Ndoqa publikimin e rastit të shpëtimit të një alpinisteje, të rrëzuar në Malin e Cikës, nga ekipazhi i një helikopteri të njësisë së shpëtimit. Nuk mund të ketë asnjë lloj mëdyshje për aktin tejet human dhe trimëror të ekipazhit të helikopterit të shpëtimit. E them pa rezerva se jam përkrahës i zjarrtë i ndërmarrjeve të tilla, ku njerëz me zemër, siç janë pilotët dhe teknikët e bordit, vënë në rrezik jetët e tyre për të shpëtuar një ose disa jetë.

Është në natyrën tonë, shqiptare, t’i gjendemi tjetrit kur ka nevojë. Kështu ka qenë e kështu do të jetë, sa të ketë shqiptarë, mbi dhe. Nuk i di emrat e atyre që kryen këtë mision shpëtimi por u përulem, me shpirt e me zemër dhe i falënderoj, si koleg e si shqiptar.

Kam dhe një rezervë: Në të tilla raste, nuk i dihet si rrjedh ngjarja, ekipazhi shkon drejt së panjohurës, prandaj duhet të jetë i pajisur për të përballuar mjaft variante. Po të bëhen më tepër përpjekje, nuk besoj të jetë aq e vështirë të gjendet një barelë (pajisje), për ta ngritur viktimën, më lehtë e jo në krahë.

Në vitin 1971, kur vërshuan lumenjtë e dolën ujërat jashtë shtratit të tyre, me një helikopter Mi-4, pilotët: Lulo Musai (Spahaj)- Hetem Mehmeti dhe tekniku fluturues Gëzim Barjani, shpëtuan një familje të tërë me 11 anëtarë, në Kallam Kashisht, të cilët i ngritën me vinç dhe fëmijën laktant e morën me kosh, pa e dëmtuar.

Po tani, me këtë teknikë të sofistikuar??? Respekt për trimat e ajrit që rrezikojnë jetën për të shpëtuar jetë!