(Një kujtim, me rastin e festës së Aviacionit Luftarak Shqiptar)

Po afron 24 prilli, dita e Aviacionit Luftarak Shqiptar. Këtë vit, festa na gjen në kushtet e izolimit. Nuk takojmë dot as të dashurit tanë kolegë, me të cilët kemi punuar një jetë të tërë. Por, në ditët tona, edhe vetë aviacioni ynë ka mbetur në kujtesë. Përulemi me nderim përpara kujtimit të të rënëve, të cilët janë faqja jonë e lavdisë dhe rreshtohen në fondin e "artë" të armës sonë të lavdishme. Secili prej tyre është një histori më vete heroizmi e lavdie. Në forma të ndryshme, secili është përkujtuar e nuk mund të harrohet.

Por, koha rrjedh shpejt e gjërat nuk mbeten siç kanë qenë. Brezat zëvendësojnë njëri-tjetrin e njerëzit sikur janë tjetërsuar. Mjaft kokëbardhë, që janë akoma në jetë, kanë mbi supe përvojë të gjallë dhe janë dëshmitare të sakrificave mbinjerëzore që kanë bërë ata dhe kolegët e tyre për të vënë një tullë në murin e ngjitjes së armës sonë.

Ata kanë përcjellë gëzimet e arritjeve, por kanë përjetuar edhe mjaft dhimbje. Sidomos, mblojnë kujtime të çmuara nga rënia heroikisht e shokëve, në krye të detyrës.

Ajo që dua t’ju rrëfej, ka ngjarë midis nesh dhe është më se e vërtetë. Sado kohë që të kalojë, dhimbja që la pas ajo natë, nuk mund të shuhet...vijon.

Vijon...

Në pasditen e 22 nëntorit, të vitit 1986, dy helikoptere Mi-4, u nisën për të shpëtuar disa jetë adoleshentësh, të aksidentuar në Urën e Pilurit, në Bregdetin Jonian. Për fat të keq, ky "aksion", nuk rezultoi fatlum, si qindra të tjerë. "Aksioni" shpëtimtar përfundoi me një fund të lavdishëm, më katastrofë ajrore në të cilën ranë, në krye të detyrës, në të njëjtën kohë, ndonëse në vende të ndryshme, 24 jetë.

Mes tyre ishte dhe Pandeli Xhumba, nga minoriteti grek, në vendin tonë. Pandeliu zemërbardhë, ishte tekniku i njërit nga helikopterët që morën pjesë në këtë aksion. Portreti i tij ishte shumëplanësh. Dashuria për helikopterin dhe për shokët prevalonte mbi të tjerat, dhe ishte si ajo për familjen, të cilën e krijoi jo pa peripeci.

Zemërbardhi Pandi, nuk e pati jetën siç kishte zemrën. Njëri nga të dy djemtë, Ermali (ndjesë pastë), ishte me zhvillim të ngadaltë. Pandi e kishte pikë të dobët e kujdesej shumë e me merak, për të.

Zemërbardhësinë e Pandit e kam njohur dhe në planin e dashurisë e të kujdesit të tij, për kafshët shtëpiake. Atje ku punonte, në helikopter, Pandeliu kishte ndërtuar një kthinë, në të cilën mbante një qen. Pandi kujdesej për të dhe e ushqente vazhdimisht.

Atë pasdite, kur Pandi, me helikopterin e tij, u ngrit në ajër, qeni tentoi të shkonte pas "të zotit" por ai e zbriti nga helikopteri. Atë natë, Pandeliu dhe kolegët, nuk u kthyen në heliodrom, por mbeten në Malin e Llogarasë, për të mos u harruar kurrë.

Qeni e priti "të zotin" por ai nuk u kthye. E kërkoi gjatë, kafsha, "të zotin"; shkonte tek vendi ku qëndronte helikopteri dhe kauiste (qante), me potere. Kërkonte kujdestarin. A thua se dhimbja kishte kapluar edhe kafshën shtëpiake?... Unë them: Po!