Ishte një lloj pakënaqësie, ndaj trajtimit të oficerëve. Nuk shprehej publikisht, nga droja e represionit të asaj kohe.

Si gjithë Ushtria, edhe në Regjimentin e Helikopterëve, në Farkë, në bazë të një kalendari vjetor të shtrirë në etapa të ndryshme kohë zhvillohej stërvitje; herë komando-shtabi e herë me trupa. Të gjitha përgatitjet finalizoheshin me Stërvitjet Taktiko-Fluturuese ku konkretizoheshin të harmonizuara aftësitë e njerëzve dhe bagazhi i tyre teoriko-praktik. Në format e përgatitjes së shtabit qëndronim në repart 24 orë. Kur thirreshin rezervistët, aparati politik ku bëja pjesë, kompletohej me kuadro të profileve organike dhe, në zhvillimin e veprimtarisë stërvitore praktikoheshim sipas profileve. Në rastet kur ata nuk thirreshin, më takonte të aneksohesha pranë oficerëve të shtabit.

Kujtoj kalvarin e mundimeve nëpër të cilin kalonte ish-komandanti i Regjimentit, piloti Hetem Mehmeti. Ai ishte i shtrënguar të dëgjonte, shpesh të përsëritura raportet e shefave të sektorëve, punë e cila vijonte gjithë natën. Isha i privilegjuar mbasi zakonisht nuk raportoja. Derisa shefave t’u vinte radha për të raportuar, zhgërryheshim nëpër shqope, të cilat ishin të dendura në hyrjen e vendkomandës së Regjimentit.

Në ekip bënte pjesë dhe mjeku i Regjimentit, gjakovari Sh. K, i ngjallur (me bark) njeri tepër human e i sjellshëm. Me atë fizik në prag të pesëdhjetave, zor se do ta besonte njeri, se në Ballkaniadën e vitit 1946, ai kishte përfaqësuar vendin tonë në disiplinën e atletikës.

Qanim hallet. Siç e kemi pasur dhe e kemi në praktikë, bënim llogaritë e të tjerëve. Mezi e shtynim sa të vinte dita e pagës pasardhëse. Por nuk na e mbante të flisnim hapët. Shfrytëzonim këto raste dhe bisedonim, xhançe, midis shokësh.

Dikush i tha doktorit: “Ti e ke mirë: vetë mjek; gruan drejtoreshë shkolle, një fëmijë keni, po ne?”

Doktori, si njeri i mençur, u mendua pak e ia “plasi”: “Shkëlzeni, kalë me shalë; Perëndia ia di halle”! E “qepëm”. Ndërruam temë.