a) Parë nga këndi filozofik i vështrimit:
Shoqëria njerëzore ka rendur në disa etapa. Njëra etapë i ka paraprirë dhe ka përgatitur pasardhësen. Brezat vërtet pasojnë njëri-tjetrin por nuk ngjajnë. Një gjë dihet e nuk ka nevojë të vërtetohet. Brezi që vjen pas i mbështet këmbët mbi shpatullat e të mëparshmit. Ai nuk mbetet pa gjë por trashëgon diçka.
Çfarë të thuash për një takëm njerëzish, të cilët vetëm mohojnë dhe hedhin baltë të pamerituar për kohën dhe për punën e brezit të shkuar. Nuk më duket e drejtë të mohosh çdo gjë, edhe kur ajo i ka shërbyer progresit. Zhvillimet dhe ndryshimet nuk mund të mohohen. Ai që ngjitet lart, me siguri që diku është mbështetur. Jeta e njerëzimit mbi tokë, nuk është zhvilluar në vijë të drejtë por me zigzake dhe ngjitja ka qenë me spirale. Kështu do të jetë.
Dikur, ata që sot i vështrojmë të rreshkur e në nevojë për ndihmën e të tjerëve, dikur "bluanin edhe hekurin!" Të braktisësh, siç ka ngjarë, të dobëtit e ata që kanë nevojë për ndihmë e për mbështetje, mendoj se është mëkat. Le ta kthejmë si të duam; mësimet janë po ato. "I lumi ai që e di vendin ku e ka dhe e kupton zhvillimin siç duhet kuptuar!" Shpresoj të kem predikuar boll; le të zbresim në terrenin konkret të gjësë:... vijon...
b) Parë nga këndvështrimi i realitetit konkret, me pluse e me minuse:
Këtë shkrim po e kufizoj vetëm me shembuj nga jeta e aviacionistëve shqiptare, pa u shtrirë më gjerë. Më tej, nuk e shtyj dot, jo vetëm për shkak të mungesës së dijenive. Nga sa kam përjetuar e nga ato që kam parë me sytë e mi, pavarësisht nga hipokrizia, e cila është shndërruar në art e ka kapur maja, situata konkrete paraqitet disi më tjetër:
U pi dollinë atyre vajzave dhe djemve, të cilët, sa i kanë pasur pranë, u kanë shërbyer me dashuri e me dashamirësi dhe me përkushtim e me kujdes të shtuar, atyre që i kanë sjellë në jetë. Veçoj, një takëm vajzash, të cilat e kanë treguar me fakte se përgjërohen për prindërit. Mund të veçoj disa vajza, të cilat i kam cilësuar, jo pa kuptim: "Vajza Bravo". Në Vlorë bija e Nënës dhe e Babait fisnik, ka bërë sakrificë të madhe kur, Babait fatkeq, të mbetur i vetëm e në nevojë, i ka shpurë të birin dhe nusen e tij, në shtëpi, për ta menaxhuar.
Një tjetër "Vajzë Bravo" nga Tirana, e martuar përtej detit me një vendas, mori në shtëpinë e saj dy prindërit dhe i menaxhoi për bukuri, duke treguar dhembshurinë dhe edukatën e kulturën që i kanë mëkuar ata. Shembuj të tjerë, gjen, jo pak në jetën tonë të përditshme. Motrat Kule dhe vëllai i tyre Bujari, e mbajnë Nënën e tyre të moshuar- Zoicen si palë trëndafili, e si amanet të të mirit Andrea Kule. etj. etj. etj.
Të më falin lexuesit që shembujt pozitive po i shkruaj me emra ose me iniciale, kurse tek ata negative, po tregohem disi i rezervuar. Jo nga frika por që të mos lë shteg për polemika të kota.
Nuk janë vetëm vajzat, me natyrën e tyre të veçantë, që kujdesen për ata që i sollën në jetë. Çfarë mund të thuash për Anduelin, i cili menaxhon Vangjon, me gjithë çfarë i kërkon mosha dhe gjendja shëndetësore. Ose Enieli, i cili e vështron Flamurin në dritë të syrit dhe e mban, në pëllëmbë të dorës.
Mund ta marrim për model rastin e të birit të Safet Golemit, i cili, sa e pati në jetë Babanë aq të mirë, e menaxhoi në mënyrë shembullore dhe kur Ai u nda nga jeta, përgjërohet për Të. Kështu dhe i biri i Xikes; Redini i Nazifit etj. Elioni i Bekesw, vjen çdo vit nga Seattle, në Korçë, për të bërë homazhe tek varri i Babait. Ai dhe e motra Etleve, së bashku me Mamanë e tyre, janë përfillur për të ngritur një muze familjar kushtuar njeriut të mirë Robert Marko.
Më ka lënë mbresë të thellë e nuk më del nga mendja një rast i cili mund të jetë unik. Albi, kur u nda nga jeta Babai i tij, në një aksident ajror, ishte ndoshta në pelena. Kanë kaluar rreth 50 vjet që atëherë dhe Albi, jo vetëm që e kujton dhe pyet për Babanë, por ka ruajtur mjaft relike të Babait dhe shkon shpesh në mes të xhaxhallarëve të tij dhe të afërmve të Babait.
Nuk mund të pajtohem me disa të rrallë, që thonë: "Nuk e kemi njohur babanë, neve na ka rritur daja" etj. etj..
Po e mbyll shkrimin me urimin e çiltër: "U shumofshin e paçin vazhdimësi ato (ata) që çmojnë vuajtjet e atyre që i sollën në jetë e i rritën me mundime...".
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 20 tetor 2024
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.