Dita e fundit e dhjetorit të vitit 1964, ishte tejet e ftohtë. Binte shtrat borë, gjithë atë ditë. Dikush nga Korça theshte se po bie llapavec. Ishim mbledhur përpara klasave të Skuadrilës së dytë të Rinasit, për të hedhur shortin; kush do të ishte në gatishmëri, në çiftin roja, të nesërmen, më 1 janar 1965. Shorti i ra çiftit: Vasil Kromidha: Niazi Nelaj.
Në atë kohë, shërbimi roja në aerodrom kryhej me aeroplane Mig-17F. Pilotët e Skuadrilës së parë, edhe pse fluturonin me aeroplanët mbizanorë të pajisur me raketa ajër-ajër, të tipit Mig-19 PM, shërbimin e gatishmërisë roja, në aerodrom e kryenin me avionet e Skuadrilës së dytë. Si pilotë më me përvojë, ata ishin në rolin e komandantit të çiftit; ne, më të rinjtë ishim shoqërues të tyre.
Teknikë të gatshëm ishin: Bejkush Bockaj, me numrin anësor 127 dhe Valter Ahmataj, me numrin 121.
Mbasi e kishim mbledhur mendjen, për shërbimin e datës 1 janar 1965, të mbledhur, pilotë, teknikë, specialistë e shtabnikë, përpara klasave të Skuadrilës së dytë, pritnim të drekonim e të largoheshim nga reparti, për të festuar... vijon.
Vijon... Viti i Ri-1965
... pilotët që kishin fluturuar, në Regjimentin "Peza" të qytetit "Stalin", para se të shkonin për të mësuar aeroplanin Mig-19PM: Gëzdar Veipi; Çobo Skënderi; Mahmut Hysa; Halit Bulku; Bajazit Jaho; Haki Jupasi; Bardhyl Taçi etj. kur erdhën në Rinas, prunë me vete dhe një bagazh shakash mes shokësh.
Ata kujtonin një ditë dimri kur lumi Osum kishte vërshuar cep me cep, dhe piloti Halit Bulku, në një bast shokësh, u fut në lumë, me gjithë petka e doli në anën tjetër të tij. Shokët që e ndiqnin spektaklin u shqetësuan seriozisht për jetën e shokut.
Edhe në Rinas, sikur të ishte një epidemi gripi, kjo lodër bastesh u përhap, me shpejtësi. Atë ditë që "vrisnim kohën", përpara klasave të skuadrilës së dytë, grupi i oficerëve të pranishëm, vështruan me kuriozitet, se në pistën e avionëve, po lëvizte një goxha bredh, nga jugu, në veri. Kur panë më me vërejtje, ata pikasën se bredhin e mbante në sup sekretari i rinisë, i cili, gjatë vitit nuk zinte punë me dorë.
Në ditën e fundit të vitit, kur ndaheshin shpërblimet, ai u kujtua se duhej një kaposh deti, i cili minimalisht kushtonte 1000 lekë; aq sa ishte shpërblimi duke mbajtur në krahë bredhin e Vitit të Ri për ushtarët e batalionit të këmbësorisë.
Njëri nga shokët tanë, i frymëzuar nga rrëfimet e pilotëve që kishin fluturuar në aerodromin e Qytetit "Stalin", sajoi një lodër interesante... vijon.
Vijon...
Nuk më kujtohet emri i atij që e sajoi lodrën se ishin të pranishëm mjaft oficerë të profileve të ndryshme, por ndodhinë e mbaj mend mirë, mbasi ajo na relaksoi, pa masë, në atë pragfeste.
Përpara klasave të Skuadrilës së dytë, ishte një rrugicë e ngushtë, e shtruar me kalldrëm, nga vetë kuadrot e skuadrilës, e cila lidhte klasat me vendqëndrimin e aeroplaneve, atje ku ishte i parkuar aeroplani i vetëm bombardues i mesëm, i tipit IL-28. Një kanal ujëmbledhës, qarkonte territorin e skuadrilës së dytë. Për të kaluar në anën lindore të udhës, ishte sajuar një urë, ku shtynim kohën e pushimit midis orëve të mësimit. Poshtë asaj ure hidheshin bishtat e cigareve, dhe sekrecionet.
Dikush propozoi: Kush i futet urës tejpërtej, me rroba veshur, merr 500 lekë. Nuk ishin pak në atë kohë, 500 lekët. Paraja kishte vlerë. Një pilot i ri, në atë kohë, merrte në muaj 6600 lekë.
Doli një koleg ynë, i cili është bërë për rahmet. Ai hodhi në kokë kapoten e Nazmiut, e mbërtheu fort dhe kaloi poshtë urës. U mbush kapota me mbeturina që kullonin por kolegu e flaku atë, sapo u çua në këmbë, se e Nazmiut ishte.
U kënaqëm të gjithë me këtë budallallëk. Qeshnin drejtuesit e skuadrilës që u ndodhën aty pranë dhe ata të rangjeve më të larta.
Kolegu vajti në hotelin e beqarëve, ku banonte, në katin e dytë të hotelit të ri e u pastrua. Pas disa minutash erdhi sërish tek ne, për të ndjekur të tjera qyfyre tonat. Vijon...
Vijon- vijimi:
Shtrati i borës vazhdonte me të njëjtin ritëm. Ishim të veshur mirë e nuk e ndjenim të ftohtin e asaj dite. Relaksi që morëm pas "zhytjes" së kolegut e shtoi "oreksin".
Futa dorën në xhep e nxorra një kartëmonedhë 1000 lekëshe (një minator, thoshin në atë kohë). Minatori mjaftonte për të blerë një kaposh deti, nga ata me gushë. Ishin mbledhur më shumë njerëz, nga skuadrilja e parë dhe nga oficina e avionëve. Ishte data 31 dhjetor dhe atë ditë nuk punonte njeri; dyert ishin të mbyllura.
Aty pranë kaloi i ndjeri Lulo Musai (Spahaj). Ai ishte komandant i skuadrilës së parë, dhe njihej si autoritar e tepër serioz. Lulua nuk merrej me të tilla budallallëqe.
Gëzdari ishte në zyrën e vet, po merrej me grafikët e shërbimeve e me punët e tij. Me ne ishte Anastas Ngjela dhe të tjerë. Kur e ngrita stekën dhe e bëra premion 1000 lekë, pashë të lëvrinte dhe ndonjë major.
Kaloi Lulua, na pa e me ton urdhërues, tha: "Çfarë bëni aty mor melunë; shpërndahuni nëpër vendet tuaja të punës!" Dhe vijoi udhën për në skuadrilën e parë. Zbatuam urdhrin, por sapo kaloi komandant Lulua, u mblodhëm sërish.
Doli si kandidat për të marrë 1000 lekëshin, njëfarë Bashkimi, i cili nuk ishte as pilot; as teknik por oficer ishte. I bëra të ditur se për të marrë kartëmonedhën me vlerë, duhet të bënte not, në një distancë rreth 100 m, me gjithë rroba.
Si terren sportiv, gjetëm kanalin që mblidhte ujërat, përpara karburantit. Ai ishte rreth 2 m i gjerë e po aq i thellë. Ishte plot me ujë.
Pranoi Bashkimi dhe ashtu i veshur, me kapotë e me kapele në kokë, u bë gati të hidhej në kanal.
Caktova Anastas Ngjelën, si njeri të besës dhe njeri i pashok për nga mirësia e shpirtit që të rrinte si arbiter. Atij i vendosëm një dhogë të trashë, si finish, në distancën 100 m, nga starti i nisjes dhe kur Bashkimi të zgjatte dorën, do të merrte kartëmonedhën.
Bashkimi u zhyt në ujë e ne, turma e tifozëve, ecnim anës kanalit për t’i dhënë kurajo. Dikush i thoshte: "Fute kokën brenda në ujë!" Një tjetër i thoshte bëj not me pash etj.
E mori kartëmonedhën i gjori, e ashtu, qull e i mërdhirë, vajti tek bufeja e Idriz Gjatës, piu një dopio konjak e ia mbathi në shtëpi. Një muaj rresht nuk erdhi në punë.
Niko Hoxha, kur e dëgjoi këtë ndodhi, nuk na foli, por u shkri në gaz!
Fund i kujtimit.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.