Kujtime vetjake dhe të rrëfyera:
Rrëfejnë se kur Haliti ishte në gjimnaz e shquhej për bukuri natyrale, vajzat e klasës së tij grindeshin me njëra-tjetrën, kush e kush të rrinte në bangë, me të. (Këtë rrëfim e kam mësuar nga bashkëkohësit e tij).
Kur Haliti fluturonte në Qytetin "Stalin", pas vitit 1957, kur, së bashku me shokët: Çobo Skënderaj; Gëzdar Veipi; Mahmut Hysa; Bajazit Jaho dhe një tjetër, nisën të fluturonin në atë aerodrom, mësuan nga disa më të lashtë, të vinin baste të rënda. Në prag të Vitit të Ri x, kur lumi i Osumit kishte dalë dege me dege, shokët vunë një bast me një stimul të caktuar për atë që do të kalonte lumin, i veshur dhe me pajisje në kurriz.
Haliti, në atë kohë ishte djalë i ri e mjaft i fuqishëm. Ai doli vullnetar dhe u fut në lumë. Shokët e tij, në brigjet e lumit, bënin tifo, për të dhe e inkurajonin. Ia doli ndroqari dhe fitoi të taksurën. Derisa ishte, Haliti, qe nga djemtë e më vonë burrat më të fuqishëm të grupit të tij. I paharruar qoftë! Vijon rrëfimi nr. 3.
Siç dihet, përpara viteve '90, në qendrën e banuar të Kamzës, autobusi urban i linjës, nga Tirana mbërrinte rreth orës 21.00. Në atë kohë, Halit Bulku dhe kolegu i tij Llazar Çupa, banonin në qytezën e Valiasit e cila ishte me popullsi të miksuar: Banorët ishin: Minatorë të nëntokës dhe oficerë. Një ditë, kolegëve u rastisi ta bënin rrugën nga Kamza në Valias (rreth 4 km), në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Halit Bulku ishte tip flegmatik dhe fjalët i kishte të kursyera. Ai nuk përgojonte kurrë të tjerët e nuk i atribuonte vetes, vlera që nuk i kish. Në pamje të jashtme të jepte përshtypjen sikur ishte indiferent, kur, në të vërtetë, vëmendjes së tij nuk i shpëtonte asgjë, nga ndodhitë rreth tij. Halit Bulku ishte mjaft i zgjuar, i logjikshëm dhe tolerant.
Me qëllim që të "mbushnin" kohën gjatë së cilës rrugëtonin së bashku, të dy kolegët zhvillonin midis tyre, biseda nga më të ndryshmet. Çështjet që lidheshin me përgatitjen ajrore, natyrisht që zinin vendin kryesor. I ankoheshin njëri-tjetrit për kushtet e jetesës në qytezën e Valiasit. Fjalëve të Llazarit, Haliti krijoi përshtypjen tek tjetri sikur nuk ua vinte veshin. Haliti, për çdo problem që diskutonte kolegu i tij, pohonte me fjalët: "Po; po; po".
Për të vërtetuar nëse Haliti e ndiqte në ato që thosh, Llazari, në një çast tha diçka, në adresë të Halitit, të cilit nuk i erdhi për shtat. Haliti ndërkohë, nuk priti por u hodh e tha: "E; e; si the?" D.m.th. e kishte vëmendjen...
Në pranverën e vitit 1965, në Regjimentin e Rinasit, një natë të bukur, me hënë dhe me shtresën e reve jo shumë të trashë, rrodhën kushtet meteorologjike, të përshtatshme për të marrë klasin e parë të pilotit ushtarak. Në vendin tonë, është vështirë të gjenden kushtet për të kryer këtë detyrë. Prej vitit 1958 nuk ishin organizuar fluturime për klasë të parë.
Ishte nisma vetjake e Niko Selman Hoxhës, si pilot i fandaksur, me dashuri të rrallë për të fluturuar. Ai dhe talenti i rrallë Gëzdar Riza Veipi, qëndronin gjithë ditën dhe çdo ditë, në aerodrom, me shlemafon në dorë, në pritje të kushteve të motit. Teknikët dhe specialistët e aviacionit, me shumë sakrifica e privacione, çdo ditë dilnin për fluturim e fluturimi nuk zhvillohej.
Niko Hoxha, kur vinte re se mund të fluturohej atë natë, i hipte makinës Gaz-69 dhe shkonte në Tiranë, në çdo shtëpi piloti, të cilët i çonte në aerodrom. Atë natë fluturuan për klasë të parë dhe e morën klasin e parë pilotët: Kosta Dede; Anastas Ngjela; Gëzdar Veipi, Çobo Skënderi; Mahmut Hysa; Bajazit Jaho dhe Halit Bulku.
Haliti ishte i fundit në plantabelën e fluturimit dhe do të ulej i fundit. Niko Hoxha, kaloi në eufori dhe i kënaqur tej masës për arritjen, ndriçoi gjithë atë pellg, me fishekët e sinjalizimit që ndodheshin pranë tij dhe dha urdhër të mbylleshin mjetet që sigurojnë fluturimin.
E harruan Halitin që nuk ishte ulur akoma. Haliti po plotësonte detyrën e asaj nate fluturimi sipas sistemës së llogaritur.
Kur doli nga retë dhe erdhi për t'u ulur, nuk pa ndriçim në aerodrom. Siç ishte rregulli, Haliti kishte lëshuar rrotat dhe flatrat, shkonte në ulje.
Nuk u çorodit e nuk e ndryshoi vendimin që kishte marrë trimi por arriti vetëm të thoshte, me tekst të hapët: "Niko, dritat!" Dhe u ul normalisht!
Shënim: Ky homazh, i cili i përkushtohet njërit nga pilotët më cilësorë të vendit, është i vërtetë dhe i bazuar në përvojën vetjake dhe në rrëfimet e bashkëkohësve të tij. Ndonjë kritik konstant, i cili di të bëjë vetëm kritika, duhet ta ketë të qartë se në shkrime, ka të vërteta, rreth të cilave vërtiten fantazitë e atij që merr lapsin e shkruan. Të bësh kritikun, e pabazuar është njëlloj si ai që e shpall veten të pakritikueshëm. Respekt edhe për ata që mendojnë ndryshe!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.