Në muajt e verës të vitit 1959, në fushën ranore të Poros, në rrethin e Vlorës, në hyrjen Jugore të pishës masive ishte ngritur një kamping nga ushtarakët e Aviacionit Shqiptar dhe për trupat e kësaj njësie të Ushtrisë Popullore. Instruktorët e teknikës së pilotimit të Skuadriljes shkollë të Regjimentit "Peza" të Qytetit "Stalin", nën drejtimin e Niko Hoxhës (komandant i Regjimentit) stërviteshin, me qëllim kualifikimin për të fluturuar nga kabina e dytë. Ata ishin në pritje të studentëve për pilotë, të cilët, në atë kohë, ishin duke fluturuar në lëndinën e aerodromit të Qytetit "Stalin", me aeroplanët e lehtë me helikë të tipit Jak-18 A. Në grupin e studentëve të kësaj skuadriljeje, ishin: Divin Abazaj; Muço Muçaj; Bilush Imeraj; Lirim Kokona, Servet Muka; Sotir Majko etj. Niko Hoxha ishte nismëtar i formimit të Skuadriljes shkollë, brenda një skuadriljeje reaktive.

Në atë kohë, në fushën ranore të Poros, me përmasa "gjigante" dhe me strukturë tokë ranore, ulej e ngrihej dhe kryente detyra për artilerinë kundërajrore të vendit edhe aeroplani i vetëm bombardues fronti i tipit Il-28. Në ekipazhin e aeroplanit Il-28 ishin: Bajram Hitaj ose siç i thonim me respekt: (Batja); Seo Trola; "gjigandi" nga Ftera- Skënder Sherif Dusha dhe Adem Skenderaj. Ky i fundit ishte nënoficer aktiv, me detyrë qitës -radist.

Komandanti i ekipazhit- Barjam Hitaj, ishte njeri serioz dhe trim. Kuçioti me takëme Barjam Hitaj, ishte atdhetar i flaktë dhe guximtar. Guximi i tij shprehej dhe në faktin se "Batja" fluturonte drejtpërdrejt në avionin bombardues, pa fluturuar më parë, pas pushimeve të gjata, në avionë mësimorë. Në Poro, aeroplani bombardues, fluturonte për të kursyer gomat dhe karburantin, në ngritjen që bënte, për të tërhequr konusin, kundër të cilit qëllonin drejtpërdrejt, artilierët kundërajrorë. Edhe kjo vërtetonte, guximtarinë e Barjamit.

Fluturimet dhe sakrificat afatgjata të ekipazhit të bombarduesit e kishin kompaktësuar atë dhe e kishin bërë tepër kompakt, për të kryer këtë detyrë të vështirë e me përgjegjësi. Fluturimet për të tërhequr konusin kryheshin me ngritje herët në mëngjes kur turbulencat e ajrit nuk kishin nisur dhe mushkonjat nuk ishin aq aktive. Për këtë qëllim, ekipazhi çohej herët në mëngjes (me mugullirë) dhe e niste fluturimin kur dielli akoma nuk e kishte nxjerrë "synë".

Seo Trola, shok i grupit të Barjamit që nga shkolla e aviacionit "Maria Raskova" të Novosibirskut, ishte njeri me humor dhe "qendistar" i shakave, mes shokësh. Një ditë, "qendisi" një shaka, e cila kishte në vetvete, një rrezik iminent. Në kohën kur Ademi, me origjinë nga një fshat i Mallakastrës, ishte bërë telef nga fluturimi i gjatë dhe nga lëvizjet me pedale të Barjamit, të cilat e çonin Atë nga njëri cep në tjetrin, ishte shtrirë, përmbys, në hijen e një pishe dhe e kishte kapluar gjumi i rëndë. Gërhima i shkonte në kupë të qiellit. Ishte në gjumin e parë kur njeriu ndjen pak.

Përqark pisha e lashtë kishte lëshuar hala, të cilat ishin tharë aq shumë sa kur digjeshin, si barut lëshonin dhe një kërcitje të lehtë. Në atë mjedis, disa pisha ishin shkulur për të hapur vend që të zgjerohej kampingu të cilat, gjithashtu ishin tharë. Nën një pishe pranë, ishin ulur Pilotët instruktorë të teknikës së pilotimit si Salih Dibra; Sokrat Prifti; Hamdi Arapi; Agim Spahiu etj. dhe një grup pilotësh të Regjimentit "Peza". Ata pushonin dhe përballë tyre, i madhi Niko Hoxha, diçka u udhëzonte.

Seua dhe Skënder Dusha, mblodhën halat e thata të pishës dhe disa degë, të thata të pishave të shkulura, e rrethuan Ademin që flinte me to dhe i vunë flakën. Ademi ndjeu, u çua i llahtarisur, rrëmbeu një hu dhe u sul të hakmerrej, kuturu. Mirëpo Seua dhe Skënderi, autorët e grackës, ia mbathën vrapit në drejtime të ndryshme dhe Ademi, nëpër gjumë nuk dinte pas kujt të vraponte. Pilotët dhe Niko Hoxha u gajasën. Nikoja mbante duart në bel dhe qeshte.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 23 janar 2025; sipas rrëfimit të Skënder Sherif Dushës.