Kujtimi që dua të ndaj me ju ka ngjarë në vitin e largët 1965. Fluturonim në kapje ajrore dhe në sulme tipike. Objekt kishim të vetmin aeroplan bombardues fronti të tipit IL-28. Duhet ta kapnim, në lartësinë 6000 m dhe ta sulmonim në çift, në rrafshin horizontal.

Në çift isha shoqërues i të ndjerit Vasil Kromidha. Aeroplanin IL-28 e pilotonte "legjendari" Barjam Hitaj, të cilit, për respekt i thonim "Batja" = baba. Teknik aeroplani ishte "gjigandi" nga Ftera, i lindur në Ballesh Skënder Sherif Dusha. Shturman (aviodrejtues) i aeroplanit ishte korçari Jorgaq Bahshevani (shok grupi) kurse në rolin e radistit dhe qitës njëkohësisht, ishte Adem Skënderaj, nga Mallakastra. Përkohësisht, në vend të tij fluturonte Skënder Dusha.

Atë ditë, në vendin e Jorgaq Bahshevanit, ishte ulur Koloneli Niko Hoxha, komandant i Regjimentit të Rinasit. Nikoja donte të vështronte si bëhej kapja nga çifti Mig-17F dhe si realizohej sulmi tipik në rrafshin horizontal.

Nuk e patem të vështirë ta zbulonim gjithë atë katana; as ta sulmonim. Udhëheqësi i fluturimeve na dha urdhër, ta vinim bombarduesin në mes dhe në treshe aeroplanësh të kalonim mbi aerodrom, në lartësinë 700 m, në formacion të ngushtuar. Ashtu bëmë.

Unë u pozicionova në anën e djathtë të bombarduesit, kurse Vasili në të majtë të tij. Ishim aq afër sa dukeshin siluetat e njerëzve por nuk dallohej qartazi fytyra e tyre.

Me Gaqin, si shokë grupi, bëja shaka të rëndomta. Ai më thoshte kokëmadh e unë hundëkarrotë. Kur ndodheshim duke ardhur mbi start, me dorën e majtë të shtrirë përpara fytyrës, i bëja shenjë shturmanit, duke kujtuar se ishte i ulur Jorgaqi, se e kishte hundën të madhe.

Skënder Dusha që e dinte, lëvizte në kabinë dhe më bënte me shenjë se në kabinë është Koloneli, duke më bërë me shenjë në supe se kishte pllaka të mëdha. Nuk po e kuptoja atë që më rrëfente shoku im.

Pastaj, Skënderi më bëri shenjë se ai që është në kabinën e shturmanit është me mustaqe. As këtë shenjë nuk e kuptova. Isha tepër i emocionuar e doja të mbaja vendin në formacion.

Kur zbritëm nga kabinat dhe pashë të zbriste Koloneli, nuk gjeja vrimë ku të futesha. Do ti që Koloneli nuk më tha asnjë fjalë, as atë çast; as të nesërmen kur u zhvillua analiza e fluturimit. Aq zemërgjerë e i edukuar ishte ai njeri.

Sqarim: Ndonjëri mund të thotë: I je qepur atij Vasil Kromidhës e nuk i ndahesh! E vërtetë por nuk kam për qëllim denigrimin e tij mbasi Vasili ishte pilot i shkëlqyer. Por mua me atë më ra shansi të fluturoja dhe të bëja shërbim në çiftin roja. Njëherazi dua ta kujtoj atë njeri, me të cilin më lidhi fati e fluturova për një kohë të gjatë.

Kujtoi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 27 dhjetor 2024