e studentë të Institutit të Lartë Bujqësor. Të gjithë, së bashku, u flijuan në malet e Llogarasë, duke shpalosur një humanizëm të paparë e një dhembshuri njerëzore të pamatë.
Shumë është shkruar e ligjëruar, është përshkruar e analizuar për atë ndodhi të rrallë. Janë kënduar këngë "tabani" e janë thurur poezi të ndjera, nga mendje e pena të ndjera, të cilat, në fund të fundit, janë rrjedhojë e një shpirti të pastër e human. Reportazhe e rrëfime pambarim, kujtime e dëshmi të drejtpërdrejta, njëri më i mirë se tjetri, i kanë bërë jehonë asaj të pandodhure e atyre njerëzve plot njerëzi. Mirë është bërë që është shkruar e është ligjëruar, për atë ngjarje fatkeqe ku heroizmi dhe humanizmi janë thuajse të shkrirë, njëri me tjetrin.
Nuk mund të përjashtoj asnjërin nga ata "martirë" të cilët, kur çmuan se jeta e tyre i duhej Nënës Shqipëri, e dhanë atë, si me le. Regjimentit të Helikopterëve, kësaj njësie elite, ia rritën lavdinë 6 aviacionistë, të cilët, në fakt, ishin ajka e njësisë. Ata që janë prononcuar para meje, në kujtim të asaj ndodhie fatkeqe e të atyre aviacionistëve, i kanë renditur bukur, emrat dhe bëmat e atyre heronjve. Nuk e quaj të udhës të përsërit, veç dua ta vë fort theksin: Ata, papërjashtimisht, nuk ishin thjesht humanë e të përgatitur për të bërë sakrificën sublime, por të përgatitur për të bërë sakrificën sublime, duke rrezikuar jetën e tyre, për të shpëtuar të tjera jetë të pafajshme.
Janë të njohura kapriciot e motit, në vendin tonë, sidomos në vjeshtë. Vështirësive të motit, atë natë iu shtuan mangësitë e infrastrukturës, dhe ndonjë mangësi në çështjet e organizimit e të drejtimit të atij operacioni me vlerë. Para se të ngriheshin në ajër, ekipazhet doemos e kanë pleqëruar situatën dhe kanë vendosur të kthehen në Tiranë, duke u ngritur nga ai pus, ku ndodhet sheshi në Himarë. Djemtë e popullit fukara, nuk mund t’i duronin ulërimat e vajzave e të djemve të rinj që vuanin nga dhimbjet e plagëve të marra në aksidentin automobilistik të asaj dite.
Qasja e mjaft mentarëve, njerëzve të shumtë të letrave, për të kërryer diçka më tepër për atë ngjarje, ka hedhur dritë për ndodhi të tjera humane, të guximshme e njerëzore, të infermierëve, mjekëve, pedagogëve dhe gjithë sa u flijuan atë natë. Në opinionin tim, nuk janë "heronj" vetëm anëtarët e ekipazheve por dhe mjaft të tjerë.
Ngjarja fatkeqe ka ngjarë shumë vite më parë. Më thoni sinqerisht: A mund të bëhet fjalë për përqasje apo krahasim me ato që po ngjajnë sot në këtë shoqërinë tonë të përparuar?
Lavdi, në jetë të jetëve "heronjve" të Llogarasë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.