E cili (cila), nuk ka gënjyer, në jetë? Nuk e kam fjalën për ata gënjeshtarë, të cilët, gënjeshtrën e kanë në majë të gjuhës e si mënyrë për të “hedhur” një hall apo për të dalë, pa lagur nga një rrethanë e vështirë. Më duhet të pohoj se aktualisht mashtrimet dhe mashtruesit kanë mbushur udhët e qytetit tim. Dikush është kthyer në lypsar, fsheh një dorë ose një këmbë; një tjetër mban në dorë një foshnje apo ca lecka të bëra sikur ka fëmijë në krah. Sajohen lloj-lloj mashtrimesh, vetëm për të përftuar disa qindarka, shpesh, për llogari të tutorit.
Shkoni të blini në një dyqan dhe shitësi llafazan, i cili është bërë mjeshtër i mashtrimeve, ju mbush me mburrka se malli i tij është më i miri, dhe kur të bind e ti blen diçka, ai, me paturpësi të jep mallin e “lodhur” ose atë me defekt. Po provove ta kthesh mallin e keq e të kërkosh paratë që ke paguar, i ziu ti çfarë ke për të hequr. Kështu, apo ca më keq, mjeshtër të fjalës pa vlerë, janë bërë shitësit ambulantë të udhës.
Thua se më parë, në vitet e diktaturës nuk ka pasur mashtrues. Sa të duash ka pasur, potentë dhe me më pak potencial. Si thotë një fjalë e urtë e popullit: “Të gjithë derrat, një turi kanë”. Mund të them, pa u menduar se, si të parët dhe të prasmit, nga njëri-tjetri kanë mësuar.
Ajo që dua t’ju rrëfej ka ndodhur vërtet e jam dëshmitar okular. Gjëja, e ledhatuar, emërtohet: “Gënjeshtra të bardha”. Ato janë pa zarar dhe e shumta dëmtojnë veten, komunitetin ku jeton e në ndonjë rast si ky, dëmtojnë edhe familjen.
Një koleg i imi, korrekt e i ndershëm, kur merrte shpërblimin, paratë ia numëronte kokërr me kokërr menaxheres së familjes, bashkëshortes së tij, e cila ishte e zonja dhe shumë e nderuar në komunitet. Mirëpo, kolegu im, paratë që i jepte si “para xhepi” nikoqirja, i prishte për një javë dhe tri javë të tjera, “luante pa top”. Duhanin e pinte; rakisë ia thoshte, shoqërinë nuk e braktiste, në asnjë rast, por para nuk kish në xhep, asnjëherë. Ia kish enda të ulej në tavolinë e të rrokulliste ndonjë gotë me H. U; D. Xh; M. K; Ll. C; S. K. e të tjerë.
Një ditë kishin vendosur të festonin, një rezultat pozitiv në fluturime. Ata kishin kryer me sukses uljen në kushtet e shikimit të kufizuar (500 m); kishin siguruar dhe lokalin. Heroi e kish banesën në qendër të Tiranës, në katin e pestë, pa ashensor.
Vajti poshtë balkoneve e i thirri nikoqires. Ajo doli në balkon. “Më hidh 500 (të vjetra) lekë se do vete me shërbim dhe s’kam kohë të ngjitem, më presin shokët.” Nikoqirja që ia dinte huqet, këmbënguli që i shoqi të ngjitej, por ai, me gjuhën e trupit, duke u dredhur e përdredhur, e mësonte të shoqen.
“Hajde lart se kartmonedhën e merr era e do na bjerë në ndonjë balkon tjetër.”
“Futi një gjë të rëndë brenda”, e mësoi tjetri.
Ajo bëri siç i tha burri autoritar. Sapo mori monedhën e po e shpaloste, kolegu ngriti kokën, duke fërkuar duart si shenjë se ia hodhi. Ajo me dorën e saj tek fyti, i thoshte burrit: “T’u zëntë në grykë”! Ka ngjarë dhe kështu!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.