Nexhipi i Shenajve – piloti “ brilant”, i cili nuk dëshiron të shkruhet për Të

Ky shkrim nuk ngjan me të tjerët. Ai i përkushtohet  një njeriu e piloti nga më të mirët e Aviacionit Shqiptar,  me kontribute vlerashumë,  si në jetën vetjake e në atë familjare dhe në punën e pilotit kolaudator të Uzinës të Aviacionit dhe si pilot cilësor e jetëgjatë. Shkrimi është plotësisht i merituar, madje kam mendimin se duhej shkruar më parë e më në detaje,  për këtë “ bletë punëtore ”,  të cilit,  nëse nuk i është dëgjuar zëri e nuk ka bërë telendi,  për “bëmat ” e tij të shumta,  nuk ka ngurruar të flasë puna që ka bërë e “ shkëlqimi ” që i ka dhënë veprimtarisë e jetës së Tij shumëvjeçare. Siç duket, modestia e Tij e tepruar dhe droja se mos ngjante sikur shiste mend, kanë qënë “barriera ” imagjinare,  të cilat i kanë vënë  përgjithësimit të veprimtarisë të Tij, “Kollodka të forta ”,  nën rrota. Mirëpo emira është e mirë e sado të përpiqet cmira dhe xhelozia ta errësojnë,  ajo ka emrin që i përket e duhet thirrur në atë emër,  se tjetër emër nuk i shkon.

Në këtë rast kemi të bëjmë me dy anë kontradiktore por jo të pazgjidhshme, qoftë dhe nëpërmjet kompromisit të arritur,  jo pa vështirësi.  Në njërën anë,  vendosmërisht qendron “ heroi ” i rrëfimit, Nexhipi,  i cili,  në disa takime që bëmë,  si shokë të një rrace,  kundërshtoi,  madje prerë,  të shkruhet për Të.  Opinioni i tij,  për këtë rast nuk qëndron,  mbasi ata që e njohin Nexhipin,  dhe nuk janë të paktë;  kanë tjetër mendim për Të e nuk mund të ndikohen nga mjedisi aktual ku jetojnë.  Nuk e teproj po të shkruaj se,  në të gjithë rastet që jam takuar me Nexhipin,  jo vetëm që më ka kundërshtuar vendosmërisht, në vend që të më ndihmonte me të dhëna,  por më ka vënë dhe në “ be ”.  Në anën tjetër të “ barrikadës ”,  si njohës vetjak e i së njëjtës rracë ( bëhet fjalë për racën e aviacionistëve), qëndron,  me kokëfortësi të njohur e me vendosmëri për të shkruar për atë që e meriton dhe ma pranon ndërgjegja ime,  pa ekuivok.

Nexhip Shena

Do të shkruaj,  madje me shumë dëshirë,  për të përjetësuar,  jo një njeri e pilot dosido,  por për një kokëplotë,  të zgjuar,  trim e të vendosur,  shqetësimi i vetëm i të cilit është,  të mos mendojnë shokët se Nexhipi po “ shet mend ”,  e se na paska “ vrarë ariun ”!  Kam çfarë të shkruaj për talentin,  të mirin,  të urtin,  njeriun që nuk tundet e shkundet me bëmat e tij që flasin hapët se me kë kemi të bëjmë.  Nexhipi, kam bindje të patundur e shpresoj të mos jem i vetëm në këtë opinion,  e ka bërë namin,  me punë e me sjellje,  por,  ajo që i ka munguar,  ka qënë,  mosreklamimi i punës së tij e cila,  në një gjuhë më të thjeshtë mund të shprehet se,  Nexhip Shena  nuk ka bërë telendinë.  Si ajo pula,  e cila,  kur bën një vezë bërtet sa të dëgjojë e gjithë mëhalla.

 Bëra si bëra,  me kurajo,  vendosa ti shkoj nismës,  deri në fund.  Ia nisa me grumbullimin e të dhënave. Njohja vetjake,  nuk më plotësonte;  as thëniet e shokëve.  Iu referova Historikut të fshatit Prongji të rrethit të Gjirokastrës,  ku Ai është lindur e është rritur,  dosjeve personale të kuadrit e të Anëtarit të PPSh, dhe të dhënave të tjera gojore,  të cilat,   i çmoj si të domosdoshme,  por i marr me një farë rezerve.  Mbasi “kompletova ” të dhënat ( të cilat më duken të plota e të mjaftueshme për punën që do të bëj),  nisa të shkruaj.

E theksoj edhe nje herë, mbasi Nexhipi, në çdo rast e në çdo takim, mbasi pikasi qëllimin tim, më porositi: ( dhe këtë e çmoj si komptromis mes kundërshtish), ta shkruaj që në hyrje të shkrimit se Ai , nuk është dakort të shkruhet , për Të. Mirëpo jeta na ka mësuar se : “ Kur të duan , s’ke çfarë të bësh”; ashtu si nuk e ndreq dot opinionin e keq që ke lënë…” si disa që kanë nisur të shkruajnë për vete…!

Në opinionin tim, Nexhip Shena është një “ Ikonë” e Aviacionit tonë,  me të cilin krenohemi,  me të drejtë,  teksa Xhipja,  kur vjen radha e Tij,  hesht për atë që ka bërë.

Jetëshkrimi:

 Nexhipi u lind në fshatin Prongji të rrethit të Gjirokastrës,  më 01.01.1949.  Në regjistrat e gjendjes civile,  Nexhipi figuron një vit më i madh,  por,  kjo nuk besoj të prishë ndonjë punë.  Origjina e largët e Nexhipit,  të paktën prej 200 vitesh rezulton të jetë nga fshati Progonat i rrethit të Tepelenës. Shtatë familje progonatase, “ranë” njëherazi në Prongji të Gjirokastrës,  për shkaqe jo aq të qartë. Tendenca për një jetë më të mirë,  ma do mendja se ka qenë njëri nga faktorët përcaktues që ka bërë të “shtegtonin” shenajt e Progonatit. Nënë Nekija dhe Baba  Hyseni ishin autoktonë. Duhet theksuar se Nënë Nekija rridhte nga fisi i Skëndajve të Progonatit; mbiemër që evoluoi nga koha në kohë.

Nga lidhja martesore e Nënë Rukijes me Baba Hysenin,  erdhën në jetë, një vatër me fëmijë; njëri më i mirë se tjetri. I madhi i pesë fëmijëve ishte Islami. Pas tij erdhi në jetë motra Merushe,  e cila e hoqi këmbën zvarrë dhe bëri të vinte në jetë,  pas saj,  një vajzë tjetër –  Dituria.  Nexhipi mbajti radhën e fëmijëve të çiftit, i katërti dhe,  si për ta mbyllur atë llogari,  i fundit,  erdhi në jetë – Eqeremi. Të dy prindërit e Nexhipit,  ishin mjaft punëdashës. Njëri nga vëllezërit e Hysenit,  u nda nga jeta në moshë të re.  Ai la pas 3 djem,  të cilët u mbështetën tek xhaxhai i tyre,  i cili i rriti e i edukoi sikur dhe fëmijët e tij. Fati i ngarkoi Hysenit të kujdesej për tri familje,  mision të cilin e kreu më së miri.

Trungu i Shenajve të Prongjisë,  ka meritën e madhe të ruajtjes dhe ecjes në traditën e paraardhësve të tij duke ndjekur udhën e atdhetarisë e të tipareve kurveleshase.  Gjyshi,  babai dhe njëri nga xhaxhallarët e Nexhipit,  luftuan,  me armë në dorë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë,  në Luftën e Vlorës, e cila,  u zhvillua në muajin gusht të vitit 1920.

Ardhja në Prongji e Shenajve,  nuk kaloi pa peripecitë e kohës, kur kërkohej shumë mund e sakrifica. Babai i Nexhipit; Hyseni,  me shumë punë e sakrifica ngriti një ekonomi bujqësore  të kompletuar,  e cila përballoi,  suksesshëm “tallazet ” e kohës.  Shtëpia e tyre,  në Prongji,  ishte dykatëshe,  me shkallë guri, nga jashtë.  Ajo ishte me çati të mbuluar me plloça guri,  pa tavan,  me trarë të fortë,  nëpër të cilët vareshin kalisherë,  me misër kalli,  me qepë etj.  Në dy katonj të asaj shtëpie,  mbarështoheshin:  Lopa;  mushka;  një ka parmende ( tjetrin e merrte borxh,  nga gjitoni, dhe bënte pendën e qeve  për të punuar arat).  Gjitonë të Hysenit,  në Prongji,  ishin katër familje nga Progonati,  me origjinë të largët dhe tezja e Nexhipit.  Hyseni,  mbante një tufë me 15 dhen e po aq dhi,  të cilave,  më bukur u shkon fjala e moçme – bravare.

Sipas traditës popullore,  në truallin rreth shtëpisë dhe në ledhet e arave,  xha Hyseni,  me mënçuri e me djersë  kishte shfrytëzuar mundësitë për të mbjellë pemë frutore,  si rrush në hereke e në pjergulla;  fiq, dardhë,  kumbulla,  mana,  qershi,  shegë e ftonj;  arra e bajame etj.  Qëllimi kryesor i këtij veprimi dinjitoz,  ishte që fëmijët të kishin ku ta ndërnin dorën e të mos vështronin nga malli i tjetrit.

Shenajt nga Progonati që “ u varën ” në Prongji si dhe progonatasit e tjerë,  kanë vlera të padiskutueshme e të patjetërsueshme,  për faktin se ruajtën traditën;  zakonet;  doket;  tiparert e karakterit burrëror të të parëve të tyre dhe të trevës nga erdhën.  Nuk është thjeshtë një vazhdimësi në udhën e traditës të mirë,  rëndësi  të pallogaritshme merr fakti që brezave që vijnë,  u mësohen traditat e atyre që ikën.

Nexhipi,  kur u mëkëmb e nisi të shkollohet në shkollën fillore të Prongjisë,  si djalë i mbarë,  i zgjuar e i shkathët dhe me shpirt të mirë,  në ditët e pushimit dhe mbasditeve,  mbasi kishte përgatitur mësimet e ditës së nesërme,  shprehte dëshirën e mirë për t’u ardhur sadopak në ndihmë prindërve,  tek i vështronte të rropateshin tërë ditën.  Ai ndihmonte duke ruajtur bravaret dhe në punë që mund ti kryente,  mosha dhe fiziku i tij i brishtë.

Pas përfundimit të shkollës shtatëvjeçare,  në fshatin e lindjes,  në muajin shtator të vitit 1963,  Nexhip Shena trokiti në dyert e Shkollës të Mesme Ushtarake “ Skënderbej ”,  në Tiranë.  Djali progonatas në origjinë,  i ardhur nga fshati Prongji,  i rrethit të Gjirokastrës,  me ardhjen në Tiranë,  përjetoi dy gëzime,  në atë shtator fatlum: Ai shkeli,  për herë të parë në Metropolin  evendit tonë ku gëlonte  një jetë e ndryshme nga ajo që la në Prongji dhe se do të mësonte në një gjimnaz  “ Elitë ”,  i cili ishte më i miri i kohës,  për nga kushtet e jetesës dhe nga mësimdhënia.  Atëherë,  në Shkollën e Mesme Ushtarake  “Skënderbej ”,  drejtonin lëndë,  të cilat ndikuan fuqishëm në formimin e përgjithshëm të Nexhipit,  mësues të kualifikuar  e me emër,  jo vetëm në shkollat e mesme të Tiranës.

Arritje me vlerë ishte nënshtrimi i disiplinës ushtarake dhe i jetës në  komunitet,  me norma  të përcaktuara qartë në rregulloret përkatëse.  Uniformën ushtarake të Begsit ( skënderbegasit ),  Nexhipi e donte dhe e çmonte shumë;  ajo i rrinte plot hijeshi në atë shtat të lartë dhe elegant.  Në shkollë,  Nexhip Shena shquhej për tregues  pozitivë në mësime,  ku vlerësohej me nota të ballëve të ndryshëm,  ku gjëje 7 – ta;  8 – ta;  9 – ta dhe 10 – ta.  Lëndët e tij të preferuara ishin:  Kimia dhe Letërsia. Gjimnastikën e ushtronte me dëshirë e shquhej mes shokëve për elegancë e  për guxim.  Shokë klase,  në Shkollën “ Skënderbej ”,  Nexhipi kish:  Nevzat Bozhanaj,  nga Dukati;  Jonuz Trimin,  nga Shëngjergji;  Filip Rrumbullakun etj.

Kur ishte në vitin e katërt të Shkollës “ Skënderbej ”, në mjediset e shkollës erdhi mjeku specialist i aviacionit –  Lulzim Bilbili ( ndjesë pastë ). Luli i vrojtonte skenderbegasit,  një nga një dhe gjatë gjithë ditës;  deri në thirrjen e mbrëmjes.  Qëllimi i tij ishte përzgjedhja e djemve të përshtatshëm për ti dërguar në Shkollën e Aviacionit,  në Vlorë,  në mënyrë që ata të mësonin pilotimin.  Luli ishte vrojtues i mirë e përcaktues kompetent për të pikasur e për të çmuar tek kandidaturat e mundëshme tiparet e domosdoshme të pilotit të ardhshëm.

Nexhipi,  asqë e kish idenë e aviacionit e nuk e kish parë ndonjëherë Lulzim Bilbilin.  Ai, ia nguli sytë doktorrit e nuk ia ndau për një kohë të gjatë,  gjë që i la mbresa mjekut specialist të aviacionit.  Papritur,  doktorr Luli iu drejtua Nexhipit me fjalët: “ A do të të përzgjedh ”?  Për ku,  gjegji djaloshi nga Prongjia?  “Për t’u bërë pilot ”- tha Luli!  “ E po,  mirë,  merrmë shprehu dëshirën Nexhipi,  të cilit,  më parë asqë i kish shkuar në mendje të bëhej pilot.

Mbasi u përzgjodh si kandidaturë,  Nexhipi dhe bashkëmoshatarët e tij të të njëjtit status,  iu nënshtruan këqyrjeve dhe analizave mjekësore,  në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak,  në Tiranë,  të cilat vijuan për 3 – 4 muaj.  Në përfundim të këtij “kalvari ”,  Neexhip Shena u deklarua i aftë për të nisur udhën e aeronautikës,  në profesionin e pilotit.  Njoftimi ishte fatlum dhe solli gëzim  si tek “ heroi ” ynë dhe tek familjarët e tij.  Nexhipi,  si tip i rezervuar që nuk i shfaqte lehtë emocionet,  e priti lajmin e mirë, ngrohtë e me  sportivitet.

Në Shkollën e Aviacionit,  Nexhipi,  zuri shokë të tjerë.  Disa të ardhur nga Shkolla e Mesme Ushtarake  “Skënderbej ” e të tjerë mbasi kishin përfunduar mësimet në shkolla të mesme civile të vendit.  Të gjithë djem azganë,  si Nexhipi ynë,  të përzgjedhur,  si nga  fiziku dhe  nga ana psikike,  të cilët kishin ardhur me dëshirë për ti hyrë shkencës të fluturimeve.  Kushtet e jetesës  e ato për të studiuar,  në Shkollën e Aviacionit,  në ata vite ishin të konsoliduar;  petagogët,  stafi drejtues i Shkollës dhe instruktorët e teknikës së pilotimit kishin fituar përvojë me vlerë e ishin të kualifikuar.  Në shoqërinë e re,  Nexhipi u ndie mirë e u ingranua shpejt.  Proçesi mësimor në katedra,  për Nexhipin,  si student i përparuar ishte përsëritje në një shkallë më të ngjitur i programit teorik që Ai kishte përcjellë në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej ”.  Dita – ditës,  në mësime e në komunitet u shfaqën vlerat e tij intelektuale  dhe spikati zgjuarsia natyrale.  Në proçesin e mësimit të fluturimit,  i cili,  pasoi përfundimin e proçesit teorik në katedra,  u vunë në provë aftësitë e tij të veçanta,  të cilat kishin zënë fill në karakter e ishin rritur,  tok me të,  që nga fëmijëria,  kur ishte në gjirin e familjes.  Edukata e shëndoshë familjare dhe qytetaria,  tiparet luftarake që u shtuan në Shkollën “ Skënderbej ” dhe ndikimi i komunitetit të shëndoshë që e rrethoi nuk vonuan ta thonë , me forcë fjalën.

Kur Xhipja nisi të mësonte shprehitë e para të fluturimit,  në aeroplanin e lehtë mësimor,  me helikë të tipit ’61 ( variant kinez i avionit Jak-18A ), siç janë:  Veshja e parashutës,  ngjitja në aeroplan dhe sistemimi i përshtatshëm në ndenjësen e pilotit,  rregullimi i lartësisë në kabinë,  sipas shtatit,  lidhjen e rripave,  provën e frenave,  lëshimin dhe provën e motorrit,  ecjen nëpër tokë,  daljen në brezin e ngritjes dhe përgatitjen për ngritje etj. etj.  Nexhipit iu shtua dëshira për të eksploruar gjëra të reja,  të cilat nuk i njihte më parë.  Në grupin e ngushtë të fluturimit ( me një instruktor të teknikës së pilotimit ),  Nexhipi kishte djemtë: Shaban Dushku;  Bashkim Serjani e Irfan Rabo. Instruktor të teknikës së pilotimit,  Nexhipi kishte  –  të mirin,  mendjemprehtin,  specialistin e formësuar të fluturimeve,  metodistin  e saktë e hokatar,  Delo Seraj.  Një vit,  Nexhipi fluturoi në aeroplanët me helikë dhe dy vjet të tjerë,  në ata reaktivë  të tipit Mig-15.  Me të njëjtin instruktor të teknikës së pilotimit –  Delon e Serajve të Bratit.  Si metodë pune,  kjo ishte e studiuar dhe mjaft e gjetur.  Instruktori i teknikës së pilotimit,  i cili i mësoi studentit për pilot elementët fillestarë të fluturimit dhe që përcolli në vazhdimësi e hap pas hapi ecurinë e tij,  zotëronte informacion të plotë për studentin e nuk kish nevojë të pyeste dikë tjetër.

Në çështjen e të nxënit të shkencës aeronautike,  në veçanti kur bëhet fjalë për të fluturuar kemi një raport kyç.  Ky raport ka të bëjë me lidhjet e ngushta mes instruktorit të teknikës së pilotimit dhe studentit që do të bëhet pilot.  Kur instruktori i rrëfen studentit,  me saktësi çdo element dhe vetë studenti përthith,  me dëshirë,  ato që i rrëfen instruktori i tij;  suksesi është i garantuar. Instruktor Delua dhe student Nexhipi,  i zotëronin këto tipare të domosdoshme.

Programin e fluturimeve në aeroplanin fillestar Tip –  61,  Nexhipi e përvetësoi shpejt e duke përcjellë një nga një elementët e fluturimit,  me cilësi e me qendrueshmëri.  Po të themi se provimin përfundimtar në fluturim,   Nexhipi e përcolli,  i kontrolluar nga Komandanti i Skuadriles Naum Todo,  i njohur si dorështrënguar,  në vlerësim i cili  i dha notën më të lartë = 5 gjë që do të thotë 50,  për ata që e kanë njohur Todon,  çdo interpretim,  mendoj se është i tepërt.  Proçesi mësimor në të dy vitet kur fluturoi me aeroplanin Mig – 15,  po me instruktor Delon,  Nexhipit i shkuan mbarë.  Bazat teorike dhe përvojën praktike,  familjarizimin me ajrin dhe rrëfimin e elementëve me korrektësi e me argummentim shkencor,  nën drejtimin e Delo Isufit ( Seraj),  i përcolli pa shumë vështirësi.  Ai përvetësoi fluturimin në rreth,  në zonë,  fluturimin në kabinë të mbyllur,  fluturimin në rrugëkalim,  fluturimet në figura vertikale,  çiftin,  Kapjet,  sulmet tipike imitimin e luftimit në ajër;  qitjet  e bombardimet dhe elementë të tjerë të përdorimit luftarak të aeroplanit Mig – 15.  Kësisoj,  Nexhip Shena  u kompletua si pilot gjuajtës – bombardues, në aeroplanët parazanorë.

Më 4 tetor të vitit 1970,  Nexhipi dhe grupi ku bënte pjesë,  përfunduan programin ajror dhe u diplomua pilot gjuajtës – bombardues.  Fluturimin provim,  Ai e kreu me Komandantin e Shkollës së Aviacionit –  Koço Andoni,  një mjeshter i pilotimit,  me përvojë të gjatë si fluturues dhe strikt.  Fill pas provimit në fluturim,  pilotët e sapodiplomuar,  ku bënte pjesë dhe Nexhip Shena,  u dërguan në Tiranë,  në Punëtorinë Ushtarake,  ku u pajisën me ngutësi,  me petka të reja, të oficerit të aviacionit.  Simbolet e aviacionit,  sidomos ato në kapele ishin mjaft të pëlqyera për djelmoshat 20 vjeçarë.  Pas kompletimit me veshjet e aviacionistit,  ata u dërguan për të pushuar,  pas asaj pune intensive që përcollën dhe për të takuar e për t’u shmallur me njerëzit e zemrës.

16 nëntori i vitit 1970,  grupin e pilotëve të sapodiplomuar e gjeti në bordin e një aeroplani transporti,  me drejtim Lindjen e Largme.  Ata do të vijonin kualifikimin dhe specializimin në avionë të –  tjerë,  gjuajtës – bombardues,  më të avancuar.  Aeroplani ishte i shoqërisë gjermane “Interflug ”,  i cili atë ditë do të përshkonte rrugëkalimin: Tiranë –  Budapest –  Moskë –  Irkutsk – Omsk –  Pekin.  Pilotët shqiptarë të grupit në të cilin bënte pjesë Nexhipi do të sistemoheshin e do të fluturonin në Shkollën Kineze të Aviacionit,  për t’u kualifikuar më tej,  në aeroplanë më të sofistikuar e do të përgatiteshin për të kryer detyra të reja.  Djemtë tanë zotëronin përvojën shqiptare të organizimit dhe zhvillimit të fluturimeve;  do të  përvetësonin dhe metodikën kineze,  e cila,  në ata vite u përhap e u zbatua,  gjërësisht,  në repartet tona të aviacionit.

Ishte parashikuar që rruga ajrore e pilotëve tanë të kryhej pa bërë ndalesa të gjata,  por,  në segmentin rrugor:  Budapest – Moskë,  për shkak të bllokimit nga bora të aerodromit moskovit të “ Sheremetjevos ”,   ekipazhi i avionit të transportit,  u detyrua të ulej,  në aerodromin e Kievit,  ku qëndroi disa orë,  më tej vijoi rrugëkalimin për në Moskë e pastaj për në Lindje.  Nga Moska,  rrugëkalimi vazhdoi  në drejtim të Irkutskut e më pas të qytetit Omsk,  ku djemtë kaluan një natë.  Të nesërmen,  më 17 nëntor të vitit 1970,  aeroplani me pilotët tanë në bord u ul në Aerodromin e Pekinit.  Shkolla e aviacionit ku do të studionin pilotët tanë,  ndodhej në qytetin Çanzhou,  i cili shtrihet në hapsirën që ndan Pekinin nga Nankini.

Në shkollën kineze të aviacionit,  në Çanzhou,  Nexhipi dhe shokët e tij u përfillën për të mësuar teorinë e më pas praktikën e fluturimeve në aeroplanët reaktivë gjuajtës – bombardues të tipave Mig – 17 dhe Mig 19S.  Duhet thënë se,  në atë kohë,  fluturimet e kalimit me aeroplanët Mig – 17 përcilleshin kur ishin në shfrytëzim aeroplanë dy vendësh,  kurse mësimi i të fluturuarit me Mig – 19S,   bëhej drejtpërdrejt në aeroplanë  luftarakë,  mbasi avionët dyvendësh të këtij tipi,  ende nuk ishin në shfrytëzim.

Në muajin Janar,  të vitit 1972,  mbasi kishin kryer specializimin në aeroplanët e sipërrrëfyer,  grupi i pilotëve,  po në rrugë ajrore,  nëpërmjet përshkimit të hapsirave ajrore sovjetike dhe Ballkanike u kthye në Atdhe. Nexhipi u emërua pilot shoqërues,  në Skuadrilen e Dytë të Regjimentit “ Peza ”,  në Qytetin “Stalin ”.  Komandant i kësaj skuadrile ishte piloti cilësor  –  Harilla Rebi dhe komisar –  dibrani babaxhan –  Allaman Isaku ( ndjesë pastë ).  Rruga e ngjitjes profesionale dhe në karrierë për Nexhipin,  qe ajo e gjithë pilotëve,  me veçoritë individuale.  Në vitin 1974,  mbasi plotsoi programin e fluturimeve ditën,  në re  dhe natën,  në kushte të thjeshta të motit,  Nexhip Shena u nderua me titullin e lartë të Pilotit Ushtarak të klasit të Dytë.  Ky ishte një hap me vlera të shumta,  në udhën e tij të ngjitjes.

Pas këtij hapi,  për Nexhipin nuk rreshtën mbarësitë.  Ai hodhi dhe hapin me rëndësi jetike;  atë të krijimit të një familje të shëndoshë.  U ndodhën me fat,  të dy bashkëshortët,  në atë lidhje martesore fatlume,  për t’u patur zili.  Nexhipi,  më 25 Nëntor të vitit 1973 kurorëzoi lidhjen njëvjeçare,  me fisniken Afroviti,  e besimit ortodoks,  nga fshati Palokastër i rrethit të Gjirokastrës.  Ajo,  me dinjitet e me sjellje shëmbëllore  diti,  pa u larguar nga origjina e saj,  të përshtatej e të respektonte,  me mençuri,  origjinën,  veçoritë e profesionit,  tiparet dhe karakterin e Nexhipit si  dhe mjedisin familjar e shoqëror të Atij që përzgjodhi për  shok jete.  Kjo lidhje,   njëherazi na dëfton se Nexhip Shena ka qenë –  e mbetet larg paragjykimeve mbi përkatësinë fetare,  por respekton,  me korrektësi të gjitha fetë.

Nexhipi,  në rrethin e tij,  familjar e shoqëror njihej si një djalë “ Bravo ” dhe lidhja martesore e tij rezultoi fatlume,  siç e meriton.  Nga kjo lidhje e shëndetshme,  erdhën në jetë dy vajza:  Anila e pas saj  – Alda.  E madhja u lind në vitin 1975,  kurse tjetra,  në vitin 1981.  Të dyja vajzat e çiftit,  ngjajnë si dy pika uji me prinderit që i sollën në jetë,  dhe,   me meritë,  u bënë dikushi në jetë.  Anila u bë mësuese e lëndës më të – vështirë – matematikës;  Alda,  iu përfill profesionit të infermierisë,  ku ka bërë emër të mirë,  me punën dhe me sjelljen e saj.

Rrjedhojë e rritjes profesionale dhe respektit që fitoi në komunitetin ku shërbente e në atë ku jetonte,  Nexhipi u emërua zëvëndëskomandant i Skuadriles së Parë të Regjimentit “ Peza ”. Kulmin e karrierës si pilot,  Ai e mbërriti në vitin 1976,  kur u përzgjodh për kolaudimin e aeroplanëve,  të cilët kalonin nëpër riparimin,  në shkallë të ndryshme,  në Uzinën e Aviacionit të këtij qyteti.  Detyra e kolaudatorit të aeroplanëve,  e cila iu ngarkua Nexhip Shenës,  ishte një detyrë mjaft e vështirë e me përgjegjësi të madhe. Mbase mund të sqaroj ndonjë  detaj,  për punën e pilotit kolaudator.  Jo të gjithë pilotët e kanë patur shansin për të qenë pilotë kolaudatorë,  sidomos në Uzinën e Aviacionit ku puna e pilotit kolaudator paraqet disa veçori.  Një freskim i kërkesave,  mbase nuk e rëndon këtë rrëfim të vërtetë.

Çdo pilot që përzgjidhet për të bërë shtrimin e aeroplanëve që i nënshtrohen ndërhyrjeve dhe zëvëndësimit të pjesëve e agregatëve të nevojshëm,  kërkohet ti ketë cilësitë fluturuese dhe tiparet vetjake të një shkalle më të lartë,  krhasimisht.  Për pilotin kolaudator të Uzinës të Aviacionit, si për çdo pilot kolaudator,  toleranca kërkohet të jetë zero.  Piloti kolaudator i aeroplanëve që dalin nga Uzina e Aviacionit,  vërtet që është si kolaudatorët e tjerë,  por,  disa veçori,  të cilat duhen njohur e kërkohet të respektohen rigorozisht ekzistojnë objektivisht.  E thënë troç;  Nexhip Shena,  kur u caktua në detyrën e pilotit kolaudator të Uzinës,  ishte njëri nga pilotët më të saktë e më të qendrueshëm të Regjimentit  “Peza”.  

Nexhip Shena i kish të gjitha cilësitë dhe tiparet që kërkohen për detyrën e kolaudatorit të Uzinës,  por nuk i reklamonte ato.  Nexhipi nuk e rrihte kurrë gjoksin e nuk e njihte fjalën: ” Unë ”.  Atij njeriu i pëlqente të ishte mes shokësh dhe si ata.  Si pilot kolaudator uzine,  Ai i zotëronte vlerat që ishin të domosdoshme për atë specialitet të vështirë.  Nexhip Shenën,  në Regjiment mund ta veçoje si një pilot të kompletuar.  Ai njihte,  në detaje proçeset aerodinamike,  fizike,  kimike,  mekanike etj,  të cilave u nënshtrohet një trup që çvendoset në ajër,  me shpejtësi të ndryshme.  Tek Nexhipi pilot,  ishte e zhvilluar ndieshmëria e lartë dhe intuita shkencore.  Atë, mund ta veçoje si një vrojtues dhe analist i shpejtë e i saktë i dukurive që mund të ndodhë  në aeroplan,  në proçese të ndryshëm të fluturimit. Mbase është e tepërt të theksoj se teknika e pilotimit e Nexhip Shenës ishte e pastër dhe e saktë.  Eshtë e ditur që përsosmëri nuk ka e nuk mund të ketë,  por Ai zotëronte elementët më të domosdoshëm për të qënë pilot kolaudator.  Zgjuasia dhe kompetenca;  përpunimi analitik i shpejtë në tru i ndodhive;  qendrueshmëria e tij,  në “ sjellje ”;  gjakftohtësia dhe mosrendja pas situatave por kapja dhe zgjidhja e problemit kryesor,  nga zgjidhja e të cilit përcaktohej fati i mëtejshëm i fluturimit etj.  ishin disa nga faktorët bazë që e bënin Nexhipin të ishte kolaudator rezultativ.

Nuk mund të mos theksoj një vështirësi të njohur  për të gjithë ata që kanë “shijuar ” kualitetin e pilotit kolaudator.  Një pilot që kolaudonte aeroplanë të repartit të tij,  e kishte punën më të thjeshtëzuar,  mbasi njihte veçoritë e aeroplanit që do të “shtronte ” dhe kish mundësi të pyeste për veçoritë e shfrytëzimit të tij.  Po Nexhipi që kolaudonte aeroplanë të ardhur në uzinë nga reparte të ndryshëm te Aviacionit Shqiptar, sa të vështirë e kish,  për të qëmtuar të dhëna mbi sjelljen e çdo makine në ajër,  pavarësisht se avioni kish dokumentacion të plotë dhe specialistët duarartë të çdo niveli,  i bënin paraqitjen e avionit që do të provohej  në ajër,  në të gjithë komponentët.  Edhe pse nuk shkonte drejt së panjohurës,  Nexhipi,  kur  “shalonte ” avionin që do të provonte,  i kish mbledhur disa tregues të tij.

Kolaudimi i aeroplaneve,  në ajër,  nxirrte në shesh përgjigjen e shumë pseve dhe hamendësive që shtroheshin përpara  ngritjes në ajër.  Nuk mund të mos rrefej,  faktin se Nexhipi dhe kolaudatorët e tjerë të reparteve të aviacionit,  ngriheshsin në fluturim me besimin e patundur se teknika ajrore,  kishte përthithur mënçurinë,  aftësitë intelektuale,  përkushtimin e rrallë dhe sakrificat e panumërta të kolegëve të tyre;  mekanikë,  teknikë,  specialistë aviacioni dhe stafit drejtues të reparteve e të Uzinës,  të cilët ishin ndihmësit besnikë  të pilotit kolaudator dhe  të interesuar për suksesin e fluturimit.

Në vitin 1978,  kur lidhjet me Kinën pësuan tkurrje,  u hodh ideja për zgjidhjen e çështjeve teknike,  duke shfrytëzuar mundësitë e brendshme,  Nexhipi,  si kolaudator tashmë me përvojë për “shtrimin  “ e aeroplaneve Mig-19 S,  u ingranua për eksperimentimin e bombave  dhe të djegoreve që prodhoheshin në Uzinën Mekanike të Poliçanit.  Eksperimentimet me rrezikshmëri të shtuar,  kryheshin në poligone malorë,  të sajuar dhe në delta lumenjsh,  ku mungonte popullsia civile,  të përzgjedhur nga vetë Nexhipi,  nën drejtimin e të paharruarit Bardhyl Taçi.

Në vitet 1977-1980,  Nexhip Shena,  përcolli studimet,  pa shkëputje nga puna,  në Shkollën e Lartë të Partisë  V. I . Lenin,  në Tiranë dhe në vitet 1989 – 1990 përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake  “Mehmet Shehu”,  po në Tiranë.  Për fat të keq,  në vitin 1990,  në një kontroll mjekësor,  mjekët specialistë të aviacionit e deklaruan të paaftë për të fluturuar Nexhipin,  duke gjetur si shkak disa çrregullime në zemër gjë që është disi e pabesueshme.  Meqënëse Nexhipi ishte i kompletuar e kompetent për çështje të aviacionit,  me horizont të ngritur teorik dhe me figurë të pastër morale,  në vitet 1989 – 1992,  Ai u emërua shef i katedrës dhe petagog i taktikës së aviacionit dhe asaj të këmbësorisë,  në Shkollën e Lartë të Aviacionit,  në Vlorë.

Aktualisht,  Nexhipi përcjell vitet e moshës së tretë,  në Tiranë,  në gjirin e familjes së tij të mrekullueshme;  i rrethuar nga shumë miq,  shokë e kolegë të dëshiruar.  E kam bindje,  se në personalitetin e spikatur të Nexhip Shenës,  kemi përpara një “ Ikonë ” me vlera të rralla,  i cili,  gjithmonë e ka shpërfaqur veten,  jo të shkëputur por të barabartë e të lidhur ngushtë me sërën e tij.  I do e i respekton shumë shokët dhe kolegët, Nexhipi,  ndaj dhe ata vendosen ndaj tij,  shumë njerëzisht.  Mes shokësh,  duke kënduar labçe – vënçe,  në pozicionin  e marrësit, të mbajtësit apo të hedhësit,  në shoqërinë e të veçantit –  Halil Bello, të ndjerit Sinan Alimerko   dhe mjaft dashamirëve të këngës labçe,  Nexhipi ndihej shumë mirë.

Në gojën e Nexhipit,  kënga labçe,  fluturonte,  këndshëm,  si aeroplani i tij i preferuar, në duart e këngëtarit pilot.  E rrallë e një shëmbull,  i cili duhet ndjekur është dashuria dhe lidhjet e tij me fshatin e lindjes. Në çdo vit,  Ai shkon në fshat  4 – 5 herë dhe jo si turist,  por si bir i denjë i asaj treve e i atyre njerëzve të rrallë.  Nexhip Shena,  ka bërë e bën shumë për njerëzit,  ndaj nderohet nga cilido që e ka njohur e ka punuar me Të.  Ai fluturon nga gëzimi kur takon Agim Matrakun;  Çobo Skenderin; Halil Bellon; Zeqo Camën  e të tjerë miq të Tij,  mes të cilëve ndihet ngrohtë e i vlerësuar.

  • I uroj Nexhipit, jetë të gjatë,  të gëzuar e të begatë!

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj,  ishpilot,  koleg i Nexhip Shenës.   Tiranë,  në muajt: Korrik – Gusht 2020