Rrëfimi që pason është e nuk është vetjak. Ai, vërtet më ka ngjarë mua, por, në forma të ndryshme dhe jo në të njëjtën masë ndikon e prek edhe të tjerë. Raste të përafërta mund t’ju kenë ngjarë edhe juve, ose mund t’ju ngjajnë në të ardhmen.
Të mos shmangemi nga tema:
Pozicionohem:
Dëgjoj tutje tehu, për “gënjeshtra të bardha”. Në gjykimin tim, gënjeshtra nuk mund të ketë ngjyrë. Ajo, në çdo rast është paraqitje e tjetërsuar e realitetit jetësor. Ato (ata) që përkrahin idenë e gënjeshtrës së bardhë, them se këtë qëndrim e mbajnë nga halli. Ndoshta nuk u mjafton forca e argumentimit për të shpjeguar të vërtetën. Sidomos kur bëhet fjalë për komunikimin me të vegjëlit e paditur.
Në raste të tjera, gënjeshtra e ashtuquajtur e “bardhë”, shërben për të mbuluar një prapësi apo për të justifikuar një paudhësi. Por, kur gënjeshtra del nga goja e një maxhoreni drejtuar një tjetër maxhoreni, çështja merr të tjera përmasa.
Ishte 22 tetori i vitit 1979. Pas tërmetit shkatërrues që rrafshoi Bahçallëkun në Shkodër dhe tronditi e bëri gërmadhë, në disa vise të tjera të vendit tonë. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës Socialiste të Shqipërisë, Enver Hoxha, mbasi inauguroi lagjen e re të Bahçallëkut, të ndërtuar nga e para; atë ditë, Udhëheqësi i Partisë së Punës zhvilloi një takim me efektivat e Aviacionit Shqiptar në Regjimentin e Zadrimës. Një ditë më parë, në këtë Regjiment, kishte kaluar Numri 2 i shtetit, Kryeministri i vendit - Mehmet Shehu.
Ishte njëri nga vitet kulmore të propagandimit dhe shpërfaqjes së potencialit që dispononte Partia e Punës; lavdia e saj kishte kapur maja. Gëzim të madh solli në zemrat e ushtarakëve që do të merrnin pjesë në atë takim, të cilët vinin nga të gjitha repartet e aviacionit dhe ishin në listën e preferuar mes të përzgjedhurve.
Aso kohë isha në detyrën e zv/sekretarit të Komitetit të Partisë së Aviacionit, me seli në godinën e Ministrisë së Mbrojtjes. Gëzoja, ca më shumë se të tjerët, për faktin se më jepej shansi të vështroja nga afër, mundet dhe të takoja udhëheqësin e shtrenjtë të partisë e të shtetit. Njëherazi, ndjeja një përgjegjësi të patreguar për mbarëvajtjen e këtij takimi historik.
E kisha pasur një mundësi, më 24 prill të vitit 1971, kur në Rinas u zhvillua një paradë aviacioni, ku Enver Hoxha, ishte në tribunë dhe u kënaq shumë. Nuk pata mundësi të tjera, veç të trokas gotën me raki me Të dhe kjo më solli një kënaqësi të veçantë.
Mendova se tashmë më kishte ardhur fati tek dera por u zhgënjeva keqas, apo siç thonë rëndom: Më vate mundimi dëm.
Ishin marrë masa serioze, për të siguruar këtë takim. Terreni u mbush me roja; disa të veshur me uniformë ushtarake e të tjerë me petka civile. Të gjithë të armatosur e të stërvitur mirë. Le që të pranishmit ishin të besuarit e regjimit: Ushtarët ishin të kategorisë së parë; oficerët “të qëmtuar me kujdes”; Pilotët - njerëz pa pasaportë dhe teknikët e specialistët e aviacionit ishin nga më të besuarit.
Enver Hoxha, kaloi nëpër tunelin kryesor, nën mal e u mrekullua me punën gjigante cilësore që ishte bërë. Në hyrje të tunelit kryesor u improvizua një tribunë ku zunë vend, përveç Udhëheqësit, komanda e Regjimentit, Komanda e Aviacionit Shqiptar dhe të tjerë, plot. Po çfarë ngjau më tej?
Nuk u gjend një vend pranë Udhëheqësit, mbasi isha shtatshkurtër, por më privilegjuan duke u pozicionuar përballë Enver Hoxhës, në një distancë rreth 10 m. Me një bllok e me një laps, u dyzova e nuk dija si të bëja. Duhet të vështroja Enver Hoxhën dhe njëherazi, duhet të shkruaja, me laps, çdo fjalë që dilte nga goja e tij.
E kishin udhëzuar bukur për ato që do të fliste dhe, në fakt, foli sikur të ishte pilot, teknik e specialist aviacioni. Ato që dolën nga goja e udhëheqësit, më pas u shfrytëzuan si material propagandistik. Kujtoj që Ai tha: “... Piloti do të fluturojë, por mendja nuk duhet t'i fluturojë ...” etj.
Mbasi mbaroi fjalimin, pa letër, Enver Hoxha lëvizi përpara për të takuar popullin. Mendova: Tani është çasti historik për ta takuar. Kur u afrua; edhe unë bëra përpara. Doja ta përqafoja, por Ai ishte i gjatë dhe vetëm sa e pushtova, për beli. Koka ime nuk ngjitej më lart se gjoksi i tij. E përtypa këtë çast.
Më e keqja më ndodhi pas kësaj. Më erdhi njeri nga shoqëruesit kryesorë të Enver Hoxhës e më tha: “Ma jep mua atë bllokun se kemi ca rregulla dhe unë do të ta kthej përsëri”. Më gënjeu se nuk ma ktheu kurrë. Në bllok kisha dhe shënime të tjera, me vlerë, por, të gjitha shkuan e vanë.
Si partiak i bindur, u largova nga ky takim me një gëzim dhe energji pozitive të cilën nuk lashë rast pa e rrëfyer.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 6 janar 2025
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.