Kush nuk e ka njohur apo nuk ka dëgjuar "histori" të këndshme për Kapo Selmanaj. Ai përfundoi Shkollën Sovjetike të Aviacionit Luftarak, në qytetin e Borisoglebsit ku ishte shkolla me emrin e të lavdishmit pilot Valerij Ckallov ku u diplomua pilot gjuajtës - bombardues dhe u titullua oficer (nëntoger). Shokë të grupit Kapo Selmanaj kishte: Mustafa Hajdar Çiçin (ndjesë pastë) i cili ishte përgjegjës i grupit. Shokë të tjerë të tij ishin: Kostandin Sadikaj; Abdi Gjonmemaj; Dalip Shabanaj etj.
Pas shkollimit, Kapo Selmanaj shërbeu shumë vite në Regjimentin "Peza" të Qytetit "Stalin" ku fluturoi në aeroplanët reaktivë parazanorë të tipit Mig-15, në detyra të ndryshme, si fluturues.
Kur u krijuan kushtet dhe mundësitë, Kapo Selmanaj u transferua në Regjimentin e Rinasit, ku gjithashtu fluturoi, derisa doli në pension pleqërie; 50 vjeç në aeroplanin e vetëm të parkut tonë të aeroplanëve, bombarduesin e mesëm të tipit IL- 28.
Nga sa e kam njohur personalisht dhe në punë të përbashkët, tek Kapo Selmanaj, kam parë një model të njeriut të rregullt e korrekt, familjarit të dhembshur dhe pilotit të disiplinuar në kulm. Nuk më del nga mendja qasja e Kapos ndaj disiplinës dhe rregulloreve ushtarake dhe atyre të fluturimit. Sikur të ishte student, Ai i raportonte Udhëheqësit të Fluturimeve, në çdo çast e në çdo proces punë (fluturimi). Mbase donte të kujtonte kohën kur ishte student. Kapoa ka qenë e mbetet pikë referimi e korrektësisë dhe e privacionit.
I uroj mikut tim të kahershëm: Shëndet e jetë të gjatë, nën kujdesin e të birit dhe familjes së tij të re të cilët e rrethojnë shokun tim me çdo gjë që i lipset një të moshuari!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 16.12.2024
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.