Ky përfundim vlen si për qytetarët, ashtu dhe për rrethinat. Historia e Dino Cicos vërtet rrëfehet si legjendë, por brenda saj ka diçka të vërtetë dhe e vërteta bazohet në dëshirën e gjirokastritëve për të lundruar në ajër, si zogjtë fluturakë.
Në këtë kuptim, komentet mbi baza të vërteta për këtë legjendë mund të jenë shteruese.
Mendoj se lundrimi nëpër ajër është çështje e të zgjuarve që kanë me vete dëshirën për ta «shijuar» ajrin, nëpërmjet lundrimit në shtresat e tij. Në këtë përfundim arrij jo nga dëshira, por nga faktet që di. Lundrimi ajror bazohet në shkenca të sakta si fizika; kimia; aerodinamika; matematika etj. Po t’u shtojmë këtyre faktin se gjirokastritët, si të zgjuar natyralisht, i kapin shpejt e nuk i lëshojnë elementet e fluturimit.
Nga sa di, gjirokastritët në aradhën e fluturakëve e të shërbimit teknik, nuk kanë preferuar të qëndrojnë në të njëjtin pozicion me të tjerët, por kanë synuar e kanë kapur majat e profesionit, kudo ku i ka «përplasur» rryma e fatit. Le të vemi tek konkretja e unë kam tendencën, jo aq të pëlqyer, për të operuar, në shkrimet e mia, me emra të vërtetë.
Një grup qytetarësh nga Gjirokastra u bënë nismëtarë të eksplorimit të qiejve. E them në shumës, mbasi disa nga themeltarët e kanë nisur karrierën jo në vendin tonë, por në qiejt e Jugosllavisë e të Bashkimit Sovjetik. Dëshirën njerëzit e kishin, por mundësitë ishin të kufizuara e shkollë aviacioni, në vendin tonë, në vitet e para të pasçlirimit nuk kishte. Ama dëshira e njerëzve vlonte në gji e ata digjeshin nga «zjarri» i dëshirës për të fluturuar.
Në Libohovën e njohur, jo vetëm për trimëri, një grup të rinjsh morën udhën e qiellit. Kush nuk e di, le të shfrytëzojë këtë mundësi për ta mësuar. Gjigandi Refat Kaimati; i urti Nuredin Bejleri; syshqiponja Tomorr Avdia; kokëploti Mustafa Cici; talenti i rrallë - Alket Islami; nostalgjiku Hivzi Minxha; fisniku Jorgo Sulioti etj., janë nga Libohova ose me origjinë andej.
Qyteti i Gjirokastrës ka nxjerrë specialistë, fluturues ose jofluturues të kategorisë superiore. Agim Nuredin Spahiun, do ta renditja ndër të parët, si pilot i «elitës», për vlerat që kish. Agron Galanxhi, trimi i çartur i Galanxhinjve, me guximin që e kishte në gjen dhe me përsosmërinë e teknikës së pilotimit, «ulte në gjunjë» e bënte me turp, shumë bashkëkohës të tij. Pilotë të tjerë, të të gjithë brezave, si: Bajazit Jaho; Shpëtim Baxhaj; Nase Leka etj. etj. ia kanë zbardhur faqen qytetit të tyre dhe më tej. Do të theksoja talentin e rrallë dhe aftësitë e veçanta të fluturimit të gjirokastritit me origjinë Petrit Sado Bebeçi, i cili është shquar, kudo ku ka ushtruar profesionin e vështirë të pilotit me kualitete të rralla. Besnik Hashorva; Lirim Kokona; Sotir Majko etj. kanë lënë gjurmë në aviacionin tonë.
Nuk duhen harruar ata që u nisën, por nuk u sosën udhëve të qiellit e mbetën thjesht nostalgjikë të fluturimit. Vaso Leko Pesha e Vaso Kico Pesha; krahas Bektash Bebecit; Hysni Bebecit; Minush Karalliut e ndonjë tjetri i përkasin kësaj kategorie. Cilësia është shfaqur me forcë kur bëhet fjalë për «yjet» e shërbimit inxhiniero-teknik të aviacionit. Muamer Alite; Ylber Hashorva; Masar Lengo; Vladimir Sinoimeri e shumë të tjerë me mençurinë e tyre dhe me duart e arta i kanë dhënë tonin këtij shërbimi. Agim Asqeriu e Agim Sula; specialist i klasit të parë Mehmet Hasko etj. me punën e tyre kanë lënë gjurmë në aviacionin tonë.
Megjithëse disa herë spekulohet me vendosjen e një radhe, fill pas qytetarëve gjirokastritë, gjykuar nga roli dhe kontributet që kanë dhënë, do të theksoja zagoritët. Anastas Ngjela, me të cilin kam punuar, ishte një njeri e pilot i kompletuar e me të gjitha tiparet e mira që mund të thuash për një njeri. Tashkua ishte një «majë» në historinë e Aviacionit Shqiptar. Pilotë të tjerë, por jo të sërës së Tashkos (Anastas Ngjelës) kanë qenë: Garito Vito; Maksim Kllapi etj. por dhe në anën tjetër, në atë të profesionit të shërbimit inxhiniero-teknik ka pasur të tjera «maja» siç është inxhinieri Stefan Kagjini, i cili u shqua, jo vetëm si kontributor me shumë vlera, nga të cilat mund të veçojmë zbulimin e formulës dhe prodhimin e vajgurit shqiptar, por dhe për dhuratën që i bëri bibliotekës së Shkollës së Aviacionit duke i falur librat me përmbajtje tekniko-shkencore, si një gjest human i pazakontë. Në Zagori, është rritur e ka zënë mullën, kryeinxhinieri i Uzinës së Aviacionit, i miri, kompetenti, i shkuari me të gjithë Arqile Peri. Nga Zagoria janë dhe Spiro Kasa; Jorgo Koci; Vasil Prifti; Robert Vito etj.
Dua të evokoj rolin dhe kontributin që ka dhënë në aviacion, të cilin e vulosi në një qitje me predha të vërteta, në Derdhjen e Lumit Mat, me gjakun e tij, dropulliti Vasil Noni, i shpallur: «dëshmor i Atdheut». Nga Dropulli ishte dhe tekniku i helikopterit Pandeli Xhumba, i aksidentuar me vdekje, në Himarë, në katastrofën ajrore të njohur. Pandeliu, gjithashtu, është shpallur: «Dëshmor i Atdheut» etj.
Lunxhiotët shquhen si njerëz të qëndrueshëm e me taban. Piloti nga Saraqinishta, Harilla Siko Rebi, të cilin, si pilot e njeri me vlera të rralla, me figurë morale tejet të pastër, Partia e dërgoi për të drejtuar njësi të Aviacionit Shqiptar, si Regjimentin e Qytetit «Stalin», Regjimentin e Gjadrit e atë të Rinasit; kudo ku ndihej nevoja për një drejtim cilësor (jo për një dorë të «fortë», mbasi Llaqi drejtonte me mend e me shembullin vetjak, në tokë e në ajër dhe ai ia doli mbanë, me sukses), përbën një «majë» të veçantë. Roli i tij ka qenë i ndjerë, në provat dhe eksperimentimet e ndryshme, të cilat i dhanë shtysë të madhe zhvillimit të aviacionit tonë. Në radhët e lunxhiotëve, kam dëshirë të rreshtoj: Vasil Kromidhen; Telo e Pilo Dedin; Jani Tarifen etj. Secili prej tyre ka vlera e kontribute të veçanta, individuale, por të gjithë bashkohen kur është fjala për guxim e trimëri dhe për dashuri për ajrin dhe për aeroplanin. Tekniku i aeroplanëve An – 2 - Mihallaq Puleri, të cilin, me të drejtë, e thërresin profesor, ka kontribuar fuqishëm në lëmën e fluturimeve ajrore si teknik fluturues, por, veprimtarinë e tij humane e studimore e ka shfaqur dhe në fushën e historisë së trevës nga është, pavarësisht se «era» e shpuri larg, në Amerikë.
Do të kapërcej Drinon e do të hidhem në zonën ku ndodhet Picari; Kardhiqi; Picari; Medari i Kolonjës; Prongjia; Fushëbardha e krahinat përqark. Gëzdar Riza Veipi ishte e do të mbetet një «legjendë» në fushën e fluturimit, të organizimit dhe për udhëheqje me shembullin vetjak. Figura e pastër e tij të bënte e të bën me turp. Fshatra pranë, janë Medaari, ku u rrit piloti Sinan Cela; picari i «babaxhanit» Salih Peci, vatra e djemve trima e të mençur nga Fushëbardha, ku e heq vallen: Zeqo Sadik Cama; Halil Bello dhe gjitonët e tyre: Përparim Hila, Asim Bimë me shokë. Në Umelice kemi pasur Llazi Rapin e është në jetë Aleksandri, me të njëjtin mbiemër. Në Kardhiq, kemi pasur një teknik helikopteri, shëndetlig e thatim, të cilin e quanin Naltor Shehu.
Efektivi i Regjimentit të Helikopterëve, në Farkë, e quante atë: «Doktori i motorit» dhe e pyeste për çdo dukuri negative që shfaqej në motor. Në aviacion ka shërbyer dhe vëllai i tij – Xhumua, i cili nuk e pati jetën të gjatë në armën e aviacionit dhe Halim e Frederik Shehu, të cilët sidoqë në sektorë ndihmës, kanë lënë gjurmë në aviacion.
Po të qëndrojmë tek «majat» e profesionit të pilotit, më vjen mirë të evokoj emrin e kolaudatorit të aeroplanëve Mig - 19 që dilnin nga Uzina e Aviacionit dhe është jo vetëm pilot kualitativ, por dhe një njeri i përsosur. Fjalë të mira mund të them për Sejdo Bilush Kamberin, i lindur në Kolonjë e i rritur në Prongji, njërin nga pilotët specialistë për helikopterin Mi - 4, që nga dita e parë e përvetësimit të tij, në vitin 1957, në Pugacov. Të cilësisë së lartë kanë qenë dhe Biluush Imeri e Sokol Cunaj, nga kooperativa bujqësore «Asim Zeneli». Bilushi, «fajtor pa faj», është, ndoshta, piloti i vetëm në botë i cili nga ajri e avioni, provoi të bënte rolin e çobanit me dele në pllajat e Cajupit.
Këto vlerësime duhen kuptuar si opinione vetjake, të cilat bazohen në njohjen vetjake, por jo vetëm, e nuk kanë të bëjnë me renditjen zyrtare. Miku im i mirë e i hershëm, Mehmet Hasko, më kërkoi një shkrim e më njoftoi disa emra kontributorësh, të cilët, të bashkuar me sa di e me sa njoh unë, mendoj se u përfaqësuan tërësisht. Ja dhe emrat e kontributorëve:
Agim Spahiu;
Agron Galanxhi;
Muamer Alite;
Ylber Hashorva;
Besnik Hashorva;
Mehmet Hasko;
Masar Lengo;
Minush Karalliu;
Vladimir Sinoimeri;
Bajazit Jaho;
Anastas ngjela;
Harilla Rebi;
Telo Dedi;
Pilo Dedi;
Naltor Shehu;
Xhumo Shehu;
Vasil Kromidha;
Arqile Peri;
Jorgo Koci;
Robert Vito;
Garito Vito;
Spiro Kasa;
Maksim Kllapi;
Sulo Gorica;
Thoma Beci;
Vasil Noni;
Nuredin Bejleri;
Refat Kasimati;
Tomorr Avdia;
Nase Leka;
Fadil Nenaj (Braho);
Bektash Bebeçi;
Petrit Bebeçi;
Bilush Imeraj;
Nexhip Shenaj;
Sejdo Kamberi;
Gazi Cafaj;
Mersin Minxha;
Kaso Minxha;
Sinan Cela;
Zeqo Cama;
Halil Bello;
Përparim Hila;
Hysni Bebeti;
Gëzdar Veipi;
Shpëtim Baxhaj;
Vaso Leko Pesha;
Vaso Kico Pesha;
Shpëtim Baxhaj;
Halim Shehu;
Frederik Shehu;
Mihallaq Puleri;
Agim Asqeriu;
Agron Sula;
Stefan Kagjimi;
Mustafa Cici;
Llazi Rapi;
Aleksander Rapi;
Fejzo Dabulla;
Lirim Kokona;
Sotir Majko;
Sali Mema;
Ilirjan Mema;
Sotiraq Pina;
Andrea Peci;
Elmaz Duduni (Berberi);
Asim Bimë;
Anastas Anastasi;
Mihallaq Lulo;
Wllson Makri;
Rako Fociro;
Salih Peci;
Sofokli Krisafi;
Petro Dudi;
Jani Tarifa;
Drini Malile;
Dolorez Xhaxhiu;
Jani Sulioti;
Bashkim Kaso;
Spiro Zoga;
Vasil Bleco;
Alket Islami;
Vasil Prifti;
Hivzi Minxha;
Kaso Minxha;
Pandeli Xhumba etj.
Me bindjen se kam bërë hulumtimet e mundshme, shpresoj të mos i mbetet hatri njeriut, mbasi vlerësimet janë e mbeten vetjake.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 14 maj 2022

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.