Në dukje, kjo fjalë profetike ngjan si bestytni, por jeta e ka vërtetuar katërcipërisht. Dikush na paska thënë se jeta e njeriut varet në fije të perit. Edhe kjo nuk ka nevojë të vërtetohet. Për disa profesione me rrezik të shtuar si ai i aviatorëve, i detarëve, i minatorëve të nëntokës etj. është pranuar se protagonistët e tyre e kanë qefinin me vete. Pa pretenduar se them ndonjë gjë të madhe dua t’ju rrëfej një ndodhi thjesht vetjake, por që lidhet me temën.

Ishte verë e vitit 1969. Në atë kohë fluturoja me aeroplanët e lehtë të transportit me helikë të tipit An-2, të cilët përdoreshin dhe për spërkatje e pluhurosje nga ajri. Aso kohë praktikohej gjerësisht, spërkatja e kënetave, nga ajri, me qëllim që të luftoheshin vatrat e mushkonjave. Spërkateshin kënetat në Shëngjin e në Divjakë e gjetke.

Atë vit ishin shtuar e ishin bërë të bezdisshme mushkonjat në zonën e Orikumit. Vatra e tyre ishte në kënetën mes Izvuarit dhe Orikumit. Banorët e zonës kishin paraqitur ankesë dhe kërkesë. Me pompa krahu, nuk ia kishin dalë prandaj kërkuan manipulimin nga ajri.

Mora urdhër të shkoja për të spërkatur kënetën, me ngritje dhe ulje, nga aerodromi i Vlorës. Zgjodha drejtimin e punës Veri-Jug, pa bërë më parë rikonicionin e vendit, siç ishte bërë traditë. Futjen në spërkatje e përcaktova nga bregu i detit. Anës kënetës kishte vetëm kallamishte, pikërisht atje ku bënin fole larvat.

U nisëm nga Tirana herët, në mëngjes. Për pilot të dytë, përzgjodha shkodranin Agim Vodopi, i cili kishte fluturuar me aeroplanët Mig-15 në aerodromin e Qytetit Stalin dhe, për shkaqe shëndetësore ishte transferuar në Skuadriljen e Transportit. Përzgjodha Agim Vodopin si pilot i zoti e njeri i mirë. Jeta e tij, pa baba e nënë, në shkollën jezuite të Shkodrës e më pas në Borisoglebs të Bashkimit Sovjetik ku u bë pilot gjuajtës-bombardues kishte kultivuar në karakterin e tij tipare të qenësishme, si çiltërsia, të qenit i drejtë e i ndershëm dhe dashuria për fluturimin dhe zemërbardhësia.

Nëse do t’i thoja ndonjë mangësi atij njeriu, të vetmin ves të keq të tij, mund të përmend përdorimin e pijeve alkoolike, në mënyrë sistematike. Megjithatë, jam vetë në kabinë, mendova dhe do ta përballoj, por gabova.

Në afërsi të repartit tonë shërbente një oficer, i njohur si përdorues sistematik i pijeve të forta. Të dy e kishin lidhur fjalën dhe shfrytëzuan vajtjen në Vlorë tonën dhe vajtjen në Qytetin "Stalin" të kolegut tonë, përdorues pijesh të forta. Ky i fundit kishte vajtur në Vlorë dhe, të dy kishin pirë e ishin bërë çakërrqejf. Kur vajta tek avioni, e gjeta Agimin të ulur në ndenjësen e djathtë të aeroplanit, me buzë në gaz. E nënvleftësova këtë fakt dhe, së bashku me teknikun e avionit dhe me mekanikun përgatitëm mjetin për fluturim.

Na u lutën disa studentë të Shkollës së Lartë të Aviacionit, të cilët ishin duke dhënë provimet përfundimtare, para se të titulloheshin oficerë. U tregova liberal e u thashë: hajdeni. Borttekniku i sistemoi e i udhëzoi.

U ngritëm me kursin e Jugut. Ndoqëm rrugëkalimin sa më afër bregut dhe lartësinë mbi det 50m. Avioni fluturonte si me përtesë. Kishte ngarkesë (1400litra solucion dhe njerëzit në bort). Kur u futëm në vendin ku do të hidhnim preparatin, e ngjesha avionin në lartësi më të ulët nga rekomandimi në mënyrë që solucioni të mos shpërndahej.

Mbasi kishim hedhur ilaçin, bëra të merrja lartësi, për të kapërcyer një plep, i cili ishte në vijën e fluturimit. Tërhoqa timonin nga vetja por avioni nuk më dëgjonte. U hapën parakrahët dhe avioni u vu në gjendje shtopori (figurë pilotazhi në të cilën avioni bëhet i pakomandueshëm). Agimi, çakërrqejf, edhe në këtë situatë qeshte.

Pashë dorezën e gazit dhe atë të hapit të helikës; të dyja ishin në pozicionin mbrapa, në ekstrem, në vend që të ishin plotësisht përpara. Kolegu im, nën efektin e pijes, ishte treguar i pavëmendshëm dhe i kishte lënë të lira të dyja dorezat. Me intuitë, pashë pozicionin e dorezave jetike dhe i çova, me shpejtësi përpara. Falë aftësisë së akselerimit të shpejtë të motorit me helikë, motori shtoi fuqinë dhe avioni doli nga pozicioni i vështirë. Shpëtuam.

Kur u kthyem në Vlorë, ulëm avionin, zbritëm studentët dhe u thashë: "Djema, kësaj radhë ia hodhët paq; mos e provoni më këtë aventurë!" Me kolegët bëmë analizë të plotë.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 16 shtator 2024