Shumë zhurmë bëhet, e të gjitha bateritë janë hedhur tek ruajtja dhe përtëritja e traditës së mirë. Kemi mbetur në lëmin e fjalëve. Si kanë thënë dikur: "Bathë-bathë, po asnjë kokërr!" Tradita, si temë është mjaft e gjerë e cek shumë anë të jetës.

Më duhet të ndalem në një detaj, i cili, mendoj se ia vlen. Është fjala për transmetimin e profesionit të pilotit, si i veçantë e me rrugëtim të vështirë, nga ata që e kanë ushtruar këtë profesion.

Ta themi troç, që në hyrje. Fare pak ish-pilotë ose pilotë ekzistues, e kanë bërë këtë gjë. Përse ndodh kështu? Çdo njeri e di vetë; motivet janë të ndryshme, përzgjedhja është vetjake; megjithatë, një mendim mund ta hedh.

Në një vështrim të përciptë, rezulton se vetëm Vangjel Llazari, njëri nga pilotët më cilësorë e më jetëgjatë e ka bërë të birin, Aurelin, pilot. Gëzdari, të cilit ia dini guximin dhe trimërinë, nuk la djalë, por nipi i tij - Sokoli, mori udhën e ajrit e u bë njëri nga aset e aviacionit tonë. Dhori Mertiri, pilot vetë; pilot bëri dhe të birin. Dhori Zhezha, ushqeu, me shembullin e tij si pilot cilësor, pasionin për shkencën e ajrit, tek nipi i tij- Dritani. Po të tjerët, të cilët numërohen jo me dhjetëra por me qindra, përse nuk e ndoqën shembullin e tyre?

Më duhet t’i heq kapelen teknikut Gani Progonati, i cili i njeh vështirësitë e punës së pilotit, por ndikoi që i biri të ngjitet në kabinën e avionit e të helikopterit. Kemi dhe të tjera raste, si ai i Mustafa Cicit, të cilit edhe pse nuk i erdhi për mbarë t’ia transmetonte profesionin njërit nga djemtë; aviatoren cilësore po e bën e bija, Rudiana, në Itali. Ndonjëri mund të ngutet e të deklarojë: "Është përzgjedhje e saj"! Dakord; në parim, ashtu është, por kemi të bëjmë me gjenin, i cili shpërthen, kur gjen kushtet.

Vras mendjen të gjej shkaqet, të cilat janë të ndryshme. Po të mbajmë parasysh thënien e Stalinit, për pilotët, nuk mund të bëjmë të heshturin kur bëhet fjalë për guximin, trimërinë, vetëdijen që kërkohet edhe në këtë rast. Historia e Aviacionit tonë është një përpjekje titanike për progres. Në këtë përpjekje janë shpalosur talente e vlera të shumta të cilat nuk duhen humbur.

Me këtë rast u shpreh gjithë respektin dhe mirënjohjen, pa kufi atyre që finalizuan përpjekjet e një efektivi të tërë, për të finalizuar fluturimin, si shkencë nga më të vështirat!