Shqiptarët, në çdo kohë janë shquar mes të tjerëve, si njerëz të të dy ekstremeve. Pa anuar nga racizmi, është provuar e po bën beli zgjuarsia e tyre. Nëse është natyrale apo e kultivuar, gjithsesi, zgjuarsi mbetet. Kam bindjen se evidencë nuk mund të arrijë të bëjë njeri, por, aq sa di, do të jap ndihmesën time.

Kam njohur apo kam mësuar se me origjinë e me gjak shqiptar, disa maja të shkencës e të jetës, kanë shpalosur dituri e aftësi superore. Njeriu i parë që zbriti në Hënë dhe nguli atje Flamurin e kuq me shqiponjë në mes, ishte me origjinë shqiptare; me gjak shqiptar është dhe djali që është përzgjedhur nga NASA, për t'u ulur në planetin Mars. Po djemtë që konstruktuan e prodhuan makinat pa shofer, a nuk janë shqiptarë? Djali që zuri vendin e dytë në Eurosong, pavarësisht se përfaqësonte Zvicrën, pohoi se ishte shqiptar.

Nga Shqipëria është profesoresha e Matematikës, e cila, me banim në Amerikë, po punon për një libër matematike, në bashkëpunim me një shkencëtar vendas. Një shqiptar, punon në një televizion shtetëror, në Suedinë e akullt. Më 21 nëntor të këtij viti, një shqiptar u klasifikua i dyti në botë, në fluturimet me parashutë, pa motor etj.

Të mos shkojmë në fushën e artit të mirëfilltë, në këngë, në muzikë, në fushën e kërcimit, në atë të skenës etj. Ermonela Jaho, si divë, është shqiptare; Aleksandër Moisiu tronditi skenat botërore të teatrit, një violinist ka zënë vend në filarmoninë e Vjenës etj, etj.

A nuk kanë qenë shqiptarë ata që në kohë të ndryshme, kanë guxuar, kanë kapërcyer dete e oqeane dhe kanë korrur suksese në qëllimet e tyre. Është e vërtetë se vendi ynë ka mbetur relativisht prapa në fushën e infrastrukturës dhe nuk i ka pasur të plota mundësitë ekonomike për të përpunuar tërë këto begati që na ka falur natyra. Por, nuk mund të pretendohet se Shqipëria është vend i pabanueshëm e i nemur. Një gjë është e vërtetë:

Shqiptarët janë ndjerë “ngushtë” në vendin e tyre për të konkretizuar e për të lartësuar aftësitë e tyre, pra nuk kanë mundur të gjejnë hapësirat e nevojshme ndaj kanë “pushtuar” kontinente të tëra dhe vazhdojnë të “rrjedhin” pandalur.

Pa u merakosur se mos gabohem, mund të prononcohem fuqishëm, se, kur ka qenë rasti, bashkëkombësit tanë, kanë shpalosur aftësi të rralla duke i rrëfyer Botës se shqiptarët nuk janë inferiorë ndaj kombësive analoge. Në vitin 1960, pilotët nga vendi ynë, djem të rinj e me klasë më të ulët nga kolegët e tyre të vendeve të Lindjes, u klasifikuan të dytët, në qitjet me raketa të drejtuara, qëlluar nga aeroplanët mbizanorë Mig-19 Pm, ndër 10 pjesëmarrësve nga vendet e Lindjes.

Vështroni nxënësit, studentët e me grada më të larta, kudo nëpër Botë, a nuk shquhen mes pjesëtarëve në këto shkallë kualifikimi. Sa herë, na ka gufuar zemra e kemi shpërthyer në lot, kur në podium është ngjitur ndonjë sportist shqiptar dhe është valëvitur flamuri kuq e zi.

Në këtë shkrim, sido që kam marrë përsipër të numëroj disa maja, nuk mund të mos rrëshqas në zanatin tim.

Dëshira e shqiptarit për të fluturuar në hava, si zogjtë e qiellit, siç e dini, ka lindur herët. Nuk e di, kur e si ka ndodhur veç them se ka lindur shumë herët e kjo është e sigurt. Sapo mësuan për çeljen e shkollave të aviacionit në vende më të zhvilluara si Italia; Franca; Austria; Gjermania; Anglia etj. mjaft djem shqiptarë, të zgjuar e të shkathët, të shëndetshëm e me zjarrin e diturisë e me vullnetin që u digjte si prush, hynë në këto shkolla e u shquan mes pjesëmarrësve.

Kujtoni pilotët që mësuan në shkollat e Perëndimit dhe me aeroplanë transporti, të prodhimeve të ndryshme, ngritën linja ajrore, të brendshme e të jashtme, të cilat sot mbetën dëshirë e mirë. Piloti Shemsi Tahiraj, nga fshati Turan i rrethit të Tepelenës, ka qenë pilot personal i Mbretit të Arabisë Saudite.

Duhet të keni dëgjuar për padurimin e “legjendës” - Vasil Trasha, i cili, sapo mbaroi Lufta e Dytë Botërore, “pushtoi” aerodromin e Laprakës dhe shaloi me radhë mjaft avionë të mbetur nga kjo Luftë; mjaft të çohej në ajër.

Në betejat ajrore të Luftës së Dytë Botërore, kanë dhënë kontribute të shquara 3 pilotë nga Prefektura e Kuçit të Kurveleshit të poshtëm. Kleanthi Bollano, ishte himariot; Simo Koço, ishte nga Vunoi; Sinan Ahmeti, ishte kuçiot. Të tre kanë qenë në formacionet luftarake të forcave ajrore të aleatëve.

Fejzo Idriz Manolaj, nga Kuçi i Kurveleshit të Poshtëm, emigroi në Francë ku u bë pilot. Në betejën ajrore të Normandisë, në një luftim ajror, Fejzua mbeti pa këmbë. Ai luftonte kundër “stukasve” me një aeroplan “Sihairer”.

Në betejën e Normandisë, aeroplani që drejtonte Fejzo Manolaj, u rrëzua e u dogj. ...Fejzo Manolaj ra në tokë, me këmbë të prera. Një rast i rrallë ky, si ai i pilotit sovjetik - Mesejev, shkruar nga Aleksandër Fadejev, në librin “Historia e Njeriut të vërtetë”.

Shënim: Shkrimi është marrë nga libri: “Kuçi i Labërisë në shekuj”, të autorit Seit Aliaj; libri i dytë; faqe 15.

Së fundi, dua të ndaj me ju një kuriozitet, ndonëse i padokumentuar. Thuhet se në tablonë interesante të Rjepinit të madh, ku pasqyrohet përgjigjja e Zaporozhasve, dërguar Sulltanit mizor, njëri nga ata që nxjerr gjuhën, me përçmim dhe shan vënçe, ka qenë shqiptar.

Në përfundim, them se shqiptarët, edhe kur nuk kanë gjetur hapësira, për të bërë petë në vendin e tyre, e kanë synuar prosperitetin gjetke.