Ka ngjarë vërtet; mos t'ju duket habi. Njeriu mund ta takojë Vitin e Ri edhe larg familjes. Kjo diktohet nga kushtet dhe nga rrethanat.

Në fundvitin 1982 ndodhesha në vendin e quajtur Hani i Hotit, me detyrë dhe Vitin e Ri 1983 e prita dhe e takova, pikërisht në Hanin e Hotit, mes ushtarëve, oficerëve dhe kufitarëve. Nuk isha i vetëm. Si unë ishin dhe rreth 150 oficerë e rreth 1500 ushtarë. Ata vinin nga rrethe e nga krahina të ndryshme. Të gjithë ishin efektivë të reparteve të aviacionit.

Ishin vitet e Luftës së Ftohtë. Kërkonim armiq edhe në vendet ku nuk kishte të tillë. Përgatiteshim për të pritur jo një por një koalicion armiqsh.

Bënim transhe në një terren tejet të vështirë shkëmbor, në Hot dhe në Veleçik. Minat dhe eksplozivët u përdorën në masë. Xhenierët ishin në veprim e në monitorim. Çdo ditë bëheshin rreth 500 shpërthime dhe asnjë ushtarak nuk pësoi lëndime. Ushtarët, të cilët punuan 1 muaj vullnetarisht, pas plotësimit të afatit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kishte raste punonin edhe në anën tjetër të klonit famëkeq por asnjë shqetësim nuk patem.

Rrahman Xhaferllari, shef i xhenjos i Regjimentit të Zadrimës, ndonëse i ri në detyrë, me karakterin dhe aftësitë e tij teknike, duke shpërfaqur në "fushën e betejës": aftësi, kulturë dhe disiplinë ushtarake e teknike, u dha udhë problemeve të vështira që u shfaqën në atë faqe mali mbi liqen, përballë doganës. Vunë duart në kokë e u skandalizuan, punonjësit malazezë të doganës kur u fluturonin mbi kokë gurët që shpërthenin nga plasja e mbushjeve që përgatiste mjeshtër Rrahmani.

@ batalione u sistemuan në kazermat që shërbenin si shkollë instruksioni të kufitarëve të rinj kurse një batalion u sistemua në vendin e quajtur Jugomire.

Disa dhjetëra metra sipër doganës, ishte një postë kufitare shqiptare ku shërbenin 3-4 ushtarë dhe një kapter nga Kruja. Për të më respektuar mua dhe efektivat që përfaqësoja, më ftuan ta festonim së bashku Vitin e Ri 1983.

Vajta. Nuk dinin ku të më vinin e si të më nderonin. Kishin dhe një lopë në postë. Ajka e qumështit të ngrohur, të mbyste. Ambienti shumë i ngrohtë. Jo nga soba që çlironte nxehtësi por më shumë nga fryma e dashurisë që shpalosën kufitarët.

Më servirën lloj-lloj ushqimesh. Më shumë më dhuruan mirësi. Qëndrova 3-4 orë mes kufitarëve dhe mora me vete tërë afshin e respektit dhe të dashurisë së tyre.