Kam dëgjuar se disa aktorë janë ngjitur në skenë e kanë luajtur role edhe kur gjendjen shpirtërore e kanë pasur të rënduar. Ndonjë këngëtar ka qenë i detyruar të këndojë edhe kur nuk i këndohej. Kështu dhe ndonjë sportist i cili nuk ka pasur dëshirë për të luajtur, por detyra ia kërkonte. Nuk më shkonte nëpër mend që një pilot, për të cilin, ngjitja në hapësirat qiellore është e shenjtë e të fal shumë adrenalinë, të fluturojë, pa dëshirë, vetëm se e kërkonte detyra e duhej t’i bindej një urdhri të pamenduar mirë.
Rrëfimi që po ndaj me ju është kujtim i vitit 1972, ka ndodhur në Tiranë, në muajin tetor të atij viti.
Ndodhia; shkurt: Në një qitje treguese me aeroplan, në poligonin shtetëror të Belshit ra, në krye të detyrës piloti e njeriu i rrallë, Azbi Ramadan Seranaj; me origjinë nga fshati Çorrush i Mallakastrës, efektiv i Regjimentit “Peza” të Qytetit “Stalin”. Azbi Ramadan Seranaj ishte nga ata djem, të cilëve nuk u ngjitej asnjë kritikë esenciale. Për atë njeri, mund të thoje se ishte më i mirë se sa duhej. E njihja personalisht; e doja dhe e respektoja shumë për atë që ishte, pavarësisht se dy familjet tona ishin në një miqësi të lashtë.
Azbi Ramadan Seranaj, kishte vlera të shumta, të cilat është e vështirë t’i numërosh. Ndarja e tij nga jeta, në një aksident ajror, haptazi në sy të njerëzve dhe për një të metë teknike, la në pikëllim të thellë efektivat e Regjimentit ku shërbeu, me përkushtim shumë vite radhazi.
E përcollën nga Qyteti “Stalin” ata që mundën, mbasi efektivat ishin në gatishmëri dhe përgatiteshin për ta përsëritur qitjen e dështuar. Familja e origjinës e Azbiut, në atë kohë banonte në Tiranë (në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”), prandaj përcjellja e Tij për në banesën e fundit u bë në Varrezat Publike të Sharrës, në Tiranë.
Trupi i Azbiut u përcoll në varreza nga një kortezh, pambarim. Një lumë njerëzish, të ardhur nga Qyteti 'Stalin'; nga të gjitha repartet e aviacionit; nga Mallakastra e nga Tirana. ... vijon
...vijon rrëfimi
E doja shumë atë djalë “flori”; më “dhembi” shumë ndarja e tij nga jeta, në lule të rinisë. E kush nuk e donte Azbinë? Azbi Ramadan Seranaj ishte i mirë për të gjithë.
Me një grup shokësh, mora pjesë në përcjelljen e Tij. Burrat nga Çorrushi dhe ata nga Mallakastra shquheshin në atë mori njerëzish. Me rroba shajaku të zi në trup e me kapele me strehë, pak të mënjanuar mbi ballë, seriozë e të pikëlluar, çapiteshin me çap të rëndë, sikur mbi supe mbanin globin.
Me vështirësi çava deri tek vendi i “shenjtë” e arrita t’i hedh mbi aktmort, tre grushte me dhe. Pastaj varrin e mbuluan me lule të freskëta, siç ishte lule vetë Ai që përcollën.
Tek koka e varrit më zunë sytë një burrë, të veshur si të tjerët, me rroba të zeza, i cili m’u duk si ndonjë “kreshnik”, nga ata që nuk e dëftejnë dhimbjen e thellë që ndjejnë, por përpiqen t’u japin kurajo pjesëmarrësve. Thashë me vete: “Ky është burrë”!
Për të nderuar ata që e nderuan dhe e ngushëlluan, xha Ramadani i ftoi të gjithë pjesëmarrësit të shkonin në restorantin “x” për të ngrënë një copë bukë në drekën mortore që kishte shtruar familja.
Xha Ramadani kishte malin mbi shpatulla por nga thellësitë e shpirtit të tij, gjeti kurajo e ftoi të pranishmit. Çfarë bujarie shpirti! Çfarë trimi ishte dhe trima kishte rritur dhe edukuar. Po ku ngjërohej ajo bukë?
Me një grup shokësh mezi u çapita deri në Skuadriljen e Transportit. Ishte mbasditë e po thyhej dita. Kur mbërrita në repartin ku shërbeja, ashtu i pikëlluar, siç isha, prita mjaft ngushëllime të sinqerta për mikun tim Azbi Seranaj. Shokët e repartit e dinin sa e doja Azbinë, mbasi nuk lija rast pa e reklamuar dashurinë dhe respektin për Të.
Mirëpo, krahas ngushëllimeve dhe kurajos që më jepnin shokët e punës, në repart gjeta dhe “një thikë” e cila ishte një “gjëmë” që i shtohej së parës. Plaga u ngacmua sërish. Çfarë kishte ngjarë?
Komanda e Repartit kishte dhënë urdhër të ngrihesha në ajër atë natë, me një aeroplan An-2, në lartësinë rreth 800 m. dhe të përshkruaja me një “rreth të madh” terrenin ku shtriheshin fshatrat e rrethit të Tiranës. Në urdhër përcaktohej dhe ekipazhi, madje dhe ai që do të udhëhiqte fluturimin. Në ekipazh ishte përcaktuar piloti nga Progri i rrethit të Korçës Sotiraq Gjylameti kurse në kullën e drejtimit do të ishte piloti Skënder Mersin Kanina, me origjinë nga Bracani i rrethit të Korçës, me banim në Kamzë.
Të tre ishim nga ata pilotë që fluturonin natën, por përvojë në fluturimet e natës, kishim pak. Në Skuadriljen e Transportit ajror kishte pilotë të regjur, në fluturimet e natës dhe në aeroplanin An-2. Urdhri i komandës, sipas meje ishte i pastudiuar mirë. Detyra ushtarake duhej kryer, doemos, por dhe gjendja shpirtërore e pilotëve duhej çmuar e peshuar mirë.
Avionët ishin përgatitur e ishin kontrolluar për të fluturuar natën; starti (dritat anësore) ishin shtruar e llamburisnin, efektivat që siguronin fluturimin, gjithashtu ishin në gatishmëri. Çdo gjë ishte në vendin e duhur vetëm komanda mungonte. Me Raqkën burrëror e të kujdesshëm, dolëm në brezin e ngritjes dhe u ngritëm, bëmë detyrën, të dy copë-copë dhe erdhëm në ulje. Kur avioni ynë kalonte mbi fshatrat e caktuara, por jo mbi Kryeqytet, fshatarët fiknin llambat, në familje, në stalla e në rrugë dhe piloti i armikut imagjinar nuk dallonte objektet që do të godiste. Siç e kujtoj tani, detyra nuk ishte aq e vështirë, atë e vështirësuan njerëzit e pamençur.
Kjo ngritje jona, ishte në kuadrin e stërvitjeve që bëheshin, në kuadrin e alarmit ajror. Unë dhe Raqka e dimë si e kryem detyrën. Provova atë që nuk ma merrte mendja; Një fluturim pa dëshirë.
Kujtoi Niazi Xhevit Nelaj. në Tiranë, më 30 janar 2025
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.