Sot është dita e librit! Disa nuk e ndajnë nga dora e janë rritur me të; të tjerë nuk duan ta vështrojnë se mendojnë se janë të ditur e truri i tyre nuk nxe më. Më duhet të theksoj se libri është shoku, më i mirë ndoshta. Ai të gdhend e shërben si pasqyrë për t’u parë e për t’u ballafaquar. Ka një përparësi leximi, se duke u ballafaquar, në vetmi, bën dialog e nuk të dëgjon njeri. Ato që ke të përbashkëta e i çmon të mira i merr, ato që nuk të ngjiten, i flak tutje.
Në aviacion, aviacionistët, tradicionalisht kanë lexuar mjaft. Them kanë lexuar se aktualisht, të gjithë e dinë ku është katandisur arma jonë e dashur, për të cilën kemi nostalgji. Megjithatë, ata që kanë lexuar, sërish e gjejnë terrenin për të lexuar. Ata janë si ai kali (më falni për krahasimin) që është mësuar të vrapojë me galop e nuk bën dot ndryshe.
Ky izolimi dhe dalja e lirë me pikatore, më kujton kohët e shkuara, kur, shërbeja në Rinas e, për shkak të luftës imagjinare, pilotët dilnin në Tiranë, me përqindje, dy-3 herë në javë (të enjten, të shtunën dhe të dielën). Me radhë, sipas një grafiku që bënte Gezdari, si njeri i paanshëm e i ndershëm, ke zoti...vijon...
...vijon A nuk i ngjan kjo kohë (Karantina), asaj kohe? Paralelizmat historikë nuk janë aq të pranuar, megjithatë, duhet pranuar se ngjajnë.
Kam shërbyer rreth 10 vjet në Regjimentin e Helikopterëve, në Farkë. Si në të gjitha repartet e aviacionit, ca më tepër aty, njerëzit lexonin shumë dhe e donin librin. Natyrisht në mënyrë selektive. Nga ana ime, si përgjegjës për këtë sektor, jam shumë i kënaqur. Për të nxitur leximin, përdorëm, me dashamirësi një metodë origjinale:
Kishim të evidencuar ata që ishin me të vërtetë “miq të librit”. Të tillë ishin disa pilotë si: Osman Kushta; Aleksandër Kola; Ndoc Selimi; Sami Guzina; Veledin Resuli; Sinan Çela; Shpëtim Baxhaj; Tafil Agaj; Agim Nanaj; Hetem Mehmeti; Selman Meçe; Mustafa Cici etj. etj. dhe mjaft teknikë e specialistë, si Tajar Ramadani; Masar Lengo; Viron Troqe; Njazi Meta; Prelë Ndreka etj. etj.
Ishim lidhur me një librari, në Tiranë, me librare Kimeten, e cila, në mirëbesim na besonte dhe na i jepte librat, pa para në dorë. Në atë kohë libri artistik ishte i kufizuar e i merrnim si me triskë. Ato ekzemplare, shumë të kërkuara, nga autorë të zgjedhur, ua jepnim “miqve të librit”.
Por, në kuadrin e përhapjes së librit, në kushtet që dihen, shpërndanim dhe librin politik, me listë mbi bazën e organizatës-bazë të partisë. Përgjigjej çdo sekretar, i cili u jepte librat njerëzve dhe, kur merrnin pagën, u mbante paratë. Kujt ia mbante të mos merrte serinë e Veprave të udhëheqësit kryesor?... Njerëzit vështronin njëri-tjetrin dhe merrnin veprat që të mos diferencoheshin. Bëmë mirë apo bëmë keq, njerëzit u detyruan të lexonin, kur librin e kishin në shtëpi.
Edhe një herë: Gëzuar ditën e librit dhe lexofshi sa më shumë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.