Vite më parë, kur sapo kishte nisur të bujiste Regjimenti i Aviacionit, në Rinas dhe ishin hedhur themelet e ngrehinave në qytezën ushtarake të Valiasit, disa aviatorë, të cilët i kishin familjet në Tiranë, ndryshe nga ata që ishin beqarë apo të tjerë, të cilët ishin familjarë por u strehuan në Valias, vinin në punë e iknin, me biçikleta. Rruga nga Vora ishte e largët, mjete transporti për në Tiranë, nuk kishte, e vështirësi të tjera, të panumërta.

Një grup oficerësh, me në krye shefin operativ të Regjimentit, trimin Pertef Myftaraj, e bënte udhën, me biçikletë çdo ditë, pavarësisht nga moti. Kalonin nga Kamza e nga Valiasi, nëpër një udhë tërë baltë e gropa. Për t’i rënë shkurt, ata kalonin shpesh nëpër shtratin e lumit, me shtrat të gurtë ku ishin të pranishëm guralecët rrëshqitës. Në grupin e çiklistëve të repartit, përveç Pertefit, ishin: Çobo Skënderi; Bajazit Jaho; Serafin Shegani; Bashkim Gjoliku; Shyqyri Kolli; Ali Shehu etj. Të gjithë ecnin në grup.

Një ditë, lumi i Tiranës kishte vërshuar dhe ura para institutit, ishte rrëzuar. Dalja e lumit ishte e papritur dhe i gjeti "çiklistët" në shtratin e lumit. Serafini duke ecur në shtratin e lumit, rrëshqiti e ra në ujë. U sulën menjëherë shokët dhe e shpëtuan.

Kushtet e transportit ishin tejet të vështira, këta aviatorë e kishin gjetur njëfarë zgjidhjeje mjerane, u bënë edhe çiklistë. Kur u bënë ndërtime në Laprakë dhe kur u bë shkëmbimi i banesave me Ndërmarrjen e Minierave, problemi u zbut disi por nuk u zgjidh... Tani është ndryshe; krahasim nuk mund të bëhet.