U nda dhe një “shqiponjë” nga radhët tona!

Kur ndahet nga jeta një njeri, rëndom i thuhen fjalë të mira, edhe nga ato, të cilat mund të mos i meritojë. Xhevair Shega, ishte siç kishte emrin. Nëse mund të thuash ndonjë mangësi të Tij, më e gjetura mund të jetë shtati i tij i shkurtër. Në atë shtat të vogël rrihte një zemër e madhe.

Zemërbardhë, gojëmjaltë, fjalëëmbël, njeri me sjellje të mëndafshtë, me mendje të kthjellët e durimmadh; të tillë e njoha atë njeri. Mendoj se ing. Xhevairi, gjatë gjithë jetës së Tij, nuk ka këmbyer fjalë me asnjërin. Në shoqëri nuk e kishte të ngjashmin, në punë ishte i saktë e me vullnet.

Si “bletë” punëtore, çdo punë që zinte me dorë ing. Xhevairi, i shkonte deri në fund, me kompetencë. Mund të them, pa e tepruar se ing. Xhevair Shega, ishte një “Qendistar” i punëve në teknikën fluturuese. Kur e pyesje për ndonjë problem teknik, Ai të kapte për dorë dhe me buzëqeshje e durim të sqaronte gjerë e gjatë, pa lënë asnjë qoshe të errët.

Ing. Xhevair Shega, ishte një njeri i disiplinuar, në vetvete dhe sistematik. Në jetë mbante ditar dhe shkruante bukur e me vërtetësi. Duke shfletuar librat, sot, gjeta një libër të cilin ma ka dhuruar ing. Xhevua, në vitin 2012. Libri titullohet: “Në Kinën e largët” dhe përmban shënime, me analizë nga Ai njeri mendjeplotë.

Ing. Xhevair Shega i donte shumë shokët dhe kolegët, të cilët e donin dhe e nderonin - gjithashtu. Kohët e fundit, ishte shëndetlig, por shumë rrallë mungonte në atë kafen e mëngjesit, me një pjesë të veteranëve të aviacionit.

Njoftimi i trishtë për ndarjen nga jeta të Ing. Xhevair Shegës, më tronditi e më ligështoi. Ing. Xhevairi do të na mungojë fizikisht e do të kemi nevojë për mendimin e tij të mprehtë e kompetent.

  • I paharruar qofsh o shoku ynë i dashur ing. Xhevair Shega!

  • Lamtumirë o njeri i mirë; u prehsh në paqe!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, koleg i ing. Xhevairit; në Tiranë, më 5. 01.2025.