Lulet e malit nuk u fishkën

(Kushtuar aktit  shpëtimtar nga ekipazhi i Helikopterit Mi-4 : Mustafa Çiçi- Fredi Prifti dhe Sinan Breshani).

Pranvera ishte ulur këmbëkryq. Muaji Maj i vitit 1974 erdhi i mbarë. Natyra kishte nisur të gjallërohej. Nëpër lëndina  e në faqe të lartësive, bujitja e barit të njomë kishte jeshiluar mjediset. Nëpër maja malesh rezistonte,  me “ kokëfortësi ” bardhësia e borës të ngrirë,  e cila ngjante me një kapuç, të bardhë mbi majat e lartësive. Poshtë tyre,  në rrëzë të lartësive,  nën gurë,  kishin çelur lulet shumëngjyrëshe,  të cilat, të kalitura e të familjarizuara me të ftohtin e stinës dhe të malit,  ishin më rezistente,  nga simotrat e tyre fusharake.

Studentë të Fakultetit të Inxhenjerisë Mekanike të Universitetit të Tiranës dhe të fakulteteve të tjerë, kryenin stërvitjen ushtarake, ( zborin famëkeq) në Malin me Gropa,  të sistemuar në kampingun e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “ Enver Hoxha”,  në Feken.  Disa studente dhe studentë,  amatorë të ngjitjeve alpinistike,  pas stërvitjes ushtarake,  praktikonin ngjitjen,  në atë terren malor të thepisur,  tërë shkëmbinj e gurë dhe shkurre,  të rralla.  Ata synonin të ngjiteshin në majën e Malit të Miçekut,  ku bora e ngrirë ishte me trashësi  rreth 40 cm dhe lartësia e vendit  mbi nivelin e detit, u afrohej  1800 m.

Në atë grup alpinistik,  bënte pjesë dhe vajza nga Tragjasi i rrethit të Vlorës –  Marjana, e cila vinte nga dega e Infermierisë e Fakultetit të Mjekësisë.  Në stërvitjen ushtarake të grupit,  sigurimin mjekësor e bënte dr. Veliu dhe një infermiere. Në këtë ngjitje alpinistike,  ngjau një e papritur e mbarsur me rrezik për jetën e Marjanës.  Në kohën kur grupi i vogël i “alpinistëve ” po i afrohej majës së malit dhe studentët ushtarakë,  të lodhur e tërë djersë,  nga ngjitja,  u ulën,  siç mundën,  kush mbi një gur e kush mbi një shkarpë,  Marjana,  papritur ndjeu shtrëngim,  në gjoks të shoqëruar me frymëmarrje të vështirësuar, me djersitje të pavullnetshme dhe mjegullim të syve.  Ajo nuk mund të vështronte qartë as shoqet dhe shokët e grupit,  të cilët e rrethuan e donin ta ndihmonin,  por s’dinin se si.  Njëri nga shokët e kursit –  Artani,  nisi ti bënte frymëmarrje artificiale.  Frymëmarrja e vajzës të shtrirë,  mezor ndihej. Artani,  nga lëvizjet pa pushim,  për ta mbajtur shoqen në jetë, ishte kapitur,  fizikisht edhe vetë. Ndërkohë,  përmes reve,  depërtoi një rreze  dielli e fortë,  e cila ndricoi rrugën nëpër të cilën po nxitonin dy njerëz,  për të çuar njoftimin e trishtë  lidhur me aksidentin,  në qendrën e stërvitjes.

E aksidentuara,  u përmend për një çast,  dhe kur pa nëpër mjegullnajën e krijuar përpara syve të saj siluetat e shoqeve dhe të shokëve që e shoqëronin portretet e shqetësuara të Dritës;  të Irmës;  të Silvanës,  të Luljetës;  të Aleksandrit dhe të Tanit,  me zë të mbytur ( zë gurmazi),  i pëshpëriti Tanit: “… Të kam vëlla… po më merret… ;  u nxi në fytyrë dhe humbi ndjenjat sërish.  Drita vazhdonte ti bënte masazh;  Irma e fërkonte me borë;  Artani vijonte ti bënte frymëmarrje artificiale.  Nga qendra e stërvitjes, mbërritën:  Doktorr Veliu;  Infermier Ramizi dhe radisti me aparaturë në krah.  Doktorr Veliu,  e këqyri studenten,  me vemendje,  i dha ndihmën e parë dhe komunikoi me komandën: “… Këtu, gjëndja e të sëmurës është shumë serioze;  nuk mund ta lëvizim dhe kërkoi  ndihmë ”!  Në gjumin e kllapisë,  Marianës i paraqitej si në ëndërr Babai,  me rrëfimet e tij për ishpartizanët dhe trimëritë e tyre. I bëhej sikur po i rrëfente për heroizmat e Zonjës Çurre,  për Shyqyri Alimerkon dhe për heronjtë e tjerë nga Tragjasi,  për të cilët ajo kish dëgjuar e krenohej me ta.  Grupi i studentëve,  për ti dhënë kurajo të aksidentuarës,  ia mori një kënge partizane e cila gjëmoi në atë majë mali.  Marjana,  donte tua ndihte në atë këngë,  por zëri nuk i dilte.  Megjithatë,  Ajo u gjallërua dhe e priti me kurajo thirrjen e radistit:   “…Ndizni zjarret se po vjen helikopteri”!  Drita,  ndërkohë i afroi shoqes të sëmurë një tufë me lule mali shumëngjyrëshe të cilat i kishin qëmtuar,  me shijë e me merak,  shoqet dhe shokët e grupit, në atë terren të vështirë,  në rrëzë të shkëmbinjve e nëpër shkurre.  Duke i dhënë lulet Marjanës,  Drita i tha,  shoqes:  “… Marjana;  Marjana;  po vjen pranvera,  vështro sa e bukur  po na vjen!  Dhe i dha një tufë me lule.”?  E mbështollën Marjanën,  me kapotën e saj dhe me disa kapota të shoqeve e Ajo u ngroh e u gjallërua disi.  Studentët sajuan një vig dhe e morën në krah;   e zbritën tek një shesh i vogël,  tërë gropa,  ku mund të ulej helikopteri. Ishte i vetmi shesh i përshtatshëm në atë faqe mali.

Studenti i Fakultetit të Inxhenjerisë Mekanike,  tepelenasi Turabi Halili,  i cili ishte në atë grup alpinistësh dhe e ndoqi me vemendje ndodhinë,  shkrojti një reportazh cilësor,  në shtypin e kohës. Ku ta dinte Turabiu –  student,  se kur të diplomohej inxhenjer mekanik,  do te shërbente ne Regjimentin e Helikopterëve e më pas në Ofiçinën Qendrore të Aviacionit,  në Rinas.

Më tej,  rrëfimin po e vazhdoj me kujtimet e pilotit të dytë ( aviodrejtues ),  Fredi Prifti,  i cili mori pjesë aktive në atë “ operacion ” shpëtimi.  Fredi ka kryer mjaft aksione shpëtimi. Ai,  aktualisht është 73 vjeçar,   por,   për nga shkalla e vështirësisë dhe nga zhvillimi i ngjarjeve,  ai aksion shpëtimi i është ngulitur fort në memorje e nuk mund ta harrojë.  Fredin e intervistova,  në Tiranë,  më 25  shkurt të vitit 2020.  Ja si e kujton Fredi këtë ndodhi: “… Ishim ekipazh i gatshëm me helikopterin MI – 4,  me numër anësor 6 – 73.  Ekipazhi përbëhej nga: Mustafa Çiçi  –  komandant ekipazhi;  Fredi Prifti –  Pilot i dytë  (aviodrejtues ) dhe Sinan Breshani –  Teknik fluturues.  Sinani,  një teknik nga më të vjetrit në Regjiment dhe njeri nga më të shkathëtit,  ishte pjekur në “ furrën ” e aviacionit e më parë kish kaluar nëpër labirintet e mësuesisë.  Pjekuria e moshës dhe hallet që kish përcjellë në jetë;  ndjenja e lartë e përgjegjësisë për detyrën dhe përvoja e shokëve,  kolegëve shefave të tij,  e kishin kalitur dhe e kishin bërë të ishte kompetent në profesion dhe shumë vigjilent.  Ai i qëndronte teknikës fluturuese mbi kokë e nuk lejonte të ngrihej në ajër helikopteri që menaxhonte,  me dyshime e me hamendësi. Për atë njeri, të metat teknike kishin të njëjën peshë e ishin të mbarsura me rreziqe njëlloj;  prandaj Sinani nuk i ndante parregullsitë në të mëdha e në të vogla.  Për Sinanin,  e vogla mund të shndërrohej në të madhe e të prishte punë njelloj sikur të ishte e madhe. Prandaj,  si unë dhe shokët e mi,  e kishim për zemër helikopterin me numër anësor 6 – 73 i cili  në asnjë rast nuk kishte refuzuar të ngrihej në ajër apo nuk kishte shfaqur parregullsi,  në fluturim.

Kur qëndronim në gatishmëri,  shpesh për shumë kohë,  lexonim;  luanim shah,  kujtonim ndodhi e bënim shaka,  përgatiteshim me qëllim perfeksionimi,  për të njohur rajonin e fluturimit dhe territorin e vendit tonë dhe te fqinjëve, natyrisht,  me drejtime të caktuara.  Mezi pritnim të na jepej ndonjë situatë konkrete emergjence,  dhe  bëheshim sy e veshë për të kapur sinjalin e alarmit,  i cili na ftonte në detyrë. Në ato kohë helikopteri kërkohej shpesh,  për ndihmë dhe detyrat speciale ishin të dëndura.  Ekipazhet e gatishmërisë,  duke qëndruar në pritje të vazhdueshme,  sikur i kapin më shpejt sinjalet e dëshiruar të ngritjes në detyra speciale dhe u ngjajnë atyre “kuajve “ që presin të çelet boksi për t’u turrur me galop. Atyre u ndritin sytë e u gufon gjoksi,  nga dëshira  për t’u matur  me vështirësitë e profesionit e të terrenit,  për të vënë në jetë atë që dinë e atë që munden.  Dhe në çdo aksion shpëtimi e ndihmës,  ekipazhet e helikopterëve “legjendarë ”- MI – 4,  kanë dalë përherë fitimtarë,  falë garancive teknike që jepnin teknikët dhe specialistët duarartë të Regjimentit dhe cilësive të larta teknike që paraqiste makina luftarake e tipit helikopter.  Mendoni për një çast një mori helikoperesh të cilët ngriheshin në ajër njëherazi,  në drejtime të ndryshme,  siç ngjau në dimrin e madh të vitit 1985,  kur u bllokuan disa fshatra e rajone,  në Veri e në Veri – Lindje te vendit.

Rreth orës 10.00 ra sinjali i shumëpritur i alarmit.  Zilja na ftonte për ndonjë detyrë “speciale ” në drejtim që nuk e dinim. U alarmuam e nxituam,  sejcili duke rrëmbyer mjetet e veta të punës dhe për të zënë pozicionin e caktuar në Helikopter.  Të tre shfaqnim në fytyrë një gëzim të madh, i cili buronte nga  shkalla e lartë e përkushtimit dhe gatishmëria jonë për t’u ndeshur me të papriturat që sjell një detyrë e tillë e paparalajmëruar.  Gëzimin dhe lumturinë që ndjenim,  ia vështronim njëri – tjetrit në sy. Do të shpalosnim vlerat tona,  duke rrëfyer çfarë ishim në gjëndje të bënim.  Shkonim drejt të papriturës por e papritura nuk na trembte. Ishim  të përgatitur,  për çdo variant të mundshëm.  Detyra ime ishte të bëja pilotin e dytë aviodrejtues.  Dija dhe të pilotoja helikopterin Mi – 4,  në mënyrë autonome,  por atë ditë, vendi im ishte në kabinën e djathtë të pilotëve,  dhe detyra:  të çoja helikopterin,  suksessshëm dhe me siguri atje ku e thërriste detyra.

Rrëmbeva planshetën ( një lloj çante që mbajnë pilotët dhe navogatorët e cila i ka të dyja faqet transparente ).  Brenda saj ishte e palosur harta me shkallë 1:200.000, vizorja llogaritëse NL – 10;  raportori,  trekëndëshi,  një tufë lapsash me ngjyra të ndryshme  etj.  Sendet e domosdoshme për punë i kisha  përgatitur që më parë e i kisha sistemuar në planshetë,  në prag të marrjes të detyrës të gatishmërisë.  Kohën e qëndrimit në gatishmëri,  e shfrytëzoja,  përveç punës për rritjen e nivelit vetjak kulturor edhe për të përfytyruar variante të ndryshëm detyrash në drejtime e në kushte të ndryshme të motit,  të kohës dhe të terrenit.

Mustafai kishte përvojë të gjatë fluturimesh,  si pilot.  Ai kishte fluturuar në detyra të ndryshme ajrore, në Regjimentin e Rinasit;  në atë të Qytetit “ Stalin ”,  në Shkollën e Aviacionit ( si instruktor i teknikës së pilotimit);  në Skuadrilen e Transportit dhe, së fundmi në Regjimentin e Helikoptereve.  Ai kishte disa tipare karakteristike në tokë e në ajër ku mund të përmendim:  qetësinë” olimpike ”;  sigurinë në ajër,  falë nivelit të lartë dhe aftësive vetjake si dhe e njihte territorin e vendit në detaje,  si teorikisht dhe kishte fluturuar gjatë,  mbi të.

Sinan Breshani,  nga Shkoza e rrethit të Vlorës,  menaxheri i helikopterit të gatishmërisë,  kishte në helikopter,   disa vegla të domosdoshme për të likujduar ndonjë parregullsi teknike të rastësishme,  si në tokë dhe në ajër,  ato kishte futur në një çantë veglash dhe i kishte vendosur më një anë në brendësi të makinës luftarake.  Ai në sajë të njohurive të thella dhe të intuitës teknike që kish,  tashmë ishte bërë mjeshtër në profesion.

Së bashku me Mustafa Çiçin,  me të cilin kishim disa gjëra esenciale profesionale  të përbashkëta,  e kishim më të lehtë të kompensonim njëri-tjetrin,  mbasi ia njihnim dhe huqet shoqi – shoqit.

Papritur,  në dhomën e gatishmërisë roja,  u dha Komandanti i Regjimentit të Helikopterëve –  Hetem Mehmeti.  Ai e kishte marrë urdhrin për ngritjen e helikopterit dhe e dinte detyrën që do të kryenim.  Për habinë time Komandant Hetemi urdhëroi: “ Në helikopter ”!  Dolëm,  me shpejtësi nga dhoma e gatishmërisë dhe vrapuam në Vendqëndrimin e Helikopterëve;  atje ku ndodhej mjeti ynë fluturues.  Kur morëm shërbimin e gatishmërisë e kishim kontrolluar mirë e mirë helikopterin , sipas rregullores përkatëse,  në të gjithë elementët teknikë.  Bëra të habiturin dhe për faktin se Komandant Hetemi,  njëri nga pilotët më të aftë e më të kompletuar ( si nga ana teorike dhe nga ajo praktike, ndryshe nga praktika e punës së tij,  nuk zuri vend në kabinën e djathtë,  atje ku e ka vendin piloti i dytë,  por më lejoi të zija vend unë në atë kabinë.  Pra nuk u përzie,  por e la ekipazhin,  të vepronte ne autonomi  e me kompetencë të plotë.  Ai na dha detyrën ajrore : “ Do të uleni në Malin me Gropa ( pa saktësuar vendin konkret ),  ku do të merrni një njeri të sëmurë”! Na përshëndeti me dorë e na uroi “ Fluturim të mbarë ”!  Fjalët e tij, lanë një ndjesi  interesante  e të pangjarë në qënien time:  Më kaploi një ndjenjë kënaqësie,  nga ky vlerësim që më bëri Komandanti i Regjimentit,  por dhe ndjeva më shumë përgjegjësi,  për ta justifikuar besimin që më dha kompetenti.

Ekipazhet e helikopterëve Mi-4,  kur ngriheshin në ajër ( ekipazhet e gatshëm ),  për të kryer një detyrë shpëtimi,  nëse  u premtonte koha,  përgatiteshin,  në mënyrë paraprake e detyra dihej,  por në disa raste,  kur situata në terren nuk priste ( dhe raste të tillë numërohen me dhjetra e me qindra),  detyra u jepej në ajër.  Komandanti i Regjimentit, nëpërmjet të cilit kalonte çdo detyrë speciale, i jepte urdhër komandantit të ekipazhit që ishte ngritur e gjendej në ajër,  duke e orientuar: ( Fluturo në drejtim të Veriut;  Veri – Lindjes;  Jugë – Lindjes;  Jugut;  Bregut Jugor;  Ishullit etj.  etj. ).  Mbasi merrte dijeni për detyrën konkrete ( nga Vendkomanda Qëndrore ose nga Komanda e Regjimentit ),  komandanti i ekipazhit,  nëpërmjet radiondërlidhjes së brendshme ose me shënja e me zë të lirë,  i thosh Pilotit të dytë ( navigator ) detyrën konkrete.  Atëherë piloti i dytë,  duke vënë në punë aftësitë e tij dhe mundësitë që i jepnin instrumentët që përmendëm më lart,  përfillej për të bërë llogaritë e fluturimit dhe mbante orientimin e përgjithshëm të fluturimit,  duke kërkuar,  me sy,  objektin ku do të ulej helikopteri.

Në rastin tonë na u dha detyra për të marrë një të sëmurë,  në Malin me Gropa por jovendi konkret.  Siç dihet,  Mali me Gropa është një masiv malor me disa lartësi ( male me lartësi të ndryshme),  siç ishte Miçeku. Shkonim drejt të panjohurës;  dinim drejtimin por nuk e kishim të qartë vendin konkret ku do te uleshim;  lartësinë e vendit;  a kishte ndonjë shesh me permasa të kufizuara ku do të uleshim;  sa ishte lartësia e vendit të uljes;  si ishin kushtet meteorologjike në vendin e uljes;  sa njerëz do të evakuoheshin,  gjëndja shëndetesore e tyre (nëse do të ishin për t’u evakuar,  me barrelë,  të ulur në ndënjëse apo si?  Të gjitha këto pikëpyetje që kërkonin përgjigje, zgjidhjet u gjetën hap pas hapi. Këto pyetje më buçitnin në veshë,  qysh se komandanti i ekipazhit e shkëputi helikopterin nga toka,  e provoi, në “varje” me ngarkesë maksimale ( fuqi motorrike ); provoi manovrimin dhe nisi ngritjen.  Tek dubloja komandantin e ekipazhit,  mendja më shkonte tek detyra ime si pilot i dytë- navigator,  si pjesëtar aktiv i atij ekipazhi.

Në gamën e analizës që bëra shkurtimisht e me urgjencë ishte rrjeshtimi i faktorëve që na favorizonte dhe të atyre që kishim kundra.  Ishte ditë e objektet tokësorë dukeshin qartë,  për së largu.  Komandanti i ekipazhit,  Mustafa Çiçi ishte pilot me përvojë të gjatë në fluturim dhe kish shfytëzuar disa tipa aeroplanësh; reaktivë dhe me helikë.   Ai zotëronte teknikë pilotimi të pastër;  ishte i qetë në çdo situatë dhe garantonte veprime të sakta dhe siguri,  për të dalë nga çdo situatë e ndërlikuar ajrore.  Helikopteri me numër anësor 6 – 67,  me të cilin fluturonim,  ishte nga më të preferuarit në Regjiment dhe menaxheri i tij,  tekniku i bortit Sinan Breshani ishte bërë mjeshtër i shfrytëzimit të helikoptereve Mi-4. Duke renditur gjithë këta faktorë që i kishim aleatë e që na favorizonin,  ndihesha i sigurtë se detyrën,  atë ditë do ta plotsonim suksesshëm.

Rreth orës 10.15, helikopteri u shkëput nga toka dhe bëri provën e plotë ,  në “ varje ”. Të dhënat që fiksuam në “varje ”,  ishin ato që kërkonte instruksioni i shfrytëzimit dhe,  duke marrë me vete përshëndetjet,  së bashku me urimin për një fluturim të mbarë nga një grup pilotësh,  teknikësh,  specialistësh e ushtarësh që ndodheshin në Venqëndrimin e Helikopterëve realizuam ngritjen,  me drejtimin Veri – Perëndimor,  me helikopterin të boshatisur.  Erë në tokë nuk kish dhe temperatura e ajrit ishte +15 gradë celsius.  Ishte pranverë.  Helikopteri ishte  pa ngarkesë,  ajri i freskët gjë që favorizonte  fluturimin qëndrueshëm,  me motorrin që mbushte mirë e kishte një zhurmë që të kënaqte.   U ngjitëm në lartësinë e nevojshme për të kapërcyer lartësitë e vargut të Maleve të Dajtit.  Lartësinë e morëm me spiral të djathtë,  me fluturim në ngjitje të qëndrueshme.  Dolëm  në Qafën e Priskës,  me synim për të kaluar në anën Lindore të vargmalit.  Kur dolëm në atë anë,  djathtas pamë qartë masivin e malit me Gropa,  disa lartësi të të cilit kishin vënë kapuç të bardhë ( ishin të mbuluar nga bora ). Kur u rrotulluam djathtas,  mbi Qafë  Priskë helikopteri ishte sipër antenave të Dajtit.  Poshtë ishte përroi lumë dhe diku përpara,  mes gjelbërimit na zunë sytë Fekenin.  Në Feken,  në lartësinë 1100 – 1200 m.  mbi nivelin e detit,  ishte ndërtuar një kamping,  me disa ngrehina ku stërviteshin kursantët e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “ Enver Hoxha”,  kryesisht në stinën e ftohtë.  Kur kursantët linin fushimin e uleshin në auditorët e shkollës,  kampingun e shfrytëzonin për stërvitje ushtarake ( zbor ) të tjerë ushtarakë,  rezervë.

Fillimisht u ulëm në Feken, në rrugën,  në të djathtë të kampingut.  Fikëm motorrin e qëndruam në pritje.  Një oficer dhe disa ushtarakë ( rezervistë ),  u afruan e na bënë me dije se,  i sëmuri që do të evakuonim,  nuk  ndodhet këtu,  por është në Malin me Gropa,   në malin e Miçekut ku lartësia është më e madhe.

Çfarë kishte ngjarë? Studentë të Fakultetit të Inhenjerisë Mekanike të Universitetit të Tiranës dhe studentë të fakulteteve të tjere,  në kuadrin e stërvitjes ushtarake ( zborit ),  ishin sistemuar në këtë qendër stërvitje.  Një grup studentësh,  të përzier,  me prirje për të bërë alpinizëm tentuan të ngjiteshin në majën e malit të Miçekut;  nëpër atë rrëpirë,  tërë shkëmbinj e shkurre.  Ata,  me vrullin e moshës dhe me dëshirën e mirë synuan të shijonin bukuritë e trevës nga lartësitë e majës me borë.  Alpinistët amatorë,  të ngrohur e të djersitur nga malorja e theksuar dhe nga ritmi i lartë i marshimit,  kur mbërritën afër majës me borë të vjetër,  shtresa e të cilës ishte rreth 40 cm,  me qëllim që të normalizonin frymëmarrjen,  hoqën kapotat e zbërthyen kopsat e sipërme të xhaketave.  Kur mbërritën objektivin  (majën e malit me borë ),  të ngazëllyer nga suksesi,  ata u ulën mbi shkëmbinj të zbardhur nga bora dhe mbi shkurre,  mbasi shkumdën borën nga degët e tyre.

Në këtë grup studentësh bënte pjesë dhe vajza nga Tragjasi i rrethit të Vlorës,  studentja e vitit të tretë të infermierisë –  Marjana.  Papritur,  vajza nga Tragjasi u ndie keq. Asaj iu shfaqën shënja të pamjaftueshmërisë,  të shoqëruara me vështirësi në frymëmarrje,  djersitje, “ prerje gjunjësh ”,  etj.  të cilat bënin të pamundur zbritjen në grup,  siç u ngjitën.  Gjendja shëndetësore e vajzës po përkeqësohej dhe ndërhyrja e mjekut dhe e infermieres,  të cilët nuk i ndaheshin grupit të studentëve;  as masazhi i shoqeve dhe frymëmarrja artificiale  që i bëri njeri nga shokët e saj, nuk dhanë rezultat;  prandaj u thirr në ndihmë helikopteri,  i cili do ta çonte të sëmurën në Tiranë,  për një shërbim mjekësor më të kualifikuar .

Sipas hartës që kishim me vete,  duke gjykuar nga vijat rrushkulluese,  rezultonte se lartësia e vendit ku do të uleshim,  nga niveli i detit,  ishte rreth 1800 m.  Nga Fekeni ku ndodheeshim,  të ulur,  tentuam të lidheshim me Vendkomandën e Regjimentit ku ndodhej komandant Hetemi,  por qe e pamundur.  As me Vendkomandën Qendrore të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit,  e cila ndodhej në lartësi më të madhe dhe ishte e pajisur me mjete te nderlidhjes tokë – ajër më të fuqishme,  nuk e patëm të mundur radiondërlidhjen.  Ndodheshim në një vend gropë ku valët e radios  RSIU – 3 M nuk depërtonin.  Lëshuam motorrin e helikopterit e u ngjitëm në lartësi më të madhe në të cilën edhe radiondërlidhja do të bëhej më efektive.  Udhërrëfyes,  me vete nuk morëm.  Kur u afruam tek sheshi ku do te uleshim,  vume re me kujdes vendin dhe pamë njerëzit që na pritnin.  Ushtarakët,  në grumbull na bënin shënjë me kapele dhe me pjesën e sipërme të veshjeve ( xhaketat),  të cilat i flakërinin në ajër.  U futëm në lidhje me radio,  me Vendkomandën Qëndrore.  Lamë në të majtën tonë grumbullin e ushtarakëve dhe vijuam fluturimin,  paralel me ta,  në të njëjtën lartësi.  Synimi ynë ishte të përcaktonim sa më saktë lartësinë e sheshit të uljes.  Kontrolluam treguesin barometrik të lartësisë ( instrummentin e lartësimatësit që ndodhet në derrasën e instrumentëve ).  Doli që do të uleshim në një vend ku lartësia mbi nivelin e detit ishte 1750 – 1800m.  Deri atëherë,  të paktën zyrtarisht,  në atë lartësi nuk ishte ulur asnjë ekipazh i helikopterëve MI – 4.  Mustafai u lidh nëpërmjet radios,  me komandantin e Regjimentit,  për të marrë udhëzime plotsuese.  Komandanti im i ekipazhit,  i raportoi komandant Hetemit mbi  të dhënat e sheshit të uljes.  Komandanti i Regjimentit,  i cili ishte njohës i mirë i cilësive të helikopterit MI –  4 dhe i karakteristikave fluturuese të cdo piloti,  urdhëroi,  prerë :” Provojeni ”! “ Po qe se mund të uleni?  Uluni”!  Komandant Hetemi na kujtoi: “ Përcaktoni më parë drejtimin dhe shpejtësinë e erës,  në tokë”

Ashtu bëmë.  Sipas urdhrit të Komandantit të Regjimentit,  hodhëm sytë nga oxhakët e kuzhinës të kampingut,  të cilët përcillnin tym,  në atmosferë.  Tymi që dilte nga oxhakët ngjitej me kënd 35 – 40 gradë gjë që do të thotë se era në tokë ishte përafërsisht 2 – 3 m/sek.  Pamë dhe drejtimin e erës;  ajo vinte nga Veriu e shkonte në Jug.

Mustafai më pyeti: “ Si thua;  a mund të ulemi ”?  Përgjigja ime ishte:  “ Bëjmë më parë një imitim,  për të parë më saktë sheshin  ku do të ulemi dhe të përcaktojmë në mënyrë të përafërt kushtet e uljes ”!  Pas imitimit të uljes,  të dy u bindëm se mund ta realizonim uljen dhe i sygjerova komandantit të ekipazhit se “ mund të ulemi ”!  Atëhere;  po ulemi,  vendosi Mustafai  dhe u përfillëm për t’u ulur,  me futjen e parë.  Për të realizuar uljen,  ndërtuam manovër standarte,  siç veprohet në raste të ngjashëm. Çiçi ishte mjaft i qetë e i përpiktë;  Ai,  çdo element të manovrës për t’u ulur e kreu siç përshkruhet në instruksionin e teknikës së pilotimit të helikopterit MI – 4.  Në çdo etapë të uljes,  pashë tek komandanti im i ekipazhit një qetësi të rrallë.  Qetësia, saktësia dhe konsekuenca ishin karakteristika të veçanta të njohura,  të Mustafa Çiçit –  pilot.  Sheshi i uljes ishte përafërsisht 70 metra i gjatë dhe 5 – 6 metra i gjërë.  Kur rrotat e helikopterit prekën borën e ngrirë,  makina ajrore,  kishte ndaluar përafërsisht në mes të sheshit të uljes.  Mustafai që bënte drejtimin e helikopterit,  e mbajti motorrin,    në xhiro dhe me këndgaz,  në mënyrë që pesha e makinës fluturuese të mos binte e gjithë mbi rrotat.  Me kujdes të shtuar,  zbrita nga helikopteri,  me ndihmën e Sinanit,  për të parë vendet ku kishin takuar rrotat.  Vura re se bora ishte e ngrirë dhe tabani i fortë gjë që siguronte se nuk do të kishim fundosje të rrotave në borë.  I bëra shënjë Mustafait,  me dorë,:  “ Ule! Ule! Ule!  Dhe Ai e uli derisa rrotat e helikopterit u ngjeshën me borën e ngrirë.  Kur këndgazi u ul  deri në fund dhe Mustafai në kabinë,  pa fikur motorrin  mbante duart në komanda,  i sigurt se helikopteri nuk lëvizte;  mata sheshin  me hapa,  për të llogaritur distancën që na lejonte gjatësia e fushës,  për të ecur mbrapsht.  Kishim mundësi të shfrytëzonim gjithsejt – 70m.  Derisa niste lartësimi i faqes të malit,  kishim në dispozicion 35 – 40 m.  Futëm në helikopter të sëmurën;  me barelën tonë.  Shoqet dhe shokët e kishin mbështjellë me kapota.  Marjanën e shoqëroi infermjerja dhe njëra nga shoqet e saj.  

Mbyllëm derën e kabinës të pasagjerëve dhe u përfillëm për t’u ngritur.  U spostuam mbrapa 30 – 35 m dhe e shkëputëm helikopterin në lartësinë rreth 5 – 6 m.  Pastaj e ulëm helikopterin në lartësinë 1 metër dhe nga kjo lartësi nisëm ngritjen.  Hoqa duart nga komaandat e helikopterit. “ Futi duart ” –  urdhëroi komandanti i ekipazhit,  Mustafa Çiçi!  Zbatova urdhrin e tij;  u kapa pas komandave,  pa e penguar atë në veprimet e pilotimit.  Unë vetëm sa dubloja veprimet e komandantit të ekipazhit. Iu afruam honit  (greminës ).  Shpejtësia në instrument ishte 40 – 50 km/orë;  helikopteri ishte i qëndrueshëm dhe komandat ishin të ndieshme.  Mbi greminë ndjeva një rënje,  të lehtë.  Të dy ishim nën një tension nervor si rrallëherë.  Ngritja që po bënim në ata kushte ishte e paprovuar.  Helikopteri kishte fuqi te mjaftueshme,  rezervë.  Mund të kishim marrë,  në bort edhe 2 – 3 njerëz ( pasagjerë ).  Sapo kaluam greminën,  “e ngjeshëm ” helikopterin dhe siguruam shpejtësinë instrumentale   140 km/orë.  Morëm lartësinë e nevojshme;  kaluam Shkallën e Tujanit dhe u drejtuam për t’u ulur në Aerodromin e Tiranës,  në Laprakë.   Uljen e realizuam përpara angarëve ku ishin parkuar  aeroplanët e transportit të lehtë  AN- 2.  Aty na priste një autoambulancë,  me personelin përkatës mjekësor dhe mjeku specialist (Kardiologu ). Ata e transportuan të sëmurën në mjediset e Urgjencës të Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak,  në Laprakë.

Nga sa më kujtohet,  tërë atë tension nervor që kishim,  sikur e shfryu njeri,  me dorë,  mbasi kapërcyem greminën.  Për të kryer atë ngritje të vështirë, “na erdhën në ndihmë ” një sërë faktorësh natyralë,  të cilët ishin “aleatë ”;  në anën tonë.  Të tillë ishin:  Erën,  ndonëse të lehtë ( 2 – 3 m/sek ),  e kishim përpara.  Temperatura e ajrit,  ishte e përshtatshme ( ishte mëngjes dhe ajri malor,  i freskët,  e bente të lehtë punën e motorrit i cili “ mbushte mirë ”!  Veprimet për ngritje,  të komandantit të ekipazhit –  pilotit Mustafa Çiçi,  ishin vendimtare.  Mustafai,  në tërësi shquhej për qetësi,  në tokë e në ajër,  por,  në atë fluturim ishte i jashtzakonshëm.  E mori çdo gjë “shtruar ”e me radhë. Ai nuk u nxitua në veprime,  por veproi i qetë,  me saktësi dhe në kohën e duhur;  sikur të ishte kompiuter.  Çdo veprim i tij ishte si një fotografim i instruksionit të teknikës së pilotimit të helikopterit Mi – 4.  Në ndonjë rast,  vështirësia më bënte të paduruar;  Mustafai më qetësonte,  me shëmbullin e tij.  Kur vepronte,  Ai më dukej sikur po lexonte e zbatonte instruksionin.  Aq i saktë ishte.

Në atë fluturim pata shansin të futesha në rolin që më përkiste;  në atë të pilotit të dytë ( shturman ).  Pas daljes mbi Grykën e Tujanit,  e drejtuam helikopterin për në Aerodromin e Tiranës.  Na dukej sikur helikopteri e dinte udhën  përmendësh e fluturonte vetë.  Si ajo kafsha që e gjen vetë shtëpinë, në fund të ditës.

Në Regjiment,  në ditët që pasuan,  ai fluturim i vështirë,  u përgjithësua e u propagandua si një arritje me vlerë.  Si pilot i dytë,  më bëri të habitem,  veprimi i Komandantit të Regjimentit,  pilotit mjeshtër në profesion,  Hetem Mehmeti,  i cili,  nuk më zbriti nga kabina  e helikopterit,  siç vepronte rëndom  me ekipazhe të tjerë,  kur helikopteri nisej për të kryer një detyrë të vështirë e të panjohur,  por na përcolli me urimin: “ Fluturim të mbarë ”!  Urimi i tij,  na dha zemër e na priu drejt mbrothësisë.

Shtrimi në spitalin e specializuar dhe nderhyrja e mjekëve specialistë – kardiologë të mirëfilltë,  bënë të mundur përmirësimin e studentes të vitit të tretë të infermierisë.  Familjaret e saj na përgëzuan e na falenderuan për ndihmesën që dhamë;  vetë studentja,  mbasi u përmirësua,  na telefonoi e na çoi falenderimme të përzemërta.  Mësova shumë nga ai fluturim,  i cili më shërbeu si burim frymëzimi dhe përvojë me vlerë për fluturimet e mëvonshëm ”.  ( intervista u zhvillua  në Tiranë,  më 25.02.2020. Intervistoi- Niazi Nelaj. Për të bërë këtë shkrim është shfrytëzuar rrëfimi i teknikut fluturues Sinan Breshani,  i cili ka  qenë pjesëtar i ekipazhit të helikopterit,  në atë aksion shpëtimi.  Janë shfrytëzuar dhe materialet e shkruara në shtypin e kohës,  nga Inxhenjeri mekanik i aviacionit,  Turabi Halili ,  i cili në atë kohë ishte student,  në Fakultetin e Inxhenjerisë Mekanike e më pas,  kur u diplomua,  shërbeu pikërisht në Regjimentin e Helikopterëve e më vonë, deri sa doli ne pension,  shërbeu në Ofiçinën Qëndrore të Aviacionit,  në Rinas ku ishte ne role drejtuese dhe një specialist me peshë. Turabiu ka qenë dëshmitar okular në atë ndodhi dhe ka shkruar në shtypin e kohës).  Ja çfarë shkruan Turabiu për atë rast:  “… Në kabinën e pasagjerëve doktorri dhe infermjerja,  prisnin te shqetësuar çastin kur do të shihnin të sëmurën. Më në fund,  në një copë shesh midis gropave të thella,  ekipazhi e ndaloi helikopterin.  Të gjithjë ishin mbledhur rreth të sëmurës.  E morën Marjanën dhe e vendosën në helikopter.  Pas pak studentët ngritën kokat lart dhe e shikonin helikopterin që mori drejtimin drejt kryeqytetit…. Kur u ngritën nga aerodromi i Tiranës e u nisën për në repart,  tekniku i helikopterit,  Sinani,  pa,  tek ndënjëset e pasagjerëve një tufë me lule të bukura mali.  I mori në dorë.  Ato ishin të freskëta,  mbushur me aromën e maleve tona dhe ngjasonin me te rinjtë që stërviten në ato anë.  Sinani solli ndërmend fytyrën e të sëmurës,  besimin e shokëve,  guximin dhe besimin e saj. Në atë skenë të thjeshtë Ai pa dhe një herë dashurinë e njeriut tonë të ri për jetën,  për shokët,  për detyrën. Shikoi përsëri lulet.  Kur e kishin zbritur me barrelë dhe e nisën për në spital,  Marjana kishte nxjerrë lulet e freskëta dhe kish pëshpëritur:  “ për ju shokë aviatorë. Faleminderit,  të gjithëve ”.  Sinani,  me lule neë dorë u ngjit te kabina e pilotëve dhe u tregoi atyre lulet e freskëta.  Ata kishin shpëtuar një njeri. Vajza do të jetonte”!

Padyshim, shkrimin e ketij rrëfimi e zbukuroi dëshmia e komandantit të ekipazhit, pilotit me pervojë Mustafa Çiçi, i cili ka dhe prirje letrare.

Ne Tiranë,  më 29 maj 2020                  Shkruar nga Niazi Xhevit Nelaj