Isha në detyrën e Shefit të Shtabit të Skuadrilës së Transportit Ajror, në Tiranë, me të drejtë fluturimi. Ato ditë, në vendin e quajtur Sherishte të rrethit të Vlorës, pranë Urës së Drashovicës xhirohej filmi artistik por me përmbajtje historike: “Guna përmbi tela”. Filmi kishte regjisor të paharruarin Muharrem Fejzo dhe evokonte njërën nga epopetë e Luftës së rreptë e të pabarabartë të Shqiptarëve atdhetarë, për të ruajtur tërësinë tokësore të vendit tonë. Bëhet fjalë për Luftën Heroike të njohur në histori si Lufta e Vlorës, e gushtit të vitit 1920 kur plaku mjekërbardhë, Selam Musa Salaria hodhi gunën përmbi telat me gjemba që rrethonin kampin e ushtarakëve pushtues italianë të fortifikuar më së miri, sipas koncepteve të asaj kohe.
Komanda eprore kishte dhënë urdhër që 2 aeroplanë të tipit An-2, herët në mëngjesin e asaj dite, të uleshin në aerodromin e Vlorës dhe të viheshin në dispozicion të Kinostudios: “Shqipëria e Re”. Me ngritje nga aerodromi i Vlorës, të dy aeroplanët An-2, do të imitonin ardhjen nga deti të ballonëve të Italisë. Do të imitohej e filmohej mitralimi i pozicioneve të luftëtarëve vullnetarë shqiptarë nga ballonet e Italisë.
Komanda e Skuadrilës së Transportit Ajror, me qëllim që të kryhej kjo detyrë, caktoi dy nga aeroplanët An-2 me resurse e me gjendje teknike, më të mirë; atë me numër anësor 34, të cilin e menaxhonte borttekniku lunxhiot - Mihallaq Puleri dhe aeroplanin me numër anësor – 32, të cilin e menaxhonte borttekniku nga Maminasi i rrethit të Durrësit – Gani Vlashi.
Në përbërje të dy ekipazheve ishin: Daut Jaho Xhaferi, nga fshati Gjashtë i rrethit të Sarandës, me pilot të dytë- Besnik Isuf Shahaj, nga fshati Borakë i rrethit të Durrësit. Besniku, ishte muhaxhir, nga Bosnja dhe ne shokët e Tij i thonim Borja. Komandanti i ekipazhit të parë: Çami Daut Xhaferi ishte njëri nga pilotët me më përvojë e më të disiplinuar të Skuadrilës së Transportit Ajror. Besniku, kishte përvojë të vyer dhe kishte fluturuar edhe në aeroplanët reaktivë, gjuajtës-kapës, të tipit Mig -19 PM.
Në aeroplanin e dytë fluturonte Niazi Xhevit Nelaj, nga fshati Kalivac i rrethit të Tepelenës (pilot i majtë) dhe Lutfi Hyseni, nga qyteti i Burrelit, në rolin e pilotit të dytë.
U ngritëm nga aerodromi i Tiranës, herët në mëngjes, në çift aeroplanësh. U ulëm në aerodromin e Vlorës, pa zënë dielli dhenë. Bëmë një ngritje në çift, nga aerodromi i Vlorës dhe imituam ardhjen mbi tokë nga thellësia e detit. Pas këtij imitimi, Dauti me aeroplanin që pilotonte u kthye në aerodromin e nisjes (Laprakë) kurse unë vazhdova detyrën për të cilën kisha vajtur.
Dola mbi Sherishte, aty ku ishte grupi i xhirimit dhe regjisori i filmit Muharrem Fejzo. Në bordin e aeroplanit kisha teknikun e bordit dhe një kamerman të Kinostudios “Shqipëria e Re”- Niko Xhufkën, me aparaturat përkatëse, i cili, ishte pjesëtar i grupit të xhirimit.
Ishte mëngjes dhe dielli sapo kishte nxjerrë synë. Rrezet e tij feksnin Luginën e Shushicës dhe lumin me të njëjtin emër. Kisha marrë detyrën të fluturoja në lartësinë më të vogël që e lejonte terreni. Lartësimatësin nuk e pashë, edhe për shkakun se nuk u besoja të dhënave të tij të vonuara, prandaj u bazova tek radiolartësimatësi. Me anë të këtij instrumenti dhe me sy, përcaktova se po fluturoja në lartësinë rreth 20 m.
Aeroplani fluturonte qëndrueshëm, në drejtim të rrjedhës së lumit Shushicë. Duhet të kalonim mbi kokat e atyre që xhironin film. Perpendikular me vijën e fluturimit tonë kalonte një linjë e tensionit të lartë. Siç dihet, shtyllat metalike që përcjellin tensionin e lartë janë në lartësinë rreth 25 m. Neutri, i cili ndodhet mbi fazat, dhe që formon bark, ndodhet edhe në lartësi më të vogël.
M'u rrit adrenalina dhe në kokë më hipi dëshira për të fluturuar sa më ulët. Isha mësuar në spërkatje dhe në pluhurosje, ku fluturohet në lartësi 10-15 m mbi objekte. Mirëpo ka një ndryshim esencial; Para fluturimit për manipulimin e kulturave bujqësore, me preparate nga ajri, bëhet rikonicioni i parcelave, për të përcaktuar lartësinë dhe drejtimin e pengesave të mundshme dhe kushtet e fluturimit. Kësaj herë, atje në Sherishte, po shkonim, siç i kanë pas thënë: “Drejt e në thela”!
Njerëzit, e grupit të xhirimit valëvitnin në ajër petkat e trupit. Ata, me këtë veprim na thonin: “Ikni më lart se do të përplaseni me telat”! Unë e kuptova se ata ishin tepër të entuziazmuar që po u shkonte aeroplani mbi kokë. Shpëtuam, por jo për meritën tonë! Ndoshta fati na erdhi në ndihmë!
Vijuam fluturimin sipas rrjedhës së lumit. Kronisti, largoi bortteknikun nga vendi ku rrinte, (midis dy pilotëve) dhe u fut vetë mes tyre. Niko Xhufka, me aparatin e tij, donte të fiksonte fytyrën e Lutfiut, i cili, siç më tha, ngjan me pilotët italianë.
Vite më pas, kur sistemet ishin ndryshuar, ia kërkova Niko Xhufkës atë copë film, por m’u përgjigj se e ka shumë të vështirë ta gjejë në atë mori filmash të arkivit të tij. Kuptova se gjithsecili ia kishte ndjerë lezetin parasë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.