(ngjarje e jetuar)

Në vitet '70 të shekullit që iku, aerodromi i Tiranës përbëhej nga dy breza. Njëri prej betoni të degraduar; tjetri jeshil i përjetshëm. Në aerodrom ngriheshin e uleshin aeroplanë IL -14, An-2 dhe Jak -18 A. Kishte dhe helikopterë Mi-4.

Aerodromi ruhej me patrulla dhe me roja stacionare, të Armatosur me fishekë luftarakë. Lejoheshin për stërvitje të kufizuar, sportistët e Klubit Sportiv “Partizani”, ata të Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe përgatiteshin për të parakaluar më 1 Maj, punonjës të ndërmarrjeve të kryeqytetit.

Në një ditë të bukur fundprilli, përpara rojës së stacionuar pranë Institutit, u shfaq një burrë, i veshur shik, me një qen përdore. Ai tentoi, me manovra të ndryshme të futej në thellësi të territorit që ruhej. Roja, i zgjuar e i shkathët, i cili ishte përgatitur posaçërisht për të kryer detyrën e rojës, u dëftua i zgjuar e zbatoi një për një kërkesat e rregullores.

Ai e paralajmëroi shkelësin, i cili fliste greqisht, dhe, pa bërë dialog me të, kur burri kërkoi tabelat që ndalonin, i tha, në shqip: “Tabela jam unë” dhe ngriti armën lart dhe e mbushi.

Greku vazhdoi të brambulliste. Ushtari i tha, në shqip: “Po lëvize dhe një hap, do të të qëlloj”! Greku vazhdoi të futej më thellë dhe roja e shkrepi armën, në ajër, lart. Kur dëgjoi krismën, shkelësi i lebetitur, nisi të lëvizte duart e këmbët dhe diçka fliste (shante, në gjuhën e tij).

Dëgjova krismën dhe ngava vrapin për tek roja. E gjeta të tulatur e të menduar, për atë që kishte bërë. Për ta kurajuar, i thashë: “Të lumtë, na ke nderuar”! Për vete, gjithashtu rashë në mendime e prisja si do të reagonte udhëheqja e MMP.

Pas disa ditësh, një njeri nga grupi të shoqërimit të Beqir Ballukut, erdhi në repart, më thirri e më falënderoi. Ai më përcolli fjalët e Ministrit se: “Na hapi ca telashe por na nderoi, i lumtë”! Më shkriu gjaku, shpërbleva ushtarin me leje pranë familjes dhe vazhdova detyrën.