Sa të drejtë kanë pasur ata njerëz të mirë e kokëplotë, kur kanë formuluar këtë postulat, i cili, me kalimin e kohës, ka marrë vlerën e aksiomës. Ndodhia që do t’ju rrëfej është vërtetim i padiskutueshëm i përjetësisë së këtij përfundimi të mençur.
Në vitet '70 të shekullit që shkoi (datën nuk e kujtoj); verë, u bë një stërvitje e përbashkët, mes Regjimentit të Helikopterëve, Skuadrilës së Transportit Ajror dhe Batalionit të Sigurimit, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Detyra ishte: “Herët, në mëngjes, në Fushën e Shënavlashit (mbi disa parcela që jeshilonin) do të hidheshin desante ajrore, nga helikopterët Mi-4 dhe nga aeroplanët An-2.” Për ekonomi kohe, një parcelë u bashkua me tjetrën, në mënyrë që në të të uleshin avionët, e cila u realizua suksesshëm.
Desantet ishin me armatim personal (automatik Kallashnikov; kompletin luftarak të fishekëve; maskë antigaz etj.) Pesha e një desanti ajror llogaritej 100 kg. Hedhja e parë u krye nga helikopterët, nga lartësia 600 m mbi nivelin e detit. Njërit nga desantet, (G. K) një goxha djalë, i shëndetshëm, i shkathët e trim, nuk iu hap, plotësisht parashuta kryesore; me iniciativë e guxim, djali tentoi të hapte rezervën, por, gjatë hapjes, ajo u pleks me kryesoren dhe parashutisti zbriti në tokë, me 2 parashuta por me shpejtësi vertikale të shtuar. Gjatë tokëzimit, nga goditja e rëndë, djali theu klavikulën.
Kur nisi hedhja e desanteve nga aeroplanët An-2, njëri nga parashutistët, doli normalisht nga dera e avionit, por i ngeci tyta e automatikut me unazën prej çeliku special, në fund, e cila kishte ngecur mes derës (nyjës së përforcuar dhe kornizës, të derës, në bord, e cila, gjithashtu është e përforcuar). I gjori djalë, e pa vdekjen me sy, kushedi sa herë në ato sekonda tmerri. Asnjë lloj ndihmë nuk mund t’i jepej. Rrymat e ajrit, goditjet e litareve që vareshin dhe tmerri, e mpinë djalin. Piloti, manovroi me pedale, për të krijuar moment rrëshqitës, por ishte e pamundur.
Shokët ranë në Fushën e Maminasit; Ai u shkëput nga avioni, mbi Konvaleshencën e Ushtrisë. E kishte jetën të gjatë e nuk mund t’ia shkurtonte asnjë forcë, djalit, i cili, ra, në tokë shëndoshë e mirë.
Pak humor:
Lulo Musai, Komandant i Regjimentit të Helikopterëve, si nikoqir i mirë që ishte, me këtë rast, në kushte fushimi organizoi një drekë modeste ku nuk mungoi peshku i freskët dhe pijet e forta. Komandanti i MKA, mbasi u dend, me peshk e me raki; vuri re që kishte mbetur pa u konsumuar një goxha peshk. Ai dha urdhër: “Paketojeni këtë e futeni në makinën time t’ia çoj gruas se ajo e ha shumë peshkun”. U tha, u bë. Kësaj, në fshatin tim por jo vetëm, i thonë: “Stambolli digjet;...krihet”! Mendje - mendje kjo botë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.