Është ngjarje e jetuar, jo e sajuar. Dikur, derisa u shpërbë Regjimenti i Aviacionit në Rinas, kuadrot e tij, rrugëtonin, nga Tirana në Rinas, me rrugëkalim: Tiranë (Zogu i Zi), Vorë, Ahmetaq, Rinas, e kthim, me autobusë të markave të ndryshme.

Një oficer, i cili banonte pranë Qytetit të Nxënësve, hipte në autobus, tek posta e “21 dhjetorit”. Po aty zbriste nga autobusi e merrte udhën për në banesën e tij. Ai, në segmentin deri tek autobusi, shfrytëzonte një biçikletë të markës “Bianka” të konsumuar nga koha e gjatë në përdorim dhe jashtë mode.

E linte biçikletën të “parkuar” në trotuarin e majtë të “unazës”, të pakyçur dhe e linte aty, gjithë ditën, derisa kthehej nga reparti ku shërbente. Kjo gjë vazhdoi për disa vite.

Një ditë, keqbërësit e kishin grabitur biçikletën dhe siç shesin hekurishte sot, e shitën me çmim të lirë. Biçikletën e bleu Kinostudioja “Shqipëria e Re” mbasi i duhej për të xhiruar një film të Luftës së Dytë Botërore.

Oficeri që ishte grabitur, një mbasditë shikonte televizorin, nga divani, së bashku me fëmijët. E pa biçikletën e tij, në ekran dhe e njohu. Mori udhën për në Kinostudio, ku takoi një kompetent e i rrëfeu ndodhinë. Blerësi, kishte dokumente të sakta për blerjen e mallit e këto ia referoi të dëmtuarit.

“Ta gëzoni biçikletën time”! - tha oficeri e u kthye në banesën e tij. Ndodhia rrëfehet, sot e kësaj dite dhe shkakton ilaritet.