(Shkruar për ata që pëlqejnë përrallat)

Një herë në një kohë, na u caktua një grup pune, për të shkruar Historikun e Aviacionit Shqiptar. Bënin pjesë kuadro të profileve të ndryshëm e me arsim. Kusht ishte përvoja e gjatë dhe niveli profesional. Më i moshuari, ai me përvojë më të gjatë dhe me cilësi fluturuese "brilante"; Fari Xhaferri, u caktua përgjegjës i grupit.

Duke shfletuar dosjet e Regjimentit "Peza" të Qytetit "Stalin", lexova një dokument të firmosur nga i madhi Niko Hoxha, kur ishte komandant i këtij regjimenti. Koloneli, sipas rregullave të kohës, kishte marrë në kontroll, pilotët vartës, në elementet e teknikës së pilotimit. Në vlerësimin e elementeve të fluturimit, u habita kur lexova se Fariun e kishte vlerësuar: "mjaftueshëm".

Mbylla dosjen e vura në raft e vazhdova punën. Për dreq, atë që lexova ia dëftova atij që kisha në krah, me porosinë që ta mbante për vete sekretin. Por atij nuk ia kishte mbajtur gjuha dhe e kishte dekonspiruar, tek protagonisti.

Të nesërmen, "shefi" ynë, sapo erdhi në Arkivin Qendror të Ushtrisë, pa filluar nga puna, turfullonte e m’u drejtua, kërkoi dokumentin. E kuptova atë që kishte ndodhur.

U çova e vajta tek rafti ku ndodhej dosja. Një burrë i gjatë, të cilin me sa kujtoj e quanin Edi, më ndihmoi për të nxjerrë materialin, të cilin ia dëftova Fariut.

Ai, i shtrembëruar në fytyrë, me mllef me një ofshamë, tundi kokën e tha: "Edhe mua, ‘mjaftueshëm’?" Iku e nuk u duk më në Arkivin Qendror të Ushtrisë. Mbetëm pa përgjegjës e grupi u shpërnda. Humbën, si sëpata pa bisht edhe qëmtimet tona...