Me origjinë nga Korça; lerë e rritur në Tiranë, në një familje intelektuale, me reputacion. U rrit e u formësua në një mjedis pjellor, familjar e shoqëror. Ai fitoi tipare të shëndosha njerëzore, mes të cilave mund të veçohet sinqeriteti, ndershmëria, drejtësia, guximi për të folur hapët, edukata e shëndoshë qytetare dhe sjellja korrekte dhe e kulturuar. Bukurinë fizike e kish dhuratë nga natyra, shtatin e rriti me avancimin e moshës, lufta për të zgjeruar horizontin e për t’u kompletuar si një intelektual i mirëfilltë nisi nga fëmijëria e tij, nga ajo shtëpi plot me libra e me kulturë ku drejtonin dy prindër të arsimuar e të përkushtuar.

Etja për dije, tek Ilija Marjani nuk sosi deri në fund të jetës. Ishte tepër i zgjuar, natyralisht, i shkathët e i fortë fizikisht, njeri me taban, i shoqërueshëm, i dashur e i shkuar me të gjithë. Gjimnazin e mbaroi, në Tiranë, në të mirënjohurën shkollë të mesme të përgjithshme “Qemal Stafa”, me tregues mjaft të lartë. Pas gjimnazit, hyri në Universitet, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Pas përfundimit të vitit të parë, bëri kërkesë e u dërgua për vijimin e studimeve të larta në Bashkimin Sovjetik. Një rast i rrallë ky, në Historinë e Aviacionit.

Më 7 gusht të vitit 1958, me një grup djemsh të përzgjedhur, të zgjuar e të hedhur, u nis, me anije, për në Odesë e më pas me tren, u sistemua në Harkov, ku studioi 2 vjet. Vitin e tretë e kreu në shkollën e aviacionit, në Krasnodar. Duhet theksuar se grupi i kursantëve ku bënte pjesë Ilija, ishte ndër grupet më të mira të kursantëve shqiptarë që studiuan në Bashkimin Sovjetik. Në degën e Radios, ku bënte pjesë, Ilija ishte me fat që kishte shokë Stefan Sallakun; Fatmir Babaneton dhe Fitim Hamzanë.

Me fat ishte dhe kur u emërua oficer, specialist për radio, në Skuadrilën e Parë të Rinasit, ku i takoi të punonte me Bashkim Gjolikun; Sulo Goricën; Fatmir Babameton, Qani Topollajn dhe me të mëdhenjtë: Lulo Musai; Anastas Ngjela; Mahmut Hysa, etj, në aeroplanët supersonikë të pajisur me llokator. Edhe gjatë kalimit në avionët Mig-21, në Kinë dhe shërbimit në Gjadër, Ilija ishte konstant në kryerjen e detyrave dhe i etur, për dije.

Me formimin e Regjimentit të Zadrimës, Ai u caktua në një detyrë mjaft të rëndësishme e delikate, të cilën e përmbushi me pastërti. Në atë kohë lindi një problem serioz; sistemimi i kuadrove me familje në Lezhë. Në këtë aksion Ilija priu me shembullin personal edhe pse familjen e kishte të stabilizuar në Tiranë dhe vajzën e djalin, dy fëmijë mjaft të rregullt e të edukuar si prindërit e tyre vazhdonin Universitetin.

Kudo ku punoi Ilija, ishte një model i njeriut të mirë e shumë punëtor. U nda nga jeta, kur ishte në pension, në Tiranë, në rrugën e Dibrës, duke lënë pas shumë dhimbje e kujtime të bukura.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!