Në vitet '70 të shekullit të shkuar e më pas, kur praktikat sovjetike të stërvitjes së Ushtrisë Popullore u zëvendësuan me ato kineze, marshimet e këmbësorëve por jo vetëm u bënë masive e zunë vend kryesor në procesin e Ushtrisë Popullore. Qëllimi i tyre synonte, kryesisht, kalitjen fizike të efektivave për të përballuar sakrificat që kërkonte një luftë e mundshme. Por, ato u ekzagjeruan deri në atë shkallë saqë njerëzit që u nënshtroheshin këtyre marshimeve, në vend që të kaliteshin - rraskapiteshin. Kujtimi që po ju përcjell është një ndodhi nga të shumtat stërvitje "torturuese" të asaj kohe.
Në një vapë përvëluese gushti, Brigata e Gjashtë e këmbësorisë, me krenarinë e emrit të lavdishëm që mbante, u ngrit në alarm të befasishëm. Komanda eprore shtroi detyrën: Të tre batalionet që e përbënin, të niseshin në marshim, secili në një drejtim të caktuar e të bashkoheshin diku në rrethinat e Delvinës. Më pas, urdhri u moderua dhe njëri nga batalionet do të marshonte veçmas dy të tjerëve.
Njëri nga batalionet do të marshonte nëpër Mallakastër, do të kapërcente lumin Viosa, do të ngjitej monopateve, në të përpjetën që të çon në Kurveleshin e Sipërm dhe, në rrethinat e Delvinës do të bashkohej me dy batalionet që marshonin në Luginën e Shushicës.
Komanda Eprore dha urdhër të përgatitej një aeroplan i tipit An-2, për të kryer detyra zbulimi. Duhet të gjendej çdo batalion që marshonte, në hartë të shënohej ora dhe vendi ku u zbulua e të raportohej, me radio, në organin urdhërdhënës.
Në atë kohë fluturoja në aeroplanët e transportit të lehtë të tipit An-2, i cili fluturonte në 10 destinacione të ndryshme ajrore; njëri nga të cilët ishte zbulimi nga ajri.
Detyra që duhej kryer, nuk ishte aq e lehtë për t'u kryer. Duhej pasur parasysh se ai fluturim do të kryhej në mesditë, kur temperaturat e mjedisit ishin tepër të larta; fluturohej mbi një terren të theksuar malor, ku era dhe zhvillimet vertikale e lëkundnin aeroplanin sikur të ishte një leckë e varur dhe komandimin e tij e bënin të vështirë... vijon...
...vijon dhe mbaron...
Për të kryer këtë mision me përgjegjësi e të vështirë, u caktua njëri nga aeroplanët me të dhëna më të mira, të parkut të avionëve dhe njëri nga teknikët e bordit, më të devotshëm. Për hir të së vërtetës, nuk kujtoj numrin anësor të aeroplanit; as emrin e teknikut të bordit që e menaxhonte atë aeroplan. Në ekipazh isha me pilotin me përvojë Llazar Miti Çupa. Për të na ndihmuar për gjetjen e kolonave të marshuesve, morëm në bord, pilotin e aftë Budjon Koço Tollkuci, i cili, atë kohë sapo kishte ardhur nga Regjimenti "Peza" i Qytetit "Stalin" ku kishte fluturuar në aeroplane reaktive.
Budjoni u pajis me një palë dylbi, të cilat i vari në qafë, dhe zuri vend mes dy pilotëve. Ai vrojtonte, me vëmendje çdo monopat dhe na sinjalizonte për atë që vështronte.
U ngritëm nga aerodromi i Tiranës (Laprakë), afër mesdites, me llogari që në kohën kur dielli ishte në "zenit", dhe temperaturat e ajrit rrethues të arrinin maksimumin e atyre ditëve, të fluturonim në rajonin malor të Salarisë.
Përshkuam Mallakastrën, në lartësinë rreth 800 m, kapërcyem lumin e Vioses dhe në lartësinë rreth 1000 m nga sipërfaqja e tokës fluturuam mbi Përroin e Salarisë, duke pasur në fushëpamje faqen jugore të Malit të Këndrevicës. Lëkundjet e fuqishme të ajrit dhe ndikimi i reve grumbullorë që nisën të formoheshin në ato maja malesh po na e vështirësonin drejtimin normal të aeroplanit.
Kur ndodheshim sipër asaj maloreje të theksuar Budjoni, jo pa patos, vuri re të lëviznin disa njerëz, të cilët ecnin, njeri pas tjetrit, sipas qejfit. Kolona e marshuesve ishte e ndërprerë vende-vende dhe ushtarët ishin të "shpartalluar". Disa i mbanin armët dhe pajisjet sipas dëshirës, të tjerë ishin të zhveshur, nga mesi e lart dhe bluzat i kishin lidhur pas kokës që të mos i digjte dielli. Mund t’u vije çfarëdo emri, veç kolonë ushtarake në marshim nuk ishte ajo bashkësi njerëzish.
Budjoni, i entuziazmuar klithi: "Ja, ja tek po ngjiten malit përpjetë, por janë shpërndarë kokrra-kokrra". Ai shënoi në hartën që mbante tek gjuri, vendndodhjen dhe orën kur i pa. Me tekst të shkurtër e të koduar, komandanti i ekipazhit raportoi në qendër.
Më tej, bëmë një rrotullim djathtas për të dalë mbi luginën e Shushicës. Në korijen me pemë të fshatit Bolenë, Budjoni, plot entuziazëm të bazuar, raportoi: "Vështroj nëpër korije të ecin në njëshkolonë disa njerëz, të cilët marshojnë në rregull dhe të rregullt". Pastaj, "zbuluesi" bëri si në radhën e parë: Shënoi në hartë vendin dhe kohën e zbulimit të dy batalioneve.
Normalisht erdhëm në ulje, në aerodromin e ngritjes. Të tre ishim qullë në djersë. Kur zbritëm nga aeroplani, ndjemë një lloj krenarie dhe pamë njëri-tjetrin në sy, dhe buzëqeshëm të lumtur që kishim kryer një detyrë serioze dhe të vështirë.
Kujtoi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 23 nëntor 2024
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.