(Reportazh)

Në këtë shkrim, do të përpiqem të zbërthej e të çkoqit të dy versionet:

U takuam me shokë të grupit të studentëve për pilotë të Batajskut, të viteve 1960-1961 dhe të Kinës, të viteve 1962-1963. Na mblodhi ardhja nga emigracioni e shokut tonë të grupit - Pandeli Miti Lengu, i cili banon në New York.

Kur krahasoj numrin e shokëve që nisëm studimet në vitin 1960, me ata që u mblodhën, dje, s’ka si të mos më përshkojë një trishtim i natyrshëm. Sa shumë kemi firuar? Ishim 36 e u mblodhëm 11-të. Dialektika e kohës, të cilën nuk ka forcë që ta ndalë. Disa kanë ikur në udhën pa kthim; Të tjerë, nuk erdhën dot për shkaqe fizike, ndonëse dëshirën e kanë të pamatë. Një takëm kanë shtegtuar larg e të tjerë u ndodhen jo në Tiranë, por larg kryeqytetit dhe koha, sebepciut nuk i premtonte.

Më duhet të them se me një organizim më të mirë, mund të bëhej edhe më mirë. Në këtë çështje gjej dhe përgjegjësinë time.

Lajmëtar u bë njëri nga kontributorët më të shquar të Aviacionit Shqiptar, devolliu Koço Biku. Disa i njoftova dhe unë. Pandeli Lengu, njëri nga më të rinjtë e grupit, pas diplomimit, u bë njëri nga pilotët më "brilantë" të Aviacionit Shqiptar dhe mësues i disa brezave.

Në takim na nderuan: Harilla Rebi, ish-komandant dhe komisar cilësor i tre regjimenteve luftarake; Pandeli Lengu; Koço Biku; Bashkim Agolli; Petraq Koroveshi; Sazan Abibi; Agim Ismaili dhe autori i këtij shkrimi.

Gëzimin dhe kënaqësinë na e shtuan ish-pilotët: Shevqet Lata; Nexhip Shena; Agim Matraku; Sokrat Shore; dhe Bashkim Sadiku. Ata, pilotë cilësorë, m’u duk sikur donin të na thonin: "Ju, vërtet që u moshuat e ju kanë rënë fuqitë fizike, por keni lënë neve, që kemi tiparet dhe aftësitë tuaja".

Takimi kaloi mjaft mirë. Nëse mund të kem ndonjë rezervë, ajo ka të bëjë me kohën e pamjaftueshme, për t’u çmallur me njëri-tjetrin.

Shoku im i veçantë Bashkim Kozeli, i cili ndodhet në Vlorë, mes të tjerash, më porositi: "Më përfaqëso denjësisht! Kam shumë mall për Pandushkën, por e kam të pamundur të vij!" Ia plotësova porosinë. Bardhyl Kozma Lubonja, i cili banon në Boston, e porositi Pandushkën të na përqafojë të gjithëve, përzemërsisht! etj.

Bëmë fotografi e video; harmonia dhe gëzimi e përshkuan tej e mbanë atë takim me vlera të shumta. Mendoj se takime të tilla duhet ta mbushin këtë copë jetë që na ka mbetur. Të mos presim sa të na vijë ndonjë Pandushkë tjetër nga mërgimi e të na zgjojë nga gjumi.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 17 shtator 2025