Prolog

Është fjala për Stefanaq Jani Stratoberden. Korçari i natyralizuar, u bë njëri nga themeltarët e aviacionit, në profilin inxhiniero-teknik. Stefoja ishte pasardhës dhe i fundmi bir i Barba Janit, teknikut të sharrave me ujë, të Ballabanovës dhe i zonjës Kleanthi Treska, që u fut në udhët e qiellit. Stefoja u dashurua qysh në fëmijëri pas hekurave duke u mbështetur fort në traditën e familjes së Tij.

Kur Stefoja, me pantallona të shkurtra, luante me shokët e rrugicës, në Korçë, me onoma; me fugë apo me lojëra të tjera të moshës, i dashuruari pas hekurave, si i Ati bridhte pas atyre njerëzve të shquar korçarë, të cilët, me zjarrin e dashurisë në gji, për të përqafuar të renë, ndoqën udhët e qiellit, me guxim e me trimëri dhe u bënë dikushi, ose e mbuluan veten me lavdi.

Idhuj të tij ishin: Vasil Trasha; Petraq Polena; Qirjako Trebicka; Andon Koroveshi; Niko Papavangjeli etj. Donte t’u ngjiste e të ngjitej shkallëve të qiellit, Stefoja ynë, prandaj, sapo përfundoi mësimet e shkollës shtatëvjeçare në Korçë, rrëmbeu valixhen e u nis për në Tiranë.

Në Tiranë, Stefoja u fut në shkollën e Mesme Teknike me emrin 7 Nëntori. Ai iu fut mësimeve, me synimin e qartë: të bëhej si idhujt e tij dhe të merrte njohuri të thella në lëmin e metaleve. Më duhet të theksoj, se në çdo shkollë apo në çdo kurs e në specializimet që bëri, shpërfaqi sedër e ambicie të shëndoshë dhe u rendit, përherë, në ballë të shokëve.

E kreu Politeknikumin 7 Nëntori, me rezultate shumë të mira dhe u emërua, brigadier, në parkun automobilistik të qytetit të Korçës ku punoi rreth një vit. Shokë pune në park Ai kishte: Niko Leren; Todi Monosopin e të tjerë.

Mbushi moshën dhe e morën ushtar të shërbimit të detyrueshëm, në Skuadrilën e Tiranës. Për shansin e Tij, në këtë repart aso kohe ishte çelur një shkollë njëvjeçare, për teknik aeroplani, ku Stefoja u shqua mes shokëve. Në këtë shkollë, e cila u ngrit me iniciativën e të lavdishmit Niko Hoxha dhe drejtohej prej Tij, jepnin mësim specialistë me emër, si Sotiraq Sevo; Todi Shuke etj. Në këtë shkollë Stefoja mësoi shfrytëzimin e aeroplanit më të sofistikuar e më të mirë të kohës atë Jak-9P.

Ky aeroplan u zhvendos, nga Tirana në aerodromin e Kuçovës ku Stefoja shërbeu si teknik avioni, i aeroplanit Jak-9P me numër anësor 42, i cili preferohej nga pilotët e lavdishëm Petraq Polena, i cili njihet si piloti që u ngrit i pari, mbi qiellin e Tiranës, më 24 prill të vitit 1954, e cila njihet si dita e formimit të aviacionit ushtarak shqiptar. Këtë aeroplan e preferonte dhe piloti trim i çartur Vasil Trasha, dëshmor i Atdheut.

Viti 1954, për Stefon ishte me fat. Ai, së bashku me shokët e tij: Skënder Dusha; Fillota Koruni; Nasi Themeli; Vasil Bitri; Dhimitraq Terpini etj, vajti në qytetin Volsk (BS), ku mësoi shfrytëzimin e aeroplanit reaktiv Mig-15 dhe të atij Mig-17, të thjeshtë. Stefoja, siç kujtojnë shokët e tij dhe bashkëkohësit, ishte novator dhe i pillte mendja e i zinte dora. Atij i njihet autorësia e disa pajisjeve me vlerë. Stefoja nuk ishte servil, por guximtar dhe i zoti i polemikave e kundërshtimit të “shefave” kur mendonte se kishte të drejtë.

Në vitin 1959, Stefoja u dërgua në Bashkimin Sovjetik, në Bazën Ushtarake të Muranit, rreth 100 km, në Lindje të Moskës, ku mësoi shfrytëzimin e aeroplanit gjuajtës-kapës, reaktiv, me dy motorë të tipit RD-9B. Aeroplani Mig-19 PM që mësoi Stefoja ishte më i sofistikuari i kohës, i pajisur me 4 raketa të drejtuara ajër-ajër dhe me llokator drejtues, në bord. Ky aeroplan, i cili ishte i parkut ajror të Traktatit famëkeq të Varshavës, u projektua e u prodhua për të goditur aeroplanët amerikanë të tipit B-52 që mbanin bombën atomike.

Pas kthimit në Atdhe, Stefoja u caktua inxhinier i Skuadrilës Autonome Mig 19-PM, të sapokrijuar në aerodromin në ndërtim e sipër të Rinasit, komandant i skuadrilës ishte piloti i talentuar nga Starja e Kolonjës – Haki Jupasi.

Më pas, në vitin 1962, kur në Rinas u formua Regjimenti i aviacionit në mbrojtje të kryeqytetit dhe nga Qyteti “Stalin”, u transferua i lavdishmi Niko Hoxha, në krye të kësaj njësie dhe disa kuadro të profileve të ndryshme, si Serafin Shegani e Sokrat Basha (pilotë) dhe Salih Meta e Bekator Gaba (teknikë), Stefoja, për nevoja organike u qarkullua, në Skuadrilën e dytë të kësaj njësie, e cila ishte e armatosur me aeroplanët Mig-17 F. Stefoja u caktua teknik zvene; inxhinier skuadrilë ishte i paharruari Burhan Gercaliu.

Gati 3 vjet punuam së bashku, në Skuadrilën e Dytë me komandant “akrobatin e ajrit” nga Vunoi, Kostandin Nestor Dede. Puna dhe sjellja e Stefos në shërbimin teknik të Skuadrilës së Dytë, ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Si nuk e pashë një herë të mërzitur, Atë njeri? Të menduar e të shqetësuar – po. Stefoja mendonte zgjidhje dhe ishte i shqetësuar kur diçka nuk ishte si duhet.

Mendimi i Tij, i pjekur, i saktë dhe novator, prevalonte mbi mendimet e shokëve. Burhani, në zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara vazhdimisht mbështetej tek mendimi i Stefos. Kujtoj, Burhanin që pyeste kur shfaqej ndonjë defekt teknik: “Po Stefoja, si thotë”?

Viti 1964 ishte viti i çiftosjes së Stefos. Ai u lidh e u martua me zonjën Tatjana Bimbli, e cila ishte me origjinë nga Korça dhe rridhte nga një familje e nderuar korçare. Dasma u bë në familjen e përbashkët, në shtëpi, me aheng e me shumë dasmorë. Nusja u mor me taksi e veshur sipas traditës; në orkestër bënte pjesë klarinetisti i shquar Gaqo Lena, i cili erdhi posaçërisht nga Kolonja. Të gjithë dasmorët ishin të gëzuar e të lumturuar, Nënë-Kleanthi e Treskajve ishte në qiellin e shtatë. Në çift me zj. Tatjana, Stefoja solli në jetë dy fëmijë: Tomin, të cilit i vuri emrin e vëllait të ndjerë dhe vajzën – Suela; njëri më i mirë se tjetri, të dy të shkolluar me profesion inxhinierë, por në profile të ndryshme.

Në muajin shtator të vitit 1969 Stefanaq Stratoberda u dërgua në Kinë për të përvetësuar teknologjinë e shfrytëzimit të aeroplanit të sofistikuar për kohën, Migun -21. Si përherë, edhe në këtë rast tek Stefoja u shpërfaqen prirjet për t’u thelluar në teknologjinë e shfrytëzimit të teknikës së re fluturuese, duke u rrekur të ishte përpara shokëve, jo për karrierë, të cilën nuk e njihte por e urrente, por për të nxënë.

Pas kthimit në Vendin tonë, Stefoja shërbeu, me devotshmëri, në menaxhimin e aeroplanëve Mig-21 deri në vitin 1974, kur iu shfaq, e acaruar një hernie diskale e cila nuk e lejonte të shërbente në aeroplanët reaktivë por u deklarua i paaftë dhe iu ofrua transferimi në aeroplanët me helike të tipit AN-2, i cili ishte më i mundshëm për gjendjen e re shëndetësore të djalit të Baba Janit.

Tashmë Stefoja kishte vënë një brez prej leshi të cilin nuk e hiqte. Fillimisht, në Skuadrilën e Transportit ajror, në Laprakë, Stefoja u caktua zëvendëskryeinxhinier. Ishte, si të thuash një kohë “provë” e cila ishte e nevojshme sa të përvetësonte veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit AN-2, i cili, në dukje ishte i thjeshtë por që në fakt kishte të vetat. Kryeinxhinier të Skuadrilës Stefoja gjeti njeriun e mirë Kleanthi Prof. Anxhari, njëri nga themeltarët e shërbimit inxhiniero-teknik të aviacionit.

E kërkoi nevoja dhe Stefoja, me bagazhin e pasur teoriko-praktik që zotëronte, u përfill, me tërë seriozitetin për të shndërruar aeroplanët e transportit në aeroplanë të përshtatshëm për të kryer operacione spërkatjeje dhe pluhurosjeje, duke prodhuar në vend, me ndihmën dhe kontributin e teknikëve me përvojë Dhimitraq Stillo e Niko Gambeta dhe të punonjësve duarartë të Oficinës së Repartit, në veçanti të Fehmi Kujxhiut, Avni Shkozes etj. Pajisjet që u prodhuan për këtë qëllim mbajnë mendimin e përparuar të Stefanaq Stratoberdes.

Disa tipare të Stefos:

Stefoja ishte shtatlartë. Shtati i tij ishte mbi shtatin e kolegëve. Stefoja ishte serioz dhe kompetent. Nëse qëndronte, në dukje, larg punëve praktike, kjo diktohej nga hernia diskale, prej së cilës vuante dhe prej brezit, i cili e kufizonte në lëvizje. Stefoja ishte i respektuar dhe nuk dëgjova njeri të fliste keq për Të.

E zgjodhën disa herë radhazi në drejtimin e organizatës-bazë të Partisë së Punës së Skuadrilës së Transportit, e cila, së bashku me komunistët e Sinoptikës dhe me ata të poligonit numëronin rreth 30 anëtarë e kandidatë për anëtar Partie. Ka qenë i zgjedhur dhe në Komitetin e Partisë së Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit. Stefon e respektonin, prandaj e zgjidhnin vazhdimisht në forumet e partisë.

Ai shquhej si njeri i ndershëm, i drejtë e i paanshëm në gjykim. Organizata-bazë e Partisë që drejtonte Stefoja gjykoi disa raste delikate e me përgjegjësi dhe Stefoja, në çdo rast, mori anën e së drejtës. Si njeri e si kuadër ishte i thjeshtë; nuk kapardisej e nuk shiste mend, por i dëgjonte me vëmendje e me durim njerëzit. Nuk merrej me thashetheme e nuk përgojonte njeri. Alkool nuk pinte dhe nuk bridhte pas fustaneve.

Nëse do që t’i vësh në dukje ndonjë të metë, Stefon mund ta kritikoje se pinte shumë duhan. Njerëzit i trajtonte njëlloj, jo ca të nënës e ca të njerkës; nuk ishte lokalist por respektonte punëtorin dhe të ndershmin.

Stefoja, në punën e tij drejtuese, përherë mbështetej tek të rinjtë, mbasi e kuptonte se të rinjve u përkiste e ardhmja. Ishte autoritar dhe mbante qëndrim dinjitoz, në çdo rast. Stefoja ishte krenar, merrte anën e së resë dhe mbështetej tek të aftët. Figura e tij ishte e pastër dhe e admirueshme.

Dy fëmijët shkolloi në kushte të vështira. Ata dhe të tre vëllezërit, sikur të jenë të prerë nga e njëjta sharrë. I mbahej ca goja dhe përsëriste shpesh togfjalëshin: “Qo, ti”. Por kjo nuk i sillte asnjë pengesë në punë.

Epilog

Ndarja nga jeta e Stefanaq Stratoberdes, më 24 korrik të vitit 2002 ngjan me një aksident. Ndoshta krahasimi nuk është aq i gjetur, por kështu e mendova. Nuk e kishte kohën për t’u ndarë nga njerëzit, Stefoja ynë. Stefoja sapo kishte dalë në pension e nuk e gëzoi dot. Nuk vuante as nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, dhe ishte shumë aktiv.

Çdo njeri i do e i nderon prindërit e tij por Stefoja ishte i veçantë. Vinte shpesh në shtëpinë ku banonin prindërit; i shihte dhe bisedonte me ta. Ndarja nga jeta e Babait të Stefos, sikur e dyfishoi dashurinë për Nënën. Stefoja mendonte se duke qëndruar më pranë Nënës do të nxirrte mallin për Babanë. Çdo ditë vinte tek Nëna, pinte kafen, së bashku me Të, bisedonte dhe qanin hallet. Stefos nuk i shijonte kafja, pa pasur Nënën pranë.

Kështu ngjau dhe atë ditë të mallkuar, kur u nda nga jeta. Ishte dita më e nxehtë e vitit.

Pas kafes me Nënën, Stefoja u nis për në familjen e ngushtë, e cila banonte dhe banon, në një godinë, pranë Bankës së Shtetit. Sapo kaloi Urën mbi Lanë, pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Stefoja pësoi arrest kardiak. Ai vajti tek godina ku banonte familja e tij dhe, me këmbët e veta u ngjit deri në katin e pestë të godinës. Ndërkohë, akoma pa u rehatuar, pësoi një tjetër arrest kardiak.

Erdhi autoambulanca por nuk kishte barele për të sëmurin. E zbritën familjarët në një karrige të thjeshtë dhe e vendosën në autoambulancë. Sapo hyri në spitalin “Nënë Tereza” Stefos i ra arresti kardiak i tretë i cili i mori jetën. Gjëmë të madhe shkaktoi ndarja nga jeta e Stefanaq Stratoberdes.

Stefoja u përcoll në varrezat publike të Sharrës, më 25 korrik të vitit 2002, i përcjellë nga një lumë njerëzish të pikëlluar. Atë e përcollën familjarët, të afërmit, miq e shokë të tij, me lotë në sy e me brengë në zemër. Morën pjesë familjarë dhe të afërm; miq e shokë; kolegë dhe gjitonë; dashamirës dhe të njohur të Tij, ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Shoqatës së Aviatorëve të Shqipërisë dhe të tjerë.

Fjalën e lamtumirës e mbajti shoku dhe miku i tij i kahershëm Fillota Koruni!

  • I paharruar qoftë kujtimi i Tij! U pastë lënë jetën fëmijëve!

Shkroi, Niazi Xhevit Nelaj, koleg i Stefos në Tiranë, më 23 korrik 2025

Opinion i Mihal Pulerit

Shkëputa këtë opinion të lunxhiotit në origjinë, aktualisht banor në SHBA për të rrëfyer marrëdhëniet njerëzore të Stefanaq Stratoberdes me vartësit.

“Stefoja ishte i matur e nuk nxitohej; komunikonte me ton të qetë dhe miqësor. Pastërtinë e kishte në gjak. Avionët i donte që të shkëlqenin. Stefoja mbështetej tek të rinjtë; i përkrahte, i ndihmonte e i orientonte që të përvetësonin teknikën në çdo hollësi.

Përgatitjen e aeroplanëve për fluturim e ndiqte me vëmendje të veçantë dhe me shqetësim. Edhe kur avioni që monitoroja me numër 34 nuk ishte i planëzuar për të fluturuar në ato ditë. Stefoja më caktonte detyra të veçanta për të punuar në sektorë për probleme të ndryshme.

Stefoja të besonte dhe të lejonte të kryeje procese pune të vështira. Në një rast kur cilindri numër 5 i kishte fashot të thyera, pasi i zëvendësova dhe motori ndryshoi shumë, Stefoja më përqafoi dhe më falënderoi. Stefoja ishte me kulturë profesionale dhe ndërhynte me kompetencë kur ishte nevoja. Kam punuar gjatë nën drejtimin e tij dhe ruaj kujtime të vyera.

Kur të vij në Tiranë, puna e parë që do të bëj, do të shkoj te varri i Stefos për të vendosur një tufë me lule. I paharruar kujtimi i tij!”