Bëhet fjalë për mjeken Haxhire Kananaj (Eshja), e cila ishte me origjinë nga Petrela dhe me kontribute të rralla, në fushën e mjekësisë, në qytetin e Tiranës, por jo vetëm. Urdhri i Hipokratit e ngarkonte me detyrimin human për t’i shërbyer jetës së njeriut, kurse zemra bujare e saj e obligonte t’u ndodhej pranë e të ndihmonte, me çfarë të mundej, njerëzit në nevojë. Ajo shërbeu në detyrën e mjekut, për shumë vite me radhë, gjithë jetën e përcolli në fushën e mjekësisë, në Tiranë e në rrethina, ku bëri emër, falë shpirtit të saj bujar. Nuk kemi të bëjmë me një bamirësi të thjeshtë apo me një keqardhje për atë që vuan, por me një përkushtim të rrallë në shërbim të pacientit.
Veprimtaria jetësore e Xhires nuk është zhvilluar në ilegalitet, por në dritën e diellit e në sy të njerëzve, por, mjaft kolegë e shokë tanët nuk kanë pasur shansin ta njihnin, për arsye të justifikuara. Me dashamirësi e me qëllim njohjeje, për të gjykuar më saktë, mbi individualitetin e saj, jam i shtrënguar të jap një opinion, jashtë skemës së zakonshme të një shkrimi, i cili, gjithsesi, është vetjak.
Kam pasur shansin ta njoh të mirën Haxhire Eshja (Kananaj), si gjatë kohës kur shërbente në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, ashtu dhe në Repartin 5818, në Tiranë, kur ajo shërbeu në detyrën e mjekut; si dhe e kam pasur gjitone, në pallatin ku banonim. Opinioni që do të rrëfej për Xhiren, si njeri e si mjeke, është i formuar nga njohja e drejtpërdrejtë dhe nga afër, prandaj jam i mendimit se ato që shkruaj jam i gatshëm t’i vërtetoj, një nga një e në çdo kohë.
Haxhire Eshja (Kananaj) ishte burrëreshë. Për atë njeri, po-ja ishte po e jo-ja ishte jo. Kompromis me Xhiren nuk bënte dot njeri. Ortakëria dhe akraballëku për Xhiren ishin terma të panjohur. Ajo ka punuar vazhdimisht në mjedise burrash dhe mes tyre. Besoj se nuk është aq e lehtë për një femër të shërbejë në një mjedis mashkullor siç i ka ndodhur asaj.
Xhirja merrte pjesë në të gjitha bisedat mes shokësh të punës, madje dhe në shakatë që bëheshin rëndom, por ajo dinte t’i jepte vendin cilitdo, me dashamirësi e me buzëqeshje.
Për një njeri që ka çarë vetë në jetë, dhe çdo arritje në profesion e në jetë mban vulën e saj, vlerat janë të shtuara. E lindur jetime dhe e rritur pa praninë e njërit nga prindërit (babait), në vështirësi e në ngushtësi, ajo ka ditur të rreshtohet në ballë të klasës, dhe të dallohet për rezultate të larta; nga klasa e parë deri në maturë. Në shkollën “Hasan Vogli”, ku Xhirja mori arsimimin shtatëvjeçar dhe në Gjimnazin “Qemal Stafa”, më pas, nota 5 nuk iu nda nga kolona me emrin e saj, në regjistër. Edhe në Fakultetin e Mjekësisë, ku puna e saj ishte e jashtëzakonshme, treguesit e lartë cilësorë që arriti studentja Haxhire Eshja, mbanin vulën e përpjekjeve të saj.
Jam i lumtur që kam pasur shansin për të punuar, nga afër e drejtpërdrejt me një njeri të atillë. E kisha vartëse, shoqe, gjitone dhe dashamirëse zemërbardhë. Xhirja ishte e palëkundur në vendimet që merrte; mbasi e kishte bluar mirë në kokë gjënë para se ta nxirrte fjalën nga goja.
Në shkollë e në punë, Xhirja u formua si njeri e u poq si kuadër guximtar e i drejtpërdrejtë me njerëzit. Ajo ishte e gojës dhe fjala e thënë nga goja e saj peshonte shumë e zinte vend në kuvend. Xhirja ishte e fjalës e “nuk ia hante qeni shkopin”, por ishte dhe e arsyes së shëndoshë e i peshonte mirë gjërat.
Ajo, siç i thonë fjalës, ishte “hazër xhevap” dhe ta kthente kuitancën aty për aty, pa u menduar gjatë. Ishte kënaqësi të polemizoje me të, madje dhe të grindeshe. Horizonti i saj dhe kompetenca në ato që nxirrte nga goja, të bënin t’i vije gishtin kokës, para se të përgjigjeshe.
Meqenëse e kam pasur dhe gjitone, për një kohë të gjatë, atë grua e kam njohur dhe në jetën familjare. Xhirja dhe Lirimi, në çift, sikur të ishin gatuar për njëri-tjetrin, nuk i krijonin asnjë njeriu shqetësime; ata vështronin punën e tyre e nuk merreshin me punët e të tjerëve. Çifti në fjalë rriti, edukoi e shkolloi një djalë për kokën e djalit, Andin, të cilin e kishin si sytë e ballit. Mund të pohoj me siguri se dashuria dhe respekti zinin vend të dukshëm në sjelljen njerëzore të Xhires dhe në tolerancën shembullore të Lirimit, kundrejt nënës së Xhires dhe vëllait të saj – Ramazanit, të cilët bashkëjetonin me ta dhe pleqëruan nën të njëjtën strehë. Xhiren nuk e mbante vendi e nuk e gjeje lehtë në shtëpinë e saj.
Ajo, me bujarinë e shpirtit si det, u gjendej të gjithë hallexhinjve, për raste mjekësore, por dhe për nevoja të tjera. Kur kolegë nga tanët dhe shokë të burrit i drejtoheshin Xhires për ndihmë, ajo bëhej copë derisa të konkludohej nga mjeku specialist të cilit i drejtohej e nuk i ndahej lehtë. Në pallat, në bllok e më gjerë, familja e tyre merrej si model e orientim për mirë.
Raporti i Xhires dhe i Lirimit, kur Andi i bëri gjyshër, me Jurin (djalin e Andit) ishte i paparë. Dashuria dhe kujdesi i tyre për nipin i kapërcenin kufijtë e një trajtimi njerëzor. Ta kish ënda kur i vështroje të dy, Xhiren dhe Lirimin, si prindër e si gjyshër të ndjeshëm, sipër biçikletave, për të shkuar në shtëpinë e Andit, me mallin për nipin Juri; birin Andi dhe nusen e tij, me qëllim që të kontribuonin, për mirërritjen e nipit dhe për edukimin e tij për së mbari. Xhirja ishte një njeri i emancipuar, me edukatë të shëndoshë familjare dhe e kulturuar.
Ajo kish shoqëri të ngushtë, si me femra dhe me meshkuj. Shoqëria e saj ishte “elitë”! Vlerat e këtij lloji shoqërie ishin të shumta. Nga bisedat, analizat, përfundimet, shkëmbimi i informacionit, pse jo dhe nga thashethemi dashamirë, Xhirja jepte e merrte. Çfarëdo halli të kishte ai njeri, nuk e vështroje kurrë të ngrysur, por i qeshte nuri e të jepte kurajo, me buzagazin e saj, për të dalë nga çdo situatë e vështirë.
Në rrethin shoqëror të saj bënin pjesë njerëz me nivel të ngritur kulturor dhe me reputacion në shoqëri. Nuk thonë më kot: “Më thuaj me kë rri; të të them cili je?” Shoqëri të ngushtë Xhirja kishte me: Bashkim Bahollin; Adelina Mazrrekun; Dhurata Nishanin; Leni Millona; Violeta Librazhdi; Vace Zela; Nexhi Plaku (Skendaj); Marjeta Ngjela etj. Është interesant fakti që shoqërinë e gjimnazit dhe atë të fëmijërisë, Xhirja e ruante si gjë të shtrenjtë e “të shenjtë”, me fanatizëm e pastërti. Takimet herë pas here të shoqërisë së tyre ishin mjaft relaksuese dhe interesante. Edhe në moshë të rritur e të thyer, takimet mes tyre ruanin freskinë e viteve të rinisë, fryma e të cilës vinte, “e gjallë”, nëpërmjet rrëfimeve të protagonistëve. Edhe pse Xhirja njihej e zinte shoqëri të re, shoqet dhe shokët e kohës së adoleshencës së saj nuk i harronte.
Nuk bëhej fjalë për t’i braktisur ata. Një rastësi e këndshme, të cilën nuk mund ta lë pa e përmendur. Lirimi e ruan me fanatizëm shoqërinë e afërt të skënderbegasve të klasës dhe të paralelit. Të “shenjtë” Lirimi ka shoqërinë me Ahmet Zogun; me Fadil Nenajn; me Kristaq Citon; me Shyqyri Alushin; me Bashkim Kozelin; me Zenel Ballen e me të tjerë shokë të gjimnazit. Vini re çfarë vendi të veçantë zë tek Xhirja, shoqëria e shkollës së mesme dhe ajo e shtatëvjeçares. Them se kjo koincidencë nuk mund të jetë fare e rastësishme.
Një lidhje e një paralelizëm mund të ketë në këtë çështje. Në anët tona, besoj se e kanë nxjerrë nga përvoja e gjatë e jetës, të provuar brez pas brezi thënien: “Miqësia ngjan, pa bënet!” Tjetër emër e vjegë kësaj koincidence fatlume nuk mund t’i vesh...!
Jetëshkrimi
Haxhireja, të cilën ata që e njohën nga afër ishin mësuar ta thërrisnin thjesht Xhirja, ishte pinjolle e fisit të fismë Eshja të fshatit Petrelë, në rrethin e Tiranës. Ajo u lind në Tiranë, më 4 dhjetor të vitit 1941, nga dy prindër autoktonë - shqiptarë. Prindërit e saj ishin: znj. Sheqere dhe zoti Baki.
Ata, të dy, së bashku me familjet respektive, zbritën në Tiranë, në vitet ’30 të shekullit të shkuar. Bakiu ishte pinjoll i një trungu atdhetarësh, i pozicionuar kundër padrejtësive të kohës dhe Mbretit Zog të Parë. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashistët italianë, për shkak të bindjeve të tij atdhetare, Bakinë e eliminuan nga skena, kur Haxhireja ishte ende në barkun e nënës dhe znj. Sheqere kishte një djalë – Ramazanin, të cilin, çifti e vështronte në dritë të syrit e priste të shtohej.
Por, fati e deshi të ndahej nga jeta kryefamiljari e nëna Sheqere të mbetej grua e ve, në moshë të re, me dy fëmijë jetimë, njërin nga të cilët (Haxhiren) e kishte në gji.
Në këtë mënyrë nëna Sheqere ishte e detyruar ta përcillte e ta përballonte jetën e rëndë që pasoi duke kaluar nëpër fijen e perit nëpër kalvarin e vuajtjeve e të një jete të vështirë për të ushqyer, tashmë tri frymë, në kushtet kur nuk ishte kryetari i familjes. Ardhja në jetë e Haxhires, e cila nuk e pati fatin ta njihte babanë, nuk e dëshpëroi nënë Sheqeren, e cila ishte rritur në një mjedis tejet fanatik e mashkullor-fshatar të atyre viteve. Ajo gjykoi thjesht, por saktë se vajzën që solli në jetë, vërtet që do ta rriste me vështirësi, por do ta kishte pas vetes, sikurse u bë në fakt: bijë; shoqe; motër dhe në vend të nënës.
Xhirja u rrit nëpër vështirësitë që solli koha e luftës kur ishte e vështirë të gjeje punë në kryeqytet; çmimet ishin të ngritura dhe pasiguria në rrugët e Tiranës, e shtuar. Ndarja nga jeta e babait të Xhires, pasoi me pakësimin e krahëve të punës në familje dhe me shtimin e barrës e të halleve për znj. Sheqere. Ajo, tashmë, me punë të rëndë e të rëndomtë, duke punuar nëpër dyert e të kamurve, për të përftuar një pagë mjerane, duhet të ushqente tri gojë. Por, edhe pse i rriti fëmijët në skamje e në ngushtësi ekonomike, nënë Sheqerja, si grua e traditës së shëndoshë shqiptare, i mëkoi ata të ishin krenarë dhe, pavarësisht vështirësive të jetës, të bëheshin të zotët e vetes dhe të çanin vetë në jetë e të bëheshin dikush.
Mësimet fillestare dhe ato të shkollës unike, Haxhireja i përcolli në shkollën “Hasan Vogli” (Dëshmor i Atdheut), e cila ndodhej pranë shtëpisë së tyre. Së bashku me vëllanë, Ramazanin (Xanin), i cili ishte më i rritur në moshë, të dy shkonin e vinin në shkollë, me krenarinë e një fëmije që është i përparuar në mësime e nuk pret të kopjojë nga të tjerët, detyrat e shtëpisë dhe si pinjollë të një familjeje, modeste, e cila nuk i kishte borxh askujt. Pas përfundimit të mësimeve të shkollës unike (shtatëvjeçare), të cilën ajo e përfundoi me rezultate të “shkëlqyera”, Xhirja pati shansin të kryente shkollën e mesme në gjimnazin “elitë” të Tiranës e të Shqipërisë, në atë kohë, siç ishte ai “Qemal Stafa”.
Në të katër vitet e gjimnazit, Xhirja e ruajti trendin e të qenit “e shquar” në mësime dhe veprimtare e dalluar. Në vitet e adoleshencës, kur ishte gjimnaziste, vajza tironse hodhi shtat e u zhvillua fizikisht, në shkollë mësoi më shumë për jetën dhe për botën duke u bërë një vajzë kryeqytetase e emancipuar. Gjimnazi “Qemal Stafa”, asokohe qëndronte në ballë të shkollave të mesme të vendit dhe u mësonte nxënësve dije të plota dhe i përgatiste për të përballuar jetën, sido që të vinte. E përparuar në mësime, me edukatë të shëndoshë e me kulturën që përvetësoi, Xhirja, në atë kohë shfaqi dhe një prirje të veçantë; ajo u ushtrua suksesshëm në atletikën e lehtë, në vrapimet e shpejtësisë, nën drejtimin e të madhit Rexhep Rama qysh se ishte fëmijë, por që, për fat të keq, nuk e vazhdoi.
Në garat e vrapimit, për moshën, ajo, duke u stërvitur me vullnet e këmbëngulje, shfrytëzoi mundësitë dhe u shpall kampione e vendit, në disiplina të veçanta.
Në vitin 1962, bazuar në treguesit cilësorë në mësime, nga shkolla shtatëvjeçare, dhe në të katër vitet e gjimnazit si dhe në provimet e maturës, me zotësi, Xhirja fitoi të drejtën për të vijuar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Tiranës. E donte shumë mjekësinë Xhirja dhe e shfrytëzoi shansin që iu dha, për ta shfrytëzuar, me bereqet, kohën pesëvjeçare të përcjelljes së studimeve duke u futur në labirintet e shumta të kësaj shkence. Shoqe kursi, në vitet e Fakultetit të Mjekësisë, Xhirja kishte: Marjeta Ngjelën (ndjesë pastë), e cila ishte njëra nga vajzat “bravo” të Tiranës së atyre viteve, të cilën e kishte pasur dhe shoqe shkolle në Gjimnazin “Qemal Stafa”.
Në vitet kur Xhirja kreu studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, ajo nuk mësoi vetëm shkencën që dëshironte shumë, atë të mjekësisë, por zgjeroi horizontin e u kulturua dhe fitoi dije të domosdoshme, më të sakta, për natyrën dhe për jetën në tërësi. Tashmë vajza e drojtur tiranase ishte rritur e kalitur dhe ishte shndërruar në një zonjushë me hire vajzërie e me kokën plot. E kompletuar me njohuri dhe me kompetencë shkencore duke disponuar dhe një diplomë, ku sintetizohej përfundimi i studimit në mjekësinë e përgjithshme, Xhirja, së bashku me katër shoqe si ajo, u emërua në detyrën e mjekut të përgjithshëm, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë. Shoqe të saj në këtë emërim ishin: Mejte Bogdani; Violetë Ristani; Tatjana Milo dhe vetë Haxhireja. Të katra mjeket e reja, i caktuan në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, në reparte e në specialitete të ndryshme. Xhirja, tashmë mjeke e përgjithshme, ishte e kompletuar, e pjekur, e kulturuar dhe e emancipuar.
Pas disa kohësh, të katër shoqet u veshën ushtarake e u titulluan oficere. Ishin vajzat e para oficere të Ushtrisë Popullore. Xhirja, tashmë mjeke, meqenëse kish ushtruar sportin e atletikës, u caktua të kujdesej për sportistet e reja. Ajo ishte tashmë në terrenin e saj dhe i shkonte fjala dhe veprimet e saj ishin me kompetencë e me njohuri shkencore. Kontributi i Xhires në këtë lëmë ishte me shumë vlerë dhe shërbimi që ajo i bëri çështjes la gjurmë. Një angazhim të veçantë pati dr. Haxhire Eshja me vajzat ushtarake që u përgatitën e u hodhën me parashutë, nga aeroplani i lehtë i transportit An-2.
Në vitet ’60 të shekullit që përcollëm, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak u ndie nevoja e kompletimit me të gjitha specialitetet. Në këtë institucion mjekësor, nuk kishte repart të fizioterapisë; as mjek të specializuar, posaçërisht në këtë specialitet. U gjykua e domosdoshme të dërgohej një mjek i ri (mjeke e re), në Republikën Popullore të Kinës, ku shërbimi i fizioterapisë ishte i zhvilluar, për të mësuar nga përvoja e tyre, të cilën do ta sillte në vendin tonë. Nga radhët e mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak u përzgjodh dr. Haxhire Eshja, e cila, në vitet 1971-1972, u specializua në Pekin, në specialitetin e fizioterapisë.
Ajo, duke e njohur gjendjen në mjekësinë tonë dhe faktin që ky specialitet nuk njihej e nuk ishte i zhvilluar, u fut në detajet e specialitetit të ri dhe, me t’u kthyer në Shqipëri, çeli, për herë të parë repartin (shërbimin) e fizioterapisë, si pavijon më vete, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak. Kompetenca shkencore që zotëronte dhe specializimi, 2 vjet në Kinë, së bashku me aparaturat që erdhën posaçërisht, garantuan një shërbim të cilësisë së lartë në këtë specialitet, ku roli primar ishte aftësia dhe përkushtimi i Xhires. Në këtë mënyrë, mjekja Haxhire Eshja, jo vetëm që nuk i shpërdoroi të dyja vitet e specializimit në Kinë, por, me t’u kthyer në Atdhe, ajo, iu përfill punës, me këmbënguljen e njohur të saj, për ta vënë mbi binarë të sigurt, shërbimin e munguar të fizioterapisë dhe njohuritë e marra, ashtu si diplomën e specializantit, nuk i mbajti si stoli, por i vuri efektivisht në shërbim të pacientëve të shumtë, të cilët paraqitnin “uri”, për këtë specialitet.
Pas kthimit nga specializimi në Kinë, dr. Xhirja, sipas kritereve të kohës, kërkoi të futej në radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe si intelektuale e mirëfilltë, organizata bazë e Partisë dhe organet më të larta e caktuan të bënte stazhin e Kandidatit për anëtar Partie (tre vjet), në bazë, në Repartin 5818, në Laprakë, i cili ishte repart aviacioni.
Pikërisht gjatë kësaj kohe, pata fatin e mirë ta njihja nga afër e në mënyrë të drejtpërdrejtë personalitetin e dr. Xhires, në të gjitha dimensionet. Mbresa të pashlyera më ka lënë përkushtimi i saj në detyrë. Nga tiparet më të qenësishme të saj, mund të veçoj: seriozitetin; ndershmërinë, në kuptimin e plotë të kësaj fjale; drejtësinë e të gjykuarit dhe dashamirësinë, pa kufi. Mund të pohoj me tërë fuqinë e shpirtit se dr. Haxhire Eshja ishte “partizane” e së vërtetës dhe ishte tepër këmbëngulëse, deri në kokëfortësi për të shkuar, me guxim drejt saj. Ajo nuk bënte lëshime, si në detyrë dhe në jetën e përditshme. As diferencimet dhe hatëret, ajo grua e rrallë nuk i njihte e nuk i pranonte.
Kam ndjekur, për shkak të detyrës, punën e saj me pilotët si doktoreshë e tyre. Dr. Xhirja e kishte bindje të formuar, jo të imponuar, rrezikshmërinë dhe delikatesën që paraqet profesioni i nderuar i pilotit dhe i teknikut fluturues, për mbarëvajtjen e stërvitjes ajrore; prandaj nuk bëhej fjalë për lëshime kur gjykohej për gjendjen shëndetësore të tyre. Po ta gjente fluturuesin me parametra shëndetësorë tej normave të lejuara për fluturim, dr. Xhirja nuk firmoste dhe nuk gjendej njeri në botë që ta kthente Xhiren nga vendimi i marrë. Sidomos, “armiqësi” patologjike kishte dr. Xhirja ndaj servilizmit, të cilit nuk donte t’i dëgjonte as emrin. Të vendosje për të ndërhyrë tek dr. Xhirja që ajo të bënte ndonjë lëshim, në drejtim të lejimit për të fluturuar, jashtë normave e rregullave, duhet të mateshe mirë dhe të bëje llogari se do të ndesheshe me një mur betoni të pathyeshëm.
Ndryshe ishte puna kur një hallexhi ndodhej në kushtet e mbijetesës apo kur i drejtohej asaj për ta ndihmuar në lëmën e shëndetit. Ajo angazhohej seriozisht e pa rezerva për të ndihmuar njeriun në nevojë dhe bëhej copë e çikë, duke hedhur në lojë gjithë aftësitë e saj dhe njohjet që kish, në sektorin e saj, si në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak dhe jashtë tij duke vënë në lëvizje njohjet e shumta që kish dhe personalitetin e veçantë të saj, si mjeke e si femër e respektuar, në rrethet shoqërore. E them me bindje se është e vështirë të gjesh një të dytë, si Xhirja, e cila të qepej e nuk të ndahej pa ta zgjidhur problemin. Të predispozuar për të ndihmuar tjetrin, në mjekësi ka shumë, se vetë profesioni i mjekut është humanitar, por përkushtimi dhe dashamirësia e dr. Xhires ishin aq të veçanta saqë pacienti, apo nevojtari, ndihej shumë i lehtësuar e i privilegjuar për mjedisin që kishte gjetur, kur e ndihmonte dr. Xhirja.
Në vitin 1974, kur ishte duke kryer stazhin e Kandidatit për anëtar Partie, në repartin e aviacionit, në Tiranë (Laprakë), dr. Xhirja u njoh, u dashurua dhe lidhi martesë me oficerin specialist të “elitës” në lëmën e radiopajisjeve të aeroplanit; me njeriun e mirë – Lirim Arshi Kananaj (Velaj). Lirimi është me origjinë nga fshati Sevaster i rrethit të Vlorës; ai rrjedh nga një familje atdhetarësh të spikatur dhe vetë ka kontribuar denjësisht e me kompetencë për mbajtjen e gatishmërisë luftarake të repartit ku ka shërbyer për shumë vjet. Lirimi nuk shquhet vetëm si kuadër ushtarak e specialist duarartë, por është dhe me horizont e me kulturë, i edukuar e i sjellshëm, me shpirt të mirë e me sjellje për t’u marrë shembull, në çdo drejtim. Tiparet e njëjta i shtynë dy kuadrot ushtarakë drejt njëri-tjetrit në një lidhje tejet njerëzore.
Ata, duke pranuar njëri-tjetrin, formuan një çerdhe të shëndoshë familjare, e cila, për nga vlerat që paraqiste, u bë shpejt e njohur dhe e respektuar, kudo, në rrethet shoqërore dhe në ato familjare dhe merrej si model i mirë. Lidhja e shëndoshë dhe marrëdhëniet e çiltra të ndërsjellta mes Xhires dhe Lirimit u bënë aq mbresëlënëse, sa shumëkush i vështronte me zili. Tek Lirimi, Xhirja gjeti një shok jete, besnik, me kulturë, me edukatë e me zemër të madhe, si vetë ajo.
Ata, të dy, Xhirja dhe Lirimi, ngjanin si të ishin dy pëllumba, në të njëjtin kafaz. Nuk mund të lë pa përmendur një dialog, të shkurtër që zhvillova me parashutistin e klasit të parë - Fadil Nenaj (Braho), shok të afërt të Lirimit. “E takoja kur dilte me shoqet, nga kodrat e liqenit artificial të Tiranës, – më tha Fadili. – E ndalova e i thashë: ‘Xhire, ma vështro një çikë Lirimin, se është i pamundur dhe e kam vëlla!’
Ajo, pa u menduar, u përgjigj: ‘Mos u merakos për Liron se e kam merak vetë; ti kufizoje pak kohën e punës, se po rropatesh!’” Nga martesa mes tyre erdhi në jetë i vetmi pinjoll i kësaj familjeje - Andi, i cili u rrethua e u rrit mes gjithë të mirave, ku vendin e parë e zuri edukimi i shëndoshë, shkollimi dhe kompletimi me të gjitha elementet e nevojshme për një pinjoll që rridhte nga ata dy prindër të denjë e të formuar siç i takon prejardhjes së tij nga të dyja polet. Andi, përveç që i ka nderuar e i nderon prindërit që e sollën në jetë dhe e edukuan për së mbari, i lumturoi ata, duke i bërë gjyshër të nderuar.
Kapitull më vete e raport tejet interesant, është ai që u vendos midis Xhires dhe Lirimit nga njëra anë dhe Jurit të vogël në anën tjetër. Dashuria, kujdesi dhe meraku i çiftit të gjyshërve të Jurit, për ta parë djalin e djalit të rritej më shpejt se koha e të bëhej siç e donin ata, ia vlen të shkruhet më vete dhe gjatë.
Një raport të rrallë e tepër interesant gjejmë në marrëdhëniet e Lirimit dhe të znj. Haxhire Eshja me nënën e Xhires - znj. Sheqere dhe me vëllanë e saj të vetëm – Ramazanin. Familja e tyre (familja Eshja), pas martesës së Xhires, mbeti e vogël; me dy pjesëtarë: me nënën dhe vëlla Xanin. U arrit në konsensus, bashkimi i të dyja familjeve, nën një strehë, dhe, së bashku me Andin, u bënë pesë vetë.
Në marrëdhëniet mes dhëndrit dhe vjehrrës dhe në ato mes dy kunetërve, ndonëse jetonin nën të njëjtën çati dhe vinin nga treva jo të ngjashme për nga psikologjia dhe mentaliteti, sado të rrëmosh, është e vështirë të ndeshësh në ndonjë të çarë. Aq mirë u përshtatën njerëzit e mirë me të mirat e njëri-tjetrit. Ky është një tjetër argument që dëshmon për shpirtin e madh e të pastër dhe për mirësinë që mblon brenda tij Lirim Kanani (Velaj), i cili, si lab i mirëfilltë, në dukje shfaqet disi i ashpër e jotolerant, por në fakt, është, siç thonë në trevat tona: “shpirt njeriu”.
Jeta ka ligjet e saj dhe përjetë nuk e ka mundësinë të jetojë asnjëri. Në moshën e tretë, kur çifti kaloi së bashku mbi 40 vjet e si të thuash gjërat vajtën në vendin që u takonte, dr. Xhirja, ajo grua e fortë, e pamposhtur e krenare, u përkul përpara një sëmundjeje të gjatë e të rëndë. Lirimi, si njeri vlerashumë, i shërbeu në mënyrë të përkryer, ose siç më tha një mik imi: Lirimi harroi veten, përpara gjendjes së pamundur të dr. Xhires.
Në mesnatën e 2 majit të vitit 2020, Haxhire Eshja, në duart e të birit, ndërroi jetë. Më në fund, dua të them dy fjalë për këtë rast tragjik, por jetësor: njeriut, i cili kishte një zemër e një shpirt human, asaj gruaje flakërimë, e cila nuk kursente as jetën e saj për t’iu gjendur pranë çdo njeriu që vuante, ndoshta nuk i takonte ta mbyllte jetën në këtë kohë pandemie, kur, fizikisht nuk mund t’i vinte në ndihmë asnjëri. Cili njeri nuk do të donte të ndahej nga ai “engjëll” tjetërsoj: të paktën duke i hedhur një dorë dhe mbi varr? Bukur e ka thënë populli ynë poet se: “Fatkeqësia që në djep, urtësi, mençuri dhe mirësi të jep...”!
I paharruar qoftë kujtimi i saj i ndritur! E pastë të lehtë dheun e tokës Nënë!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj – shok e gjiton i doktoreshës Haxhire! Në Tiranë, më 5 maj 2020.
Opinion nga Nexhi Plaku - shoqe e dr. Haxhires:
“Për miken time Haxhirenë u mërzita shumë. Mërzisë sime iu shtua dhe pamundësia për të të përcjellë e për të të përshëndetur, edhe në distancë, në çastin kur ‘dole’ nga shtëpia jote e dashur. Xhire! Do të mbetesh në kujtesën time si njëra nga përfaqësueset e grave intelektuale tiranase që kam njohur në jetën time.
Në vlerësimin tim, Ju ishit një grua dinjitoze e me personalitet të lartë. Një tiranase e rehatshme dhe e këndshme në biseda. Argumentuese dhe me dije e aftësi dije të zbërtheje mirë si anët e mira dhe ato të errëta të personalitetit të një njeriu, çka e bënte tepër interesante bisedën dhe t’i rriste vlerat.
Mikja ime e mirë Xhire! Sinqerisht të them se më krijove boshllëk të madh, nga koha kur ndiheshe e pamundur e nuk mund të dilje, me shoqet. Më mungon shumë, e dashur Xhire! Rrallimi i takimeve tona më dha mundësinë ta ndieja boshllëkun tënd.
Andi, për mua do të mbetet përherë i dashur e i respektuar, sepse ai ishte jeta jote dhe një mik i mirë imi. Do ta kem si një medalion kujtimi, të personalitetit tënd të rrallë!
Muaji maj i këtij viti, të bashkoi me të voglën tënde, të cilën nuk e harrove asnjëherë pa e përmendur me lot në sy!
Sinqerisht, vlerësoj burrërinë tënde dhe karakterin e fortë që kishe. E desha fort Haxhirenë! Për mua, ajo ishte një vlerë!
U prehsh në paqe, mikja ime e mirë!”
Shoqja jote Nexhi Plaku – në Tiranë, më 15 maj 2020



Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.