Lamtumirë, o njeri me zemër të zjarrtë, e cila rrahu për këtë tokë, dheu i së cilës të qoftë i lehtë!

Të njoha kur ishe fare i ri, si Ti dhe unë, kaluam një jetë të tërë, të dy dhe u bashkuam në pleqëri, për t’u takuar përsëri! Vdekja jote më befasoi, më ligështoi e më ra rëndë. Merreshim vesh me një vështrim dhe e kuptonim njëri-tjetrin me sy e me një telefonatë. Por Ti ike në udhën pa kthim e të uroj prehje në paqe e në amshim!

Telo Rako Dedin e njoha në fillim të vitit të largët 1966, në Regjimentin “Peza” të qytetit “Stalin”, në Skuadrilën e tretë të kësaj njësie “heroike”. Teloja ishte caktuar komandant zvene e unë instruktor i teknikës së pilotimit. Telo Dedi, para se të bëhej pilot, në vitet e vështira '50 provoi kalvarin e të qenit mësues fshati, në rrethin e Tepelenës.

Shoku im Telo Dedi studioi për pilot e u diplomua pilot gjuajtës-bombardues në shkollën sovjetike të aviacionit, në Borisoglebsk, shkollë që mbante emrin e lavdimadhit Valerij Ckallov. Teloja ishte fluturues i zoti dhe njeri me njerëzi. Ndryshe nga shokët dhe kolegët e Tij, të cilët mësuan përdorimin e alkoolit dhe të sharën mbarë e mbrapsht, për të imituar instruktorët e tyre sovjetikë, nuk e dëgjova të shante, me fjalor rrugë, qoftë dhe një herë.

Kur e pashë në fillim mendova: Kemi diferencë në moshë e si do të merremi vesh? Por shpejt u zhgënjeva. Teloja kishte zemër floriri dhe ishte i butë si prej mëndafshi. Gjigand nga shtati, me flokë të kuq e me zemër të zjarrtë që rrihte fuqishëm për Shqipërinë, të sjellshëm e të edukuar, ambicioz e të sakrificës, të tillë e njoha atë njeri.

Në muajt e thatë fluturonim në Poro, për të stërvitur studentët për pilotë. Kisha 4 studentë, njërin më të mirë se tjetrin. Çdo ditë fluturimi, në fillim ngrihesha 24 herë në ajër. Kisha uri për të fluturuar e polemizoja me Telon se donte të më merrte ndonjë fluturim. Nuk e lejoja, por shpejt, vapa, pluhuri, mushkonjat, intensiteti e bënë të veten.

Diku nga muaji gusht u deklarova i paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë. Teloja u bë edhe instruktor; mori studentët e grupit tim dhe i bëri pilotë gjuajtës-bombardues. Vështroja si fluturonin shokët dhe më vinte të pëlcisja nga sedra. Teloja m’u gjend pranë e më jepte kurajo. Çfarë njeriu me zemër të madhe.

Telon e zgjodhën Sekretar të Komitetit të Partisë së Punës së Shkollës së Aviacionit e unë vajta në dikaster, në punë të përafërt. Kishim lidhje pune e më gjendej e i gjendesha. Nëse bëhet fjalë për tiparet e atij njeriu, mund të them, gojëplotë se Telo Dedi ishte i ndershëm; në gjykim i drejtë, dhe kurajoz. Ai kishte guximin të të vështronte në sy dhe të t’i thoshte gjërat copë e në sy.

I dashur shoku im Telo! Të kërkoj ndjesë që këto gjëra, nuk pata kurajon të t’i them sa ishe në jetë por besoj se më kuptoje e të kuptoja. Dashuria për dheun e të parëve, na bashkonte.

Ti, i dashur, bëre një jetë të vështirë e plot fatkeqësi, të cilat i përballove me dinjitet e kurajo të paparë. Bashkëshortja jote u nda nga jeta në moshë të re. Nuk bëre as një gocë që ta kishe, për vete në pleqëri. Megjithatë djemtë t’u gjendën e të menaxhuan megjithëse burri bën sa një burrë.

Erdhe në Tiranë, për të përcjellë moshën e “pjekurisë” por, për fat të keq pësove një tjetër fatkeqësi të rëndë dhe mbete ulok. Nuk i ke bërë njeriu keq dhe nuk e meritoje këtë “shpërblim”. Na mësove, me durimin tënd të çuditshëm, si të përballojmë fatkeqësitë.

Kujtoj disa “mbledhje” partie të vështira kur duhet të mbaje qëndrim të qartë dhe tek Ti pashë një njeri që gjykon drejt e paanësi. Ndarja jote nga jeta, papritur, më ka goditur rëndë. Ty të qoftë dheu i lehtë dhe paç paqe të përjetshme!

  • U paç lënë jetën djemve dhe atyre që vuajnë ikjen tënde nga jeta!
  • Lamtumirë Telo Rako Dedi!