Nuk bëhet fjalë për ndonjë ndeshje futbolli, në fund të të cilës, sportdashësve u mbetet në grykë gëzimi i fitores, por për një shaka mes shokësh.

Në kundërshtim me praktikën e operimit me emra të vërtetë, kësaj radhë, për të mos krijuar shqetësime apo qejfmbetje, lidhur me privatësinë, në këtë shkrim, do të veproj ndryshe:

Dy shokë të ngushtë, të lidhhur me njëri-tjetrin prej kohësh, bënin edhe shaka mes tyre. Njëri syresh ishte serioz, tepër korrekt, i ndershëm, sedërli, trim dhe i dhembshur. Ai kujdesej jo vetëm për fëmijët e tij por dhe për shokët, që i donte njësoj.

Shoku i tij, disi tolerant e "liberal", për kohën; por shakaxhi e disi i llastuar. Ky ankohej shpesh për dhimbje të forta të dhëmballëve, por nuk shkonte për t’i çkulur, apo për t’i mjekuar. E kish për ves, të mundohej të kapte qendrën e vëmendjes së shokëve, nëpërmjet ankesës së vazhdueshme dhe të relaksonte njerëzit, me shakatë e tij të këndshme. Megjithatë ishte i prapë..., në kuptimin e mirë të fjalës.

Nëna labe kur erdhi në jetë i vuri emër qeni, se nuk i rronin fëmijët. Dhe Ai u bë pekul e i përkëdhelur.

Ankesën e radhës e kish për një dhëmballë, e cila e torturonte me dhimbje të vazhdueshme. Këtë e shfrytëzonte si pretekst, për të tërhequr njerëzit që kish rreth dhe për t’u bërë qendër e vëmendjes dhe e bisedave mes shokësh.

Shoku i tij i ngushtë nuk e duronte dot këtë gjendje plot ankime dhe vendosi t’i jepte fund asaj. Një ditë i tha shokut: "njoh një stomatolog të mirë, i cili e ka klinikën në Laprakë; është i zoti e me haber, por është çifut!" "Punë e madhe, gjegji tjetri!" E thanë, e vendosën e morën udhën për në Laprakë, në këmbë (ishte afër).

Meqenëse kishim marrëdhënie mjaft të mira dhe për të më pasur si dëshmitar, Seriozi që nuk të falte, më tha: "Hajde dhe ti!" U binda, se e respektoja e më respektonte pavarësisht nga diferenca e moshës. Ata përpara e unë pas tyre, mbërritëm tek doktori çifut që çkulte dhëmballë. Për fat, stomatologu ishte në punë e radhë nuk gjetëm.

U ul i sëmuri në karrigen që rrotullohej dhe mjeku përgatiste veglat e punës. Shoku im, diçka i tha, në vesh doktorit e Ai vuri buzën në gaz. Shoku im, nxori pistoletën, nga këllëfi, e mbushi dhe i la të kuptonte shokut të sëmurë: "Kjo të pret!"

Sapo nisi nga puna doktori, pacienti që rrinte urtë, e kish gjetur zgjidhjen: "Doktor, mua nuk më koagulon gjaku!", i tha stomatologut. "Ngrehu nga karrigia", urdhëroi mjeku, "se do të të bëj një analizë gjaku!" Shpëtoi edhe në këtë rast, miku ynë i nderuar.