Zhvillohej një stërvitje me trupa, në rajonin e Fierit e të Patosit. Shërbeja në Skuadrilën e Transportit Ajror, në Tiranë; fluturoja në aeroplanët An-2. Komanda eprore na vuri detyrën të hidhnim desante ajrore, me dy aeroplanë, herët, në mëngjes, tek kthesa e Patosit, nga lartësia 500 m mbi nivelin e detit. Të dy ekipazhet do të hidhnin nga 10 desante secili. Teknikët e bortit, nuk u ngjitën në avion, me qëllim që të mos shtohej pesha fluturuese e aeroplanit dhe të kish një vend për instruktorin e parashutizmit.

Ngarkuam dhe u ngritëm nga Aerodromi i Tiranës, natën, një nga një. U bashkuam në ajër. Isha në avionin e dytë.

Desantet ajrore që do të hidhnim ishin rezervistë. Ata, kishin shërbyer në Batalionin e Sigurimit e ishin liruar nga ushtria; një herë në vit, ktheheshin në repart e hidheshin me parashutë, si desante ajrore, në rolin e armikut imagjinar.

Agimi i ditës që gdhihej na gjeti në ajër. Më mrekulloi ai agim aq i qartë, me ngjyrat e tij të rralla, mes grisë dhe bojëqiellit të hapët. Nuk e kisha parë ndonjëherë një agim të tillë. Kam tentuar ta hedh në letër, por e kam pasur të pamundur.

Në vendin e desantimit mbërritëm me saktësi; në vend; në kohë e në lartësi. Kur ishte urdhri, dera e pasagjerëve u hap e prej andej fluturoi në ajër desanti i parë. Instruktori i parashutizmit, Maliq Vath Tonuzi, një guximtar i rrallë, qëndronte tek dera e avionit, i përcillte një nga një parashutistët; ndonjërit që hezitonte i fuste një shqelm në të ndenjura e ai fluturonte në ajër siç thonë rëndom: me presh, në b....

Me njërin polemizoi, e pashë me bisht të syrit, gati u kacafytën. Siç duket, djali nuk donte të hidhej. Dëgjova, aq sa më lejonte zhurma e erës dhe shlemafoni, disa fjalë të tij: “...Bo-bo, ku do të shkoj, moj nënë...!” Maliqi që të mos shpërndahej formacioni i parashutistëve, i bëri me kokë djalit të ulej në një ndenjëse dhe u hodh vetë, vetëtimthi.

Zbrita në kabinën e pasagjerëve për të mbledhur litaret. Duke shfrytëzuar derën, që të mos më rrëmbenin rrymat e ajrit, mblodha litaret, mbylla derën dhe bëra të ulesha në vendin tim. E pashë djaloshin, gati 2 m të lartë, me kokën ulur e me sy të zgurdulluar. M’u dhimbs. I zbërtheva parashutën e i thashë të vinte në ndenjëset pas kabinës të pilotëve. Më dëgjoi.

Mirëpo, kur u kthjellova, pas disa sekondash, mendova se, atij, gjatë rrugës, mund t’i kalonte gjendja e shokut e të vështronte rrotull për të kërkuar të tjerët. Rreziku ishte i madh e iminent. Djaloshi, mund të hapte derën e të hidhej, pa parashutë.

Gjatë gjithë fluturimit, derisa u ulëm, më mbeti koka pas. Djali, kokëulur, vetëm qante. Sapo ndaloi avioni e u hap dera e daljes, me të prekur tokën, desantin e rrëmbyen zanatçinjtë.