Çdo ndarje nga jeta, lë pas dhimbje, por, nuk i ngjan dhimbja dhimbjes. Më së shumti dhimbjen e përcjellin: nëna; babai; motra; vëllai; gruaja kur është i martuar dhe fëmijët, kur ka të tillë. Pastaj të tjerët, me radhë. Kur i ndjeri (e ndjera) lë pas fëmijë, ngushëllim mbeten ata.
Dikush "ikën", mbasi ka jetuar një shekull ose diçka më shumë dhe bën vdekje të natyrshme.
Në raste të tilla, ata që vijnë për ngushëllim e kanë në majë të gjuhës togfjalëshin: "T’ju ketë lënë uratën!" Ama, kur dalin nga shtëpia ku ka rënë morti, bisedojnë me njëri-tjetrin; "Kjo është vdekje e bardhë, ku ta gjesh të tillë vdekje"! Pavarësisht se e kanë të qartë që, ai që ikën nuk kthehet më, dhe se njeriu nuk ngopet me të jetuar.
Në këtë shkrim horror do të lexoni një ndodhi fare të pazakontë e cila, edhe pse ka ngjarë vite më parë (1991) la pas shumë dhimbje e trishtim e do të kujtohet gjatë. Është nga ato ndodhi fatkeqe, e cila me pak më tepër vëmendje e kujdes, mund të mos kish ngjarë. Ish një dhimbje e rëndë, nga ato që, siç thonë në trevën nga vij, helmojnë gurë e drurë. Pesha e saj ishte aq e rëndë sa vështirë se mund të konceptohet dhe nuk ka as masë; as peshë. Ishte një tragjedi e vërtetë e një gjëmë e madhe.
Është i njohur gëzimi që kaplon ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, kur afron dita e lirimit nga ushtria. Ushtari i shënon ditët me nga një shkallë në rripin e mesit dhe kur afron dita e lirimit, fluturon nga gëzimi. Djemtë rekrutë janë zakonisht 21-22 vjeçarë.
Në kulmin e zhvillimit fizik e psikik. Kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit 3 vjet. Nuk është një fjalë e thjeshtë. Jeta e përbashkët në repart, në ato kushte e në atë moshë, lë mbresa të thella. Ka ndodhur që miqësia mes dy ishushtarëve, ka vazhduar, në forma të ndryshme gjithë jetën.
Ishte fundviti 1991, në Regjimentin e Helikopterëve, në Farkë. Ushtarët që prisnin të liroheshin, ishin nga rrethe të ndryshme. Lirimi nuk bëhej në një ditë. Megjithatë, ata vendosen të festonin, së bashku, në një mbrëmje, në qytetin e Tiranës. U mblodhën për të kujtuar, për të gëzuar e për t’i premtuar shoqi-shoqit, shumëçka.
Në atë kohë krize, në treg ishte futur uzoja greke e markës Metaksa. E kishin provuar djemtë e u kishte shijuar. Atë natë e tepruan disi me të pirën dhe, siç duket, nuk e menduan se ai lloj pijeje, të zë, më pas. Mes tyre ishte dhe djali nga Kanina Irakli Velaj.
Ashtu, çakërqejf, nuk e ndjenë të përpjetën e theksuar, deri në repart. Udhës këndonin, herë tok e herë në grupe, sipas trevës nga vinin. Bënë dhe ndonjë shaka, me kripë. Dikush kujtoi ditën e parë të shërbimit; një tjetër si mësuan të rregullonin shtratin; njeri kujtoi të paharruarin Ndue Logu me shprehjen tipike atërore: "Këtej, o çuna!"
Sa herë kalonte ndonjë helikopter mbi kokat e tyre, Ndyuja ndërpriste stërvitjen, ngrinte kokën lart, e shoqëronte makinën ajrore, me kokë, psherëtinte dhe thosh: "Kam fluturuar rreth 30 vjet me këtë makinë e nuk jam turpëruar; tani nuk jam më në gjendje ta drejtoj, se kam dalë i paaftë shëndetësisht!"
Një tjetër kujtoi si i rrahu fort zemra, në qitjen e parë luftarake etj.. Njeri, me drojë kujtoi letrën e parë që i dërgoi e dashura nga Vlora; etj. etj.
Irakliu, atë ditë, mes shokësh ishte në qiellin e shtatë. Si të tjerët, pas festimit, u ngjit në krevatin e tij, në katin e parë dhe iu përzie. Fjetina i vinte vërdallë. Diku afër mesnatës, në pozicion përmbys volli dhe me të vjellët e tij iu bllokua frymëmarrja. Nuk u ndodh njeri t’i vinte në ndihmë e djaloshi ndërroi jetë.
Edhe pse komanda dhe Partia në Repart, ato netë, sa të përfundonte përcjellja e ushtarëve, kishin marrë masa plotësuese sigurie, vdekja e djaloshit nuk u parandalua. Gjithë ai gëzim dhe ajo hare e ligjshme, u kthye në mërzi e hidhërim të thellë. Repartin e mbuloi zia.
Më e vështira ishte çuarja e tij në Kaninë, dhe dorëzimi familjes, jo siç pritej, por në arkivol. U morën masat për përcjelljen e tij nga reparti me nderim.
Më caktuan të drejtoja atë dërgatë morti. Në një autobus u sistemuan mjaft oficerë të profileve të ndryshme dhe ushtarë nga shokët më të afërt të tij. Në kamionin që shoqëronte, ishte xhenazja dhe skuadra pushkatare.
Sa e gjatë m'u duk ajo udhë, e cila, nuk doja të mbaronte kurrë. Rrugës, nuk vështroja thuajse fare, vetëm mendoja çastet më të trishta: Zbritjen e arkivolit, dorëzimin familjarëve të tij, përgjigjen që do t’u jepja të afërmve dhe "finalen"- varrimin. Sa të rënda ishin këto çaste.
Në një odë, në katin e dytë të një ngrehinë, ku ishin mbledhur "mizeri burrash", më hodhën në qoshenë e djathtë. Sapo u ula, më sulmuan, me pyetje, nga më të ndryshmet, nga të gjitha anët. Më bënë "gjyqin", për fat, në dërgatë ishin disa kaniniotë.
Mbasi u përgjigja, një burrë tha: "Pa të dëgjojmë dhe Kimetin, djalin e Hysniut". Foli Kimeti, foli dhe Bareq Sadiraj, pastaj dhe një oficer marine, në pension e mora frymë lirisht.
Të nesërmen, e përcollëm në varrezat e fshatit, të shoqëruar me skuadër pushkatare. Mendojeni vetë, sa e vështirë ishte të hidhje lopatën me dhe atij deli djali 21-vjeçar, të cilin familja mezi e priste. Kryem ritin e u kthyem në repart, kokëulur, siç vajtëm!
I paharruar qoftë kujtimi i Irakli Velajt!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.