E kisha dëgjuar shumë herë, sloganin: "E drejta zhytet, por nuk mbytet". Ose thënien kuptimplotë: "Të mirën hidhe në det se ajo del vetë në steret (tokë)". M’u dha rasti fatlum ta shijoj këtë "perlë!" Ju kujtoj se "Belulin" nuk e kam bërë shpesh, por rasti që dua t’ju rrëfej, vërtet ka ndodhur ca si lashtë e mban vulën e viteve '70 të shekullit të shkuar por, sa herë e kujtoj, i jap të drejtë vetes që kam mbajtur atë pozicion.
Mos u habitni fare, se edhe në ato vite ka ngjarë kështu siç do t’ua rrëfej:
Në një repart, financat i drejtonte një njeri mjaft i mirë, i pastër në karakter, i përkushtuar në detyrë dhe i aftë. Ai ishte anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë; rridhte nga një familje atdhetarësh, me kontribute, në çdo kohë, në të mirë të vendit. Dallkaukët, servilët, zemërzinjtë dhe marifetçinjtë e sprovuar, ia bënë kurthin dhe një ditë e akuzuan për përvetësim të pronës së përbashkët. E përjashtuan nga Partia por e mbajtën në detyrë.
E goditën rëndë, padrejtësisht njeriun e mirë e Ai u ndie keq. Siç thonin në ato kohëra, po të përjashtohesh nga Partia, je i pushkatuar politikisht. Hata e madhe, zgjidhje nga më të vështirat.. Burrit i vinte shumë inat. U tret e u sfilit, por nuk e humbi torruan, se kishte të drejtën me vete.
I bindur në drejtësinë e sjelljes së tij, kurrë nuk u bind, për vendimin e përjashtimit, por nuk i rreshti letrat me kërkesën për ta rishqyrtuar çështjen e tij, me shpresë se do ta gjente të drejtën, e cila, siç thonë, ishte zhytur thellë e bërtiste, me lemeri: "Këtu jam o njerëz, më vështroni!" Por nuk donin ta vështronin, sidomos ata që e kishin zhytur.
Pas 10 vitesh, kur dhe koniunkturat ishin ndryshuar, burri mori kurajon e shkroi sërish, me mendimin: "I humbur jam, nuk kam çfarë të humbas më, veç po fitova!"
Isha sekretar organizativ i Komitetit të Partisë së Aviacionit, forumit, të cilit i drejtohej kërkesa. E studiova me kujdes rastin. E kisha dëgjuar ndodhinë dhe kisha rezervat e mia. Iu drejtova njerëzve me të cilët punonte, i ndëshkuari dhe organizatës-bazë të Partisë, e cila e njihte mirë. I pyeta, njerëzit një nga një dhe, si në kor, më thanë: "Njeri më të ndershëm nuk gjen."
U rishqyrtua çështja. Mes shokësh, "X" kur mësoi se do ta ndiqja unë çështjen, kish thënë: "Ama ai është, e kam të humbur davanë, se Ai nuk të fal, për të drejtën". Nuk i doli parashikimi. Çështja e tij u rishqyrtua e Ai u ripranua në Parti. Kur mori në dorë teserën e Partisë, e puthi, qau e tha: "Paska Perëndi; e drejta nuk humbka".
I shkova në banesë, së bashku me një personalitet të atij institucioni dhe çfarë pamë? Të binte miu, bëhej copa. Po të kishte përvetësuar, nuk do ta linte shtëpinë ashtu. Jam krenar që kam luftuar për të nxjerrë në shesh një gjë të drejtë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.