E kam thënë dhe e përsëris, vazhdimisht: Voskopojën e dua shumë dhe e lakmoj. Thuajse çdo vit shkoj në atë vend të lashtë e turistik për të përcjellë pushimet verore. Më ngjan vetja sikur jam voskopojar edhe pse fshatin tim e dua shumë e nuk e ndërroj me asnjë tjetër. Vajtja shpesh në atë fshat-qytet ka lënë gjurmë të mira në qenien time dhe një lloj vartësie.
Së shpejti do të festojmë ditën e krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar. 24 prilli i vitit 1951, dita kur mbi qiellin e Tiranës fluturoi për herë të parë aeroplani me pilotin korçar Petraq Polena, ngjan si i largët, por gjurmët e asaj dite vijuan për shumë vite dhe aerodromet e vendit gumëzhinë nga zhurma e motorëve që shkëputnin nga toka makina të fuqishme ajrore të "shaluara" nga djem të zgjedhur të vendit tonë. Repartet e Aviacionit Shqiptar u mbushën me aviacionistë të pasionuar, të cilët lanë gjurmë në historinë e mbrojtjes së vendit tonë.
Të shumtë janë aviacionistët në jetë, por mjaft të tjerë kanë "ikur" në udhën pa kthim. Disa (jo të paktë) kanë rënë në krye të detyrës, në përpjekje për të ngritur mjeshtërinë e shfrytëzimit të teknikës ajrore në tokë ose për të përsosur mjeshtërinë e pilotimit. Të rënët për Atdhe janë tok edhe sot, si dikur në aerodromet e Shqipërisë; edhe pse prej rënies së tyre enden në hapësirat qiellore.
Dëshmori i parë i Aviacionit Shqiptar, trimi me fletë Vasil Trasha, nga Voskopoja, i cili ra në aerodromin e Kuçovës, në vitin 1958 (23 mars), duke zbritur në një fluturim në natë mjaft të vështirë, në përpjekje për të marrë klasin e parë të pilotit, i cili është varrosur e zhvarrosur 3 herë, më në fund nuk prehet tok me shokët (prapëseprapë nuk është i vetëm), në një cep të varrezave të dëshmorëve të atdheut të qytetit të Korçës. Koha dhe rrethanat e kanë lënë veç shokëve, atë dhe dy pilotë të tjerë të talentuar si Jovan Kacorri e Fluturim Molla. Për dy të parët kam shkruar në mënyrë të posaçme; ata, të tre, si të kapur dora-dorazi, rrezatojnë edhe ashtu siç janë. Dhe ky veprim është në nderin e qytetit dhe të Bashkisë së Korçës.
Pa u rrekur të bëj një përshkrim të detajuar të figurës së tyre të ndritur, mjaftohem të informoj, për ata që nuk e dinë, se Vasil Trasha, ish-partizan, ishte talent i lindur për të fluturuar. Trimëria e tij e çartur u shfaq disa herë gjatë jetës së tij si fluturues. Jovani u vra kur ishte ende kursant. Ai ishte një talent tjetër i rrallë, i pajisur me të gjitha të mirat që mund të thuhen për një njeri. Fluturimi, siç ka dhe emrin, ishte i pasionuar pas fluturimeve, ku dhe "u shua".
Një ditë korriku, kur vapa përvëlonte dhe në Korçën plakë, mora udhën për në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut të qytetit të Korçës. Kisha informacion se brenda atij vendi ku prehen ish-luftëtarë të lirisë preheshin dhe tre pilotë, por për varret e tyre nuk kujdesej njeri. Porosita mikun tim Robert Marko (ndjesë pastë), ish-pilot, të më priste tek udha poshtë varrezave dhe gjeta prej tij një korrektesë, siç shquhen pilotët. Doja t’u bëja vizitë "qiellorëve" të paharruar dhe t’u shprehja nderimin që kanë aviacionistët për ta.
Me qëllim që ta bëja "nderimin" sa më të plotë, nga Voskopoja mora tri tufa me trëndafila të freskët dhe një kovë e një leckë. Amvisat voskopojare i kanë avllitë plot me trëndafila të bukur dhe duket sikur garojnë me njëra-tjetrën në këtë fushë të jetës së tyre. Doja t’i bëja tufat me gonxhe të freskëta, të bukura e nga më të mëdhatë. U afrova tek një banesë, në bahçen e së cilës vegjetonte një trëndafil tërë gonxhe të bukura, të çelura plot hijeshi, siç më duheshin mua.
Në avllinë e banesës, një burrë, rreth të shtatëdhjetave, po lexonte një libër "të lodhur", në vetmi. U afrova tek porta e banesës së tij, prej hekuri, dhe e grisha. Me shkathtësinë e një atleti dhe me sytë që i ndrinin nga mirësia, burri u ngrit nga karrigja ku ishte ulur e u afrua tek porta, së brendshmi. Më la shije të mirë sjellja e tij e qytetëruar dhe dashamirësia që shprehnin sytë e tij. Pa ia kërkuar, u prezantua vetë.
"Jam prifti i Voskopojës, — tha i panjohuri dhe vijoi: — Më quajnë Thoma Samaras; pa më dëfto: ç’e mirë të pruri tek unë?"
I rrëfeva hallin që më shpuri në derën e tij.
"Të lutem, më prit 2 minuta", — tha prifti e hyri në shtëpi e doli prej andej me një gërshërë vreshti në dorë. "Urdhëro këtë! — më tha. — Futu në bahçen time nga ky muri i rrëzuar, këput gonxhet më të mira e bëji bukete!"
Kishte dëgjuar Urata për Vasil Trashën, nga të parët e tij e më tha: "Ka qenë trim i madh ai dhe pilot guximtar!"
Bëra siç më tha prifti dhe, kur dola me lule në duar e doja t’i ktheja gërshërën, e pyeta: "Uratë, çfarë të detyrohem?"
Burri, papritur, u bë serioz, mori drejtqëndrim, sikur të ishte oficer i disiplinuar e më tha me ashpërsi: "Lipsu! Dashke të më japësh dhe para. Ata janë ‘qiellorë’ e unë sonte do të falem për ta!"
Ika, "me bisht në shalë". I "turpëruar nga sa më tha Prifti i Voskopojës", e mbajta vrapin në Korçë, atje ku më priste besniku Robert Markao. Në dorë mbaja tri tufa me trëndafila, një kovë të bardhë dhe një leckë.
Së bashku me Robertin (ndjesë pastë), pastruam ferrat dhe barishtet që kishin mbuluar varret e kolegëve tanë, lamë me leckë pllakat e varrit, bëmë fotografi pranë atij vendi të "shenjtë"; vendosëm nga një tufë me trëndafila të freskët mbi çdo varr dhe u larguam për tek makina superelegante e mikut tim, Sherif Braski, i cili na priste aty pari e më ktheu në Voskopojë.
U larguam nga kolegët tanë në mermer të trishtuar e të zemëruar dhe krenarë e të lehtësuar. Zemëratën e kishim me ata që nuk janë kujdesur sa duhet për vendin ku prehen "qiellorët", por krenarë se kishim bërë diçka të mirë, hyjnore dhe njerëzore, në emër të të gjithë aviacionistëve.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 21 prill 2022

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.