Fillimviti 1966 më çoi, nga Regjimenti i Rinasit në atë të Qytetit “Stalin”. Së bashku me të ndjerin Zija Memi, ishim përzgjedhur për të qenë pjesë e stafit të Skuadriljes Reaktive të Shkollës së Aviacionit, e cila ishte skuadrilje e tretë e Regjimentit “Peza” të Qytetit “Stalin”. Caktimin në këtë detyrë e prita me shumë gëzim. Jo pa shkak. Po humbisja një shans por do të fitoja një tjetër, i cili më pëlqente, pa masë.
Do t’u jepja mësime fluturimi për kursantët e vitit të tretë të shkollës së aviacionit, në aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues Mig-15. Kisha rastin fatlum të kontribuoja për të rritur aftësitë dhe kapacitetin luftarak të Aviacionit tonë Ushtarak. Do t’u mësoja djemve të zgjedhur të popullit, atij kursi mbresëlënës me 20 të përzgjedhur ato që kisha mësuar në Shkollën e Aviacionit të Batajskut dhe në atë të Cin Zhout, si dhe ato që përftova nga përvoja fluturuese e “korifejve” të aviacionit tonë, në Rinas: Niko Hoxhës; Lulo Musait; Kosta Dedes; Anastas Ngjelës; Halit Bulkut; Mahmut Hysës; Haki Jupasit; Çobo Skënderit; Gezdar Veipit; Bajazit Jahos; Bilal Joses etj.
Në aerodromin e Qytetit “Stalin”, nisëm fluturimet metodike për të mësuar pilotimin e avionit nga kabina e dytë, në rolin e instruktorit. Në fluturimet stërvitore, në kabinën e parë të avionit Mig-15 mësimor zakonisht merrnim një pilot të regjimentit. Në një pilotim vertikal, pata shansin të fluturoja me të talentuarin Thanas Papa, të cilin kisha pasur shok klase. Kur zbritëm nga kabinat, më kujtohet një togfjalësh i tij: “Qenke mirë”! Më ngrohën këto fjalë mbasi i thoshte një shoku im.
Në muajt e parë të pranverës, pas fluturimeve metodike nga kabina e dytë, si grup instruktorësh shkuam në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, për të vijuar përgatitjen metodike teorike dhe për t’u njohur me kursantët. Në stafin e instruktorëve ishim: Salih Dibra (komandant i skuadriljes); Kostandin Sadikaj (zëvendëskomandant i skuadriljes); Telo Dedi, komandant katërshe; Harilla Rjebi, Guri Merkaj, Avdi Gjonmemaj, Zija Memi dhe Niazi Nelaj, instruktorë të teknikës së pilotimit. Në skuadrilje bënte pjesë dhe një grup tjetër instruktorësh ku ishin: Fazlli Bega, komandant katërshe dhe Pandeli Lengu dhe Lutfi Mishkëri - instruktorë të teknikës së pilotimit. Vijon...
Vijon...
Çdo instruktori i ishte caktuar të mësonte katër kursantë. Instruktorët ishin përzgjedhur mbi kritere të shëndosha të nivelit teoriko-praktik dhe të metodës së komunikimit e figurës së tyre. E them me përgjegjësi se kursantët ishin djem “azganë”, me fizik për t’u pasur zili e me dëshirë të zjarrtë për të fluturuar. Shumica e tyre kishin kaluar nga “shtrunga” e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ishin sportistë të shquar. Ata ishin familjarizuar me rregullin dhe disiplinën ushtarake, gjë që e bënte më të lehtë punën me ta.
Grupi i kursantëve për pilotë të vitit të tretë, kishte në përbërje djem të zgjuar e të shkathët si: Bego Hoxha; Isa Arapaj, Luto Sadikaj, Vangjel Koroveshi, Sabri Toçi, Petrit Bebeci, Dhimitër Vasho, Stiljan Tanka, Alqi Dede, Azis Alla, Bilal Sina, Flamur Pupa, Lutfi Jaho, Rafael Bulgareci, Salih Peci, Lutfi Hyseni etj. Në kursin e vitit të dytë ishin kursantët: Asqeri Cerova, Myzafer Zaho, Osman Shehu, Mark Qypi, Zenel Shini dhe Islam Zani.
Ajo që dua t’ju rrëfej lidhet me disa mbresa të bazuara në kujtimet vetjake nga ajo kohë e “artë” kur njeriu ishte i lirë të bënte atë që dinte e që donte të bënte, për të qenë i dobishëm për vete, për familjen e për shoqërinë. Ndjente dhe kënaqësi për atë që bënte.
E theksoj që në fillim se kënaqësinë që ndjeja, nuk ma jepte as statusi as profesioni, të cilët, siç dihet, nuk janë të dhënë një herë e përgjithmonë, por janë kalimtarë. Gëzoja dhe për faktin se do të më jepej shansi për të shijuar sadopak bukuritë e Vlorës, të cilën e kisha shkelur kur isha me pantallona të shkurtra, në vitin 1950. Ndryshimet dhe zbukurimet që i kishte shtuar mendja dhe dora e njeriut, qytetit tim të dashur po befasonin tërë ata që e vështronin atë qytet të rrallë, për nga bukuria dhe për nga njerëzia. Vijon...
Vijon... Mbresat janë vetjake, koha e referimit është e largët, dikush nga bashkëkohësit mund ta ketë perceptuar e ta ketë konceptuar ndryshe, por, këto kanë brenda subjektivizmin e nuk mund të kenë të njëjtën masë.
Siç e përshkrova, ishim 11 oficerë fluturues dhe kohën e përgatitjes na e planifikonte komandanti ynë i skuadriljes. Babacja komisar dhe Koço Andoni komandant i shkollës orientonin por nuk përziheshin në veprimet tona. Kohë të lirë, në dispozicion kishim plot; atë e shfrytëzonim në mënyrën tonë, pa i rënë me qafë njeriu.
Të gjithë ishim me moshë të re dhe me energji. Në vendin ku kishim studiuar, kush më shumë e kush më pak, nuk kishim mësuar vetëm të fluturonim por kishim kopjuar dhe ndonjë ves si përdorimi i alkoolit.
Një takem prej nesh nuk njiheshim si përdorues të pijeve të forta; disa të tjerë, e kishin bërë udhë, rrokullisjen e ndonjë gote, për qejf. Në komunitetin tonë, ndonjë koleg ishte i “thekur” dhe e thithte me hundë alkoolin. Shumica e bënim për modë e për të qenë koherentë me përdoruesit e pijeve të forta. Asnjëri nuk dëshironte të mbetej jashtë “vathës”, të gjithë nxirrnim gjoksin.
Shoqërisht morëm një “vendim”: do të zbatonim, në kushte të reja, regjimin që zbatohet për fluturuesit në repartet e aviacionit: 2 orë përgatitje fizike, çdo ditë dhe veprimtari të tjera relaksuese. Me iniciativën e “shefit” tonë, vendosëm të bënim, çdo ditë, në këmbë rrugën Vlorë- Skelë; e kthim; ide e bukur. Por, si i thonë; dardha e ka bishtin prapa, dhe bishti nuk ishte aq i papërfillshëm.
E nisnim “stafetën” tek sahati i qytetit. Për dreq, aty pranë ishte një bufe, me emrin-“Buronja”. Hynim, në grup dhe pinim, për qejf, nga një tëkë koktejl (kaçurrel). Dilnim andej e vijonim udhën drejt Skelës.
Po për dreq, na dilte përpara një lokal i bukur, i cili quhej “Bar Vlora”, e pinim dhe aty nga një gotë koktejl. Më tej ishte lokali “Lulëzimi”, apo “Vapori”. Edhe aty, hynim, pa dashje dhe e kthenim nga një tëkë.
Tek kinoteatri “Petro Marko”, na zinte udhën një bufe me emrin “Tre racat”. Nuk e refuzonim dot as këtë “mrekulli”.
Çakërqejf vijonim udhën për në Skelë. Atje, kishim turizmin, buzë detit, me emrin: “turizmi i Skelës”, ose siç e quanin të moshuarit: “Don Marku”. Uleshim e rrokullisnim edhe aty nga një tëkë.
Ishim bërë “dhogë” e tërhiqnim njëri-tjetrin nga dora. Ngriheshim kur kujtohej ai që ishte më në gjendje të na dëftonte udhën për t’u kthyer në Vlorë. Ishin të rrallë ata që mbërrinin në mensën e shkollës për të drekuar. Vijon...
Vijon... Kjo situatë vazhdoi rreth 2 muaj. Përfunduam kualifikimin metodik e u kthyem në Regjimentin e Qytetit “Stalin”, për të vijuar përgatitjen ajrore, derisa të thahej Porua.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, ndërmorëm dhe veprimtari të tjera relaksuese, për të mbushur kohën. Në tërësi ishim dashamirë të sportit. Përveç sporteve të rënda, më pëlqente shumë futbolli, basketbolli, volejbolli dhe ping-pongu. Bëja tifo për “Flamurtarin” dhe për “Dinamon”.
Një ditë, në stadiumin e vjetër të Vlorës, në Skelë, luante “Flamurtari” me “Dinamon”, në futboll. Isha me të dy ekipet dhe me asnjërin. Bleva një biletë për në tribunë, me numër dhe, i veshur ushtarak, me grada e me lulushane, hyra në stadium, para se të niste nxemja e lojtarëve.
Në fushën e blertë ishte vetëm Lalushi, i veshur me uniformën e “Flamurtarit”, i cili, me një top gjuante në portën bosh të Jugut. Sa herë zhvilloheshin veprimtari sportive, vlonjatët, për shans, nxirrnin në fushë Lalushin.
Bëra të gjeja vendin tim sipas kundërbiletës. Stadiumi ishte plot për plot. Me ekipin e“Dinamos” aktivizoheshin dy vlonjatë: Nako Saraci, në mbrojtje, të cilin e kisha shok dhe Dhimitër Gjyli (biondi pa flokë), i cili luante në sulm.
Vendin, sipas biletës e gjeta, por, mbi të ishte ulur një mesoburrë. Kërkesës sime të qytetëruar, për të më liruar vendin, ai, me një gjuhë karakteristike vlonjate, iu përgjigj:“Dre-e-e, dashke dhe vend ti o kapurral? Gremisu tutje e zër një vend se stadiumi ka vende plot; mos bëj bajga...”.
U ndodha ngushtë, pashë rreth e rrotull, nuk njoha njeri e nuk pashë asnjë polic. Birbua që m’u përgjigj ashtu, në stadium, me siguri që kishte vajtur me shokë. Bëra çbëra, me të shtyrë, u futa në turmë dhe e pashë ndeshjen në këmbë.
Ky nuk është i vetmi rast. Një ditë vajta në stadiumin me dërrasa, tek varri i Avni Rustemit, për të parë ndeshjen e basketbollit të vajzave të Vlorës me ato të Tiranës. Të dyja ekipet ishin mjaft të forta dhe rivalizonin. Me Tiranën luanin motrat Alibegaj, me trajner Vaso Shaken; me Vlorën luante bukur Eleni Ruci dhe shumë energjike e me sedër luante Muina Kuqi.
Në shkallët përballë tribunës, ishte ulur një burrë i shëndoshë rreth 150 kg. Siç më thanë, burri ishte shofer. Rreth tij ishin ulur një tufë adoleshentësh.
Sapo hynë vajzat e Tiranës në fushë, dëgjova një britmë, në kor, me fjalor rruge. Bërtisnin adoleshentët, i dirixhonte shoferi. Shanin lojtaret, poshtëronin trajnerin e Tiranës, me një fjalor të cilin nuk mund ta përmend. Ma shpifën, dola nga stadiumi i ngarkuar me energji negative dhe i fyer në ndërgjegje.
Kam pasur e kam bindjen se këto raste nuk përbëjnë, karakteristikë të grupeve. Vlora ka qenë e mbetet djep i dijes, burrërisë, besës dhe bukurisë. Bukurive të natyrës, vlonjati i ka shtuar të tjera bukuri, siç është Lungomarja, pa folur për të tjera hijeshi. Më merr malli për Vlorën se më lidhin me të jo vetëm kujtime të bukura por dhe shumëçka!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.