Vështroj rritje e përmirësim.

Në krye të shoqatës së aviatorëve (aviacionistëve) më saktë; kohët e fundit, dukshëm është përmirësuar puna. Të kuptohemi: Ky është opinioni im, i pavarur. E them këtë mbasi në çdo punë që bëhet, sido që të jetë ajo, ka të kënaqur por ka dhe të tjerë, të cilët nuk kënaqen. Kur përfshihet në moshën e tretë, njeriu paska për tendencë të kërkojë ta gjejë veten, në presidium, pavarësisht nga vlerat. Në fakt, është e vështirë t'u bësh qejfin të gjithëve...

Më ngjan se ekipi i ri i shoqatës, pavarësisht nga preferencat e njërit e të tjetrit, i ka gjetur një të mesme këtij problemi. Siç thotë populli ynë: “Mishi të piqet e helli të mos digjet”! Është meritë e të gjithë ekipit, jo vetëm e një njeriu dhe kjo më gëzon pa masë.

I referohem vetëm një dukurie: Sa ish aviatorë, të gjallë e të “ikur”, në treva të ndryshme të vendit, janë shpallur “qytetarë Nderi”! Ose fakti që festohen apo përkujtohen përvjetorë të kontribuuesve. Pra, vërej një gjallërim të punës së Shoqatës, e cila, dikur vegjetonte.

Një rezervë e kam e këtë nuk e mbaj dot për vete. Aviacioni si detyrë dhe fluturimi në vetvete, nuk është e nuk mund të jetë vepër e disave, pilotëve, por e të gjithë atyre që i shërbejnë fluturimit ose që janë të lidhur me të. Ndoshta do të përmbushej më e plotë tabloja po t'u jepej ndonjë stimul i merituar, nisur nga fakti se asnjëri nuk e ka “vrarë ariun”!

  • Respekt për Shoqatën e Aviatorëve (aviacionistëve) të Shqipërisë!

  • Arritjet në këtë fushë, mos paçin fundin e padëshiruar të armës!