Ishte verë e vitit 1966. Në aerodromin e Poros zhvilloheshin fluturime intensive me studentët për pilotë gjuajtës-bombardues. Isha në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit në aeroplanët gjuajtës-bombardues të tipit Mig -15. Studentët për pilotë ishin 20 djem të zgjedhur, fizikisht të kuruar dhe mendërisht të kthjellët; të cilët të merrnin gjak në vetull. Ata premtonin shumë dhe e patën udhën plot lavdi. Disa syresh kapën maja të pilotimit e të karrierës dhe u bënë dikush, në jetë. Në grupin e studentëve që m’u besuan për t’i trajnuar ishin: Alqiviadh Dede; Hetem Aliaj; Bilal Sina dhe krutani Azis Alla.

Ishte koha kur kishim përfunduar vozitjen në rreth me studentët dhe kishin filluar fluturimet në pilotim (në zonë). Ishte fundi i ditës së fluturimit dhe personalisht ndihesha i lodhur. Se nuk është e lehtë të bësh 8 fluturime në pilotazh, brenda ditës së fluturimit dhe me studentë në kabinën e parë. Edhe gjumin nuk e kisha bërë të plotë.

Në udhëheqje të fluturimeve ishte shkodrani Salih Muho Dibra, pilot i klasit të dytë. Rreth tij, në grupin e drejtimit ishin: Kostandin Sadikaj; Lulzim Bilbili; Bashkim Kozeli; Bilo Avdullaj; Drini Shtylla, traktoristi; shoferi i makinës tërheqëse; shoferi i zjarrfikëses dhe ekipazhi etj. Inxhinieri i skuadrilës- Novruz Kocileri nuk mund të mungonte.

Në ekipazh (grup fluturues) menaxhoja avionin mësimor, të tipit Mig -15, me numër anësor 30, fare i ri e i pajisur me motor VK-1 A, me të dhëna fluturuese mjaft të mira. Teknik i aeroplanit ishte Shyqyri Llangozi; mekanikut nuk ia kujtoj emrin. Pluhuri i bardhë i rërës që ngrinin avionët kur lëviznin, kishte hedhur velin e bardhë, mbi çdo gjë; njerëzit shquheshin me vështirësi, jo vetëm se në kokë kishin hedhur napë të bardhë për t’u mbrojtur nga pluhuri, nga përdhezat dhe nga vapa. Ishte muaji korrik dhe dielli ishte thuajse në zenit; vapa të përvëlonte.

Studentët për pilotë kishin siguruar shtemba, të cilat i mbushnin me ujë të freskët nga boti që vinte nga Vlora dhe i futnin në tokë që të mos ngroheshin. Shtemba me ujë ishte për instruktorin. Në këtë kuptim ndihesha i privilegjuar.

Ishte fluturimi i fundit i asaj dite. Ndihesha i lodhur. Në kabinën e parë, ishte studenti për pilot Alqiviadh Dede, (ndjesë pastë) nga Vunoi i Bregut. Alqi ishte njëri nga studentët më të mirë e më të kompletuar të grupit prej 20 djemsh azganë. Me patjetër Ai ishte dhe më i miri i grupit të ngushtë.

Do të fluturonim në pilotim, në lartësinë 4000 m, për 30 minuta. Pilotimi do të kryhej në rrafshin horizontal dhe në atë vertikal.

Dolëm në brezin e ngritjes. Sipas rregullit, provuam punën e motorit, në xhirot maksimale. Çdo gjë ishte në rregull. I kërkuam leje Udhëheqësit të Fluturimit e Ai na orientoi të shkonim në Derdhjen e Vjosës, ku ishte një zonë pilotimi. (Zona Nr-2).

Mbaruam ushtrimet dhe kërkova humbjen e lartësisë. Udhëheqësi i Fluturimeve; shkurt, qartë dhe prerë, më urdhëroi: “T'u fik motori, hajde në ulje, me motor të fikur”! Kuptova se më ishte dhënë imitim e duhet të planeroja, duke shfrytëzuar për të siguruar shpejtësinë, humbjen e lartësisë, duke shfrytëzuar cilësinë aerodinamike të avionit dhe xhirot e turbinës rreth 2500 xh/min apo, siç thonë shoferët, në minimo. Me SPU i dhashë urdhër studentit: Nga ky çast, avionin do të komandoj unë!

... vijon... Ula “hundën” e avionit dhe i mora gazin plotësisht. Edhe me xhiro minimale, forca tërheqëse ishte e pranishme e duhej llogaritur. Duke humbur lartësi kujtova me mendje skemën e uljes pa motor dhe sa duhet të ishte lartësia në pika të ndryshme. Në vetvete ndjeja përgjegjësinë për ta ulur avionin tek koka e “T”, me profil të rregullt. (me dy pika dhe me pozicionin e rrotës së parë të ngritur rreth 15 cm). Studenti që kisha në kabinën e parë ishte djalë i zgjuar e i dalluar në pilotim, megjithatë, edhe Ai mendonte: “E di xhaxhai!” I kisha thënë të mos merrej me pilotimin e avionit.

Në travers me shenjën “T” ishim në lartësinë 1500 m. Normal. Në çdo pikë, ku duhej, raportova, por përgjigje nuk mora. Gjeneratori, si burim rryme, në xhirot minimale ishte jashtë funksionit.

Kur bëra kthesën e katërt e kuptova se isha lart. Era frynte e lehtë, me rrahje, nga prapa, gjë që bënte të “shuhej” me vështirësi shpejtësia. Epo, do ta rregulloj, gjatë planerimit, pas kthesës së katërt, mendova!

Studenti, edhe pse e kuptoi parregullsinë, nuk ndërhyri fare. Për studentin që mëson për t’u bërë pilot, instruktori i tij është si “Perëndi” dhe vlerat e Tij, studenti ka qejf t’i hiperbolizojë.

U përpoqa të korrigjoj, duke bërë rrëshqitje; flatrat dhe rrotat i kisha lëshuar, lëshova dhe frenueset, por shpejtësia nuk ulej. Tentova të kaloja në rrethin e dytë; i dhashë përpara dorëzës së gazit por motori ulëriti. Motori me turbinë është e qartë që e ka akseleracionin më të ngadaltë nga motori me pistone.

E mblodha mendjen, le të bëhet çfarë të bëhet; aerodromi është rreth 4 km. i gjatë e mjafton sikur të ulem edhe në mes të tij. Tokën, për fat të mirë e vështroja mirë dhe lartësinë nga toka, e përcaktoja saktë.

Në një çast, më vajti mendja ta përplasja avionin me tri pika por u bëra pishman menjëherë. Thashë me vete: “Më mirë me një turp sesa me dy turpe”! Avioni do të çohet përsëri, në kazjoll (cjap) dhe pastaj është e vështirë ta korrigjosh.

Rrotat takuan në një ulje normale, por tek nisja e brezit të ngritjes. Për të frenuar më ndihmoi rëra. Lirova brezin e ngritjes, dhe dolëm, të dy nga kabinat.

Në çast, një karvan me mjete e me njerëz vërshuan tek avioni. Grupin e udhëhiqte vetë Babace Faiku. Në atë grup mjetesh ishte zjarrfikësja, autoambulanca, traktori, makina tërheqëse etj. Kujtonin mos kishte pësuar gjë instruktori dhe uljen e kishte bërë studenti. Por nuk ishte ashtu, unë kisha gabuar në llogaritë e fluturimit.

Të nesërmen, më planëzuan fluturim kontroll, në të njëjtën zonë pilotimi, në të njëjtën lartësi, me të njëjtin aeroplan. Kontrollues ishte Kostandin Sadikaj, njëri nga “Ikonat” e aviacionit tonë. Bëmë ushtrimet e planëzuara, më dha dhe imitim, në fund. Kësaj herë kisha nxjerrë mësime nga gabimi që lejova. U ula tek koka e “T”-së. Kontrolluesi më dha vërejtjet: “Shumë mirë, më tha, Kosta, kam vetëm një vërejtje: Mos i jep mbingarkesë të madhe, kur bën figura pilotimi, mbasi studenti nuk do të mësojë gjë”! E drejtë fare!

Poeti i shquar Bashkim Kozeli, i cili, në atë kohë ishte meteorolog dhe për rastin bëri një poezi!

Kujtoi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 18 dhjetor 2024

Kërkoj mirëkuptim:

Qëllimi i këtij rrëfimi, i cili zë fill në një të shkuar të lashtë, nuk është për të rrëfyer veten, mbasi kolegë të tjerë kanë përvojë më të begatë. Meqenëse kanë shkuar shumë vite e mjaft detaje janë harruar, dua të vë në provë kujtesën time. Dhe, këtë e theksoj; me këtë rrëfim, dua t’i bëj homazh Alqiviadhit, i cili u nda nga jeta herët, nga një sëmundje e rëndë dhe në dhe të huaj!

  • Shpresoj në mirëkuptimin tuaj!