Nuk qenka e lehtë të shkruash. Në veçanti, kur shkruan për të tjerë, të cilët nuk janë në jetë dhe kur bashkëkohësit e tyre „kanë ikur“. Kërkesa për të rrëfyer në një material të shkruar të vërtetën (atë të vërtetë që njeh autori), me të gjitha kërkesat bën të domosdoshme të kesh njohuri të sakta e të plota, në fushën e letrave dhe në shkenca të ndryshme. Sidomos kërkohet njohje në fushën e historisë, të psikologjisë, të jesh gazetar e analist e ku ta di unë se çfarë. Kush mendon se njeriut të letrave i mjafton vetëm të nxijë letrat e njerëzit do ta lexojnë, pa gjetur në shkrim atë që u intereson, le ta provojë.

Është i njohur fakti që njeriu që vendos të shkruajë diçka, sidomos për dikë, më parë bën një plan, s’ka rëndësi, në kokë apo në letër dhe, udhës e pasuron apo e saktëson atë.

Në një shkrim, kam ndeshur në vështirësi të paparashikuara. Kjo nuk do të thotë se në shkrime të tjera, të cilat, pa tentuar të bëj Belulin, nuk kanë qenë të pakta, nuk kam ndeshur vështirësi. Vështirësia kryesore lidhej me faktin se ndodhia që duhet të përshkruaja ka ngjarë në një kohë të cilën nuk e kam përjetuar e më duhej të pyesja shumë njerëz, nga ata që kanë qenë të pranishëm në atë kohë. Për fatin tim të keq, bashkëkohësit e „heroit“ për të cilin vendosa të shkruaj janë ndarë nga jeta ose kanë marrë dhenë.

Pas shumë përpjekjesh sigurova një numër telefoni, nëpërmjet një miku, i cili nuk e pati të lehtë. Më hipi gjaku në kokë dhe me inat plaku e me kokëfortësi kalivaçasi, vendosa t’i shkoja problemit deri në fund. Vështirësive që lidheshin me çështjet biografike, të cilat, asokohe vrojtoheshin nëpërmjet vrimës së gjilpërës, u shtohej frika e njerëzve (bashkëkohësve apo familjarëve të tyre) për të dalë hapët e me identitetin e tyre.

Bëhet fjalë për pilotin e talentuar, të lindur për të fluturuar, të viteve ’50 të shekullit të shkuar: Agim Nuredin Spahiu, të cilin brezi aktual dhe ai diçka më i lashtë, nuk e kanë njohur apo për shkaqe të pajustifikuara, nuk kanë pasur shansin as të dëgjojnë për Të. E kam thënë dhe e pohoj sërish, me forcë e me bindje të thellë, se Agim Spahiu ishte viktimë e mbiemrit që mbante, pavarësisht se në dejet e tij gëlonte gjak i një njeriu tejet të vendosur për të lënë gjurmë nderi në të gjithë jetën e tij – rrjedhojë e formimit atdhetar që kish. Figura e pilotit Agim Nuredin Spahiu ishte komplekse. Një fizik i formuar; një shtat muskuloz; një mendim i qartë e i kulluar; një shok i dashur e besnik; një atdhetar i zjarrtë; një futbollist e gjimnast i përsosur; një pilot i talentuar; „një dashnor“ i rrallë i ajrit e i avionit; një i lindur për të fluturuar; një familjar i rregullt e i dhimbsur etj. I rritur në një shoqëri të pastër e të shëndoshë, në Shkollën e Mesme Ushtarake „Skënderbej“ dhe në shkollën sovjetike të aviacionit, në Borisoglebsk; kur u titullua oficer e u diplomua pilot gjuajtës-bombardues, në Regjimentin „Peza“ të Qytetit „Stalin“; në çdo etapë të jetës së tij ishte në shoqërinë e njerëzve të cilëve u rrihte zemra për popullin dhe për Shqipërinë, Agimi u ngjit në nivele të larta, të pilotit „të elitës“, vlera të cilat nuk mund të lija të harroheshin apo të nëpërkëmbeshin. Ai domosdoshmërisht duhet të zinte vendin që i takonte në Historinë e Aviacionit tonë dhe në letrat e mia. Ndaj m’u shtua dëshira për të pasqyruar jetën e Atij „heroi“ të panjohur sa duhet.

Në vitet kur fluturonte Agim Nuredin Spahiu, në aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues, kriteri i shpejtësisë së aeroplanit ishte deri tek shpejtësia e zërit dhe Ai bënte fluturime ajrore me aeroplanë të tipit Mig - 15 të cilët ishin të teknologjive të para të aeroplanëve reaktivë, por tepër të manovrueshëm e të sigurt dhe që të falnin shumë. Ama, duhet ditur se në kohën kur Regjimentin „Peza“ të Qytetit „Stalin“ e komandonte „Babai“ i Aviacionit Shqiptar - Niko Selman Hoxha, ky i fundit, bazuar në pastërtinë e teknikës së pilotimit dhe në talentin e Agim Nuredin Spahiut e mbante Atë, vazhdimisht pilot shoqërues dhe ulej, në çift avionësh, në pistën e betonuar të ndërtuar nga sovjetikët, të aerodromit, të Qytetit „Stalin“, vetëm në shoqërimin e Agimit.

Në atë kohë, në Regjimentin „Peza“, i vetmi i kësaj natyre në vendin tonë, efektivi i numëronte me gishta fluturuesit. Agimi ishte njëri syresh dhe nga më të mirët. Nëse nuk pati ndonjë karrierë „interesante“ në aviacion, kjo lidhet me ngarkesën politike që i jepte mbiemri që mbante „heroi“ i këtij rrëfimi - Agim Nuredin Spahiu. Lexuesi duhet të dijë se Agimi nuk e hoqi uniformën e aviacionistit dhe kapelen me krahë shqiponjë përmbi edhe kur u përjashtua nga aviacioni, si „fajtor pa faj“. Duke mësuar këtë histori tragjike, me rrjedhoja të pamerituara, më hipi gjaku në tru e vendosa ta bëja publike këtë ndodhi. Mendoj se mjaftueshëm e kam shtjelluar këtë ndodhi makabre në monografinë kushtuar Atij talenti të rrallë, i cili i vjen rrallë kësaj toke.

Në radhë të parë, më duhej të sqaroja lidhjen dhe ndikimin në formimin e Agimit, të xhaxhallarëve të tij, Bedriut dhe Ulusiut; dy vëllezërve të Nuredinit. Me qëllim që të mësoja diçka të saktë, për këtë problem i shkrova shokut tim të kohëve të vështira V.L.P, i cili banon në Gjirokastër dhe ka njohuri të thella për aviacionin; është me kulturë e me reputacion në qytet dhe është i besuari im. E porosita shokun tim të shkonte në kafenetë e qytetit të Gjirokastrës dhe të pyeste njerëz të moshuar, nga ata që kishin dijeni për çështjen. Përgjigja që më erdhi ishte e shpejtë dhe shteruese: Bedri Spahiu, vërtet ishte lindur e ishte rritur në trungun e Spahijve, në lagjen „Palorto“ të Gjirokastrës, por, kur u bë për martesë, hyri dhëndër brenda në lagjen „Manalat“ të këtij qyteti.

Pastaj, ku donte të dinte Bedriu, për nipërit, qoftë dhe për Agimin, i cili, më pas u bë dikushi? Ndikimi në formimin e Agimit ishte inekzistent edhe në veprimtarinë e vëllait të tyre – Ulusiut. Ndikimi i tyre mbi „heroin tonë“ ishte fantazi, në mendjet e çoroditura të puthadorëve të regjimit diktatorial.

Sigurova një të dhënë të nevojshme, por vetëm me një të dhënë nuk mund të shkruaj; ajo nuk është e mjaftueshme, prandaj i vazhdova qëmtimet. Një ditë ndodhesha në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Formova në celular numrin që më dha shoku im, pa ditur se kush do të më dilte në anën tjetër. Abonenti ishte me sinjal të lirë, por nuk u përgjigj njeri, përkundrazi, sapo hapa gojën, sinjali u mbyll. Epo, ndodhi që ndodhin rëndom tek ne, mendova. I thashë djalit që kisha pranë të telefononte në të njëjtin numër, me telefonin e tij që mbante numër gjerman.

E njëjta ndodhi. Dyshova se diçka fshihej pas kësaj ndodhie.

Kur u ktheva në banesë, i shkrova në mesenxher, një gruaje që banon në Milano (kisha të dhëna se bashkëshortja e Agimit dhe djali i tyre, banojnë në Milano) dhe që ka ndikim në atë qytet, duke i dhënë numrin e telefonit dhe disa kërkesa biografike. Në telefonatën e parë të saj, nuk e ngriti asnjeri telefonin; në telefonatën e dytë, në anën tjetër të telefonit doli një zë gruaje e cila u përgjigj, me një tekst interesant e befasues për miken time. Ajo, sapo mësoi se një shqiptar interesohet për Spahinjtë, u përgjigj: „Nuk ke për të mësuar asgjë prej meje dhe prej djalit tim!“ Mikja ime më njoftoi e unë u detyrova t’i kërkoj të falur vajzës së mikut tim, të cilën e futa në këtë qorrsokak.

Hall i madh. Kërkoja patjetër të dhëna biografike. U drejtova në arkivin e shtetit e në atë të ushtrisë, natyrisht me njohje. Përgjigja ishte e njëjtë: „Nuk kemi të dhëna; dosjet janë zhdukur!“ Atëherë iu drejtova bashkisë së kryeqytetit, e cila menaxhon varrezat publike. Dija që Agim Nuredin Spahiu është varrosur në varrezat publike të „Sharrës“.

Rreth 10 juriste të bukura të cilat merreshin me probleme jo të punës, por të mejkapit vetjak, kryesisht, „pritnin“ popullin hallexhi, në radhë. Me të pyetur, përcaktova sportelin që më përkiste. Gruaja menaxhere nuk ishte tek vendi. M’u desh të prisja gjatë. Më së fundi erdhi biondja simpatike të cilës i qava hallin. Dua një varr në Sharrë, i thashë asaj. „Luaj vendit“, tha gruaja, „ti je i gjallë!“ „Sot, vërtet jam në jetë, por një ditë nuk do të jem më, prandaj dua të rezervoj një vendvarrimi“.

Pastaj i sqarova shkakun e vajtjes sime, në atë sportel. „A ke të bësh me të?“, ishte pyetja e saj. „Jo!“, i thashë, „dua të shkruaj për të, për sevap“. „Atëherë, bëj një kërkesë, drejtuar Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe prit përgjigjen!“ „Prit gomar, sa të mbijë bar“ - thashë me vete dhe, mbasi falënderova gruan e sjellshme, u largova. E mbajta vrapin në rrugën e „Durrësit“, atje ku dikur ka qenë funerali. Për dreq, atje ishin dy funerale: njëri i shtetit e tjetri i privatit.

U ndodhën njerëz me njerëzillëk, në të dy funeralet; ata më orientuan e më drejtuan ku duhej. I hipa autobusit urban e sosa në Sharrë, në zyrën që menaxhon varrezën publike, gjeta dy njerëz të mirë; një vajzë e një burrë. Burri më pyeti: „Po ta shikosh, a e njeh personin?“ Po, e njoh, gënjeva unë. Shpresoja se tek koka e varrit të tij do të gjeja jo vetëm identitetin e Agimit, por dhe do ta identifikoja nga kapelja e aviatorit, të cilën nuk e hiqte nga koka. Burri më shoqëroi dhe unë e gjeta atë që kërkoja, që në rreshtin e parë.

Një varr i braktisur. E kishin mbuluar gjembat dhe ferrat. Anash vendit të shenjtë dalloheshin bordurat e kohës së shkuar. U gëzova! E filmova e u largova, duke falënderuar atë gruan dhe atë burrin që më ndihmuan. Në një rast, bëra me dije vëllanë e Agimit, i cili banon në Itali, prej 28 vitesh. „Do ta rregulloni atë varr, apo të mbledh para nga aviacionistët e ta bëj unë, si të tjerët?“, i bëra mesazh vëllait të tij.

Ai më ktheu përgjigjen: „Do ta bisedoj me bashkëshorten dhe me të birin!“ Nuk di çfarë është bërë, për këtë problem me vlera morale, por jo vetëm.

Më kishte mbetur pa „shkrepur“ „fisheku i fundit“. U mendova gjatë dhe më ra ndërmend se autokton nga lagja „Palorto“ e Gjirokastrës ishte oficeri i sigurimit të shtetit Fejzo Dabulla (ndjesë pastë) të cilin e njihja.

Një ditë i vajta pranë banesës dhe e ftova për kafe. Pranoi. E qerasa, me kafe e me një dopio raki. „Jo dopio“, tha Fejzua. „Lëre në tavolinë“, i thashë dhe e bëra me dije për qëllimin e vajtjes sime tek ai. Burri me burrëri, nisi të qante dhe pa nisur të më rrëfente, më falënderoi që kujtoj ata që nuk janë në jetë prej kohësh. E njihte mirë trungun e Spahinjve dhe vetë Agimin e prindërit e tij, Fejzo Dabulla.

Ai fol e unë shkruaj; ia „mola“ të dhënat që më duheshin. Pyeta dhe të tjerë e nisa shkrimin.

Pas përfundimit të shkrimit dhe postimit të tij në blogun personal, vërshuan falënderimet, nga njerëz të fisit e të familjes, madje dhe nga bashkëshortja e Agimit dhe nga i biri që jetojnë në Italinë fqinjë.

Ua rrëfeva këtë ndodhi, jo për të rrëfyer sa i zoti jam, por për të bërë publike telashet që i dalin përpara një krijuesi dhe vështirësitë për kapërcimin e tyre. Se mos është i vetmi rast.

Shkruar nga Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 10 maj 2022.