Kujtime vetjake

Ndoshta protagonisti i këtij rrëfimi meriton një shkrim të përkushtuar por, ashtu rrodhën punët e aq munda. U kujtova tani, me të ngrysur, jo se nuk e meritonte më parë, por për hir të jetës së tij të trazuar.

Zebua u lind në fshatin Brataj të rrethit të Vlorës, në një familje atdhetarësh. Nënës së tij, nuk i rrinin djemtë, prandaj kur erdhi në jetë djali prindërit i vunë emër qeni, që të rronte. E rriti Zebon, Dedua, me pekule dhe e kishte kanakar.

Në adoleshencë, djali i vetëm i Dedos, ra në kontakt me idetë komuniste dhe doli partizan, akoma i parritur. Ai luftoi, me armë në dorë, deri në çlirimin e plotë të vendit nga nazifashistët. Kur përfundoi Lufta Nacionalçlirimtare dhe u çlirua vendi, Zebon, si të parritur e të pashkollë, e ulën në bankat e shkollës së kadetëve. Në këtë Shkollë, e cila më vonë mori emrin e Heroit Legjendar “Skënderbe” djali nga Brati u njoh me të tjerë ish-partizanë si trimi i çartur Refit Asllan Jazoj, nga Dukati; me Flamur Mickaj (Avnine) nga Nivica, me Shaqo Hoxhën, nga Turani i Tepelenës, me Dule Hoxhën dhe me të tjerë trima, të dalë nga lufta.

Në pranverën e vitit 1948, Zebo Durmishi, së bashku me shumë djem të tjerë, të zgjedhur, ish-partizanë, me një aeroplan sovjetik, u nis nga aerodromi i Laprakës, në drejtim të Moskës, për t’u bërë roja të qiellit. Ai e nisi lundrimin qiellor, në Shkollën Sovjetike të Aviacionit, në Novosibirsk, e cila mbante emrin e Heroinës Maria Raskova, gruas famëmadhe, e cila udhëhoqi gjatë betejave ajrore të Luftës së Dytë Botërore, një skuadrilë, me vajza dhe bëri histori.

Në këtë Shkollë, shokë të tij u bënë: Qemal Mertiri, përgjegjës grupi; Haki Jupasi; Lulo Musaj, Barjam Hitaj; Seo Trola; Shaban Danaj; Flamur Mickaj; Sejdo Kamberi; Mersin Minxha; Shaqo Hoxha; Refit Jazoj; Hektor Lako; Riza Ramadani; Elmaz Hasamataj; Gani Gjondedaj etj. Fluturuan djemtë tanë në aeroplanët bombardues të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, në aeroplanët ULA-S dhe në gjuajtësit Jak-9v e Jak-9p.

Në gusht të vitit 1952, djemtë nga vendi ynë i titulloi pilotë gjuajtës-bombardues, vetë Ministri i Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik Vasiljenko. Me rrugë ujore, djemtë tanë të diplomuar pilotë u kthyen në Atdhe.

Në vitin 1954, nën drejtimin e të madhit Niko Hoxha, Zebua me shokë, shkuan sërish në Bashkimin Sovjetik për të mësuar aeroplanin reaktiv Mig-15. Nuk i eci fluturimi në aeroplanin reaktiv Zebos, ndaj, në vitin 1957, me një grup pilotësh, teknikësh e specialistësh, vajti në Pugacov ku mësoi përdorimin e helikopterit Mi-4. Më pas, Zebua u stacionua në aeroplanët me helike An-2, ku fluturoi në detyra të ndryshme, ditën dhe natën, mori klasin e dytë të pilotit dhe përfundoi karrierën ushtarake.... vijon...

... Vijon... Lexues të nderuar! Përpara se të vijoj rrëfimin, kërkoj mirëkuptimin e pinjollëve të atyre që do të citoj në këtë rrëfim, autentik. Emrat janë të vërtetë dhe dikush edhe mund të preket. Këtë nuk e dëshiroj, ndaj kërkoj mirëkuptim!

... vijon... Në vitin 1957, Zebua vajti në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Pugacovit, për të mësuar shfrytëzimin e helikopterëve Mi-4 dhe Mi-1. Shokë të tij ishin: Andrea Stavre; Selman Mecaj; Manush Kreshpa; Daut Xhaferi; Petrit Majlindi; Sejdo Kamberi; Mersin Minxha; Llazar Cyci dhe Kleanthi prof. Hanxhari; Andon Koroveshi; Gëzim Barjami etj. Vajtja e tanëve në Bashkimin Sovjetik për të përvetësuar helikopterët, u bë, sipas orientimit të Mareshallit Zhukov (Ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik) i cili u ndje keq, kur pa në një stërvitje në Voskopojë, ushtarë, të cilët mbanin në krahë ose tërhiqeshin nga mushka, mortaja, madje dhe të rënda.

Me kthimin e tyre nga Pugacovi, në Skuadrilën e Transportit u krijuan kushtet për të vënë në përdorim 4 helikopterë Mi-4 e po aq të tipit Mi-1, të cilët kryen detyra të ndryshme në ndihmë të popullsisë dhe për të shpëtuar njerëzit në nevojë. Me ardhjen e kontingjentit të parë të aeroplanëve An-2, me 13 aeroplanë, në pranverën e vitit 1963, u krijuan kushtet për të formuar një repart të përzier, me komandant Sejdo Kamberin.... vijon...

Vijon rrëfimi me pjesë:

Bëhet fjalë për ndodhi të largëta në kohë, të cilat i përkasin vitit tronditës 1968. Aso kohe, në Skuadrilën e Transportit ishin një grup shokësh, të cilët ishin të lidhur fort me njëri-tjetrin e nuk kishin qejfmbetje, edhe kur ndonjëri bënte shaka të rënda me shokun. Në radhët e tyre ishin: Zebo Nexhip Durmishaj; Refit Asllan Jazoj; Manush Kreshpa; Llazar Cyci; Daut Xhaferi; Petrit Majlindi; Kleanthi prof Hanxhari; Stefanaq Stratoberda; Muharrem Hida; Lirim Velaj; Mehmet Haskaj; Dhimitraq Stillo; Niko Gambeta etj. etj.

Disa prej tyre ishin qitës të dalluar. Kam parasysh, se qitja me pistoletë “TT” e tipit sovjetik, në qitje pa mbështetje ishte tepër e vështirë. Megjithatë, në repart kishte qitës që nuk donin t’ia dinin. Oficerja Dolores Xhaxhiu, ishte pjesëtare e ekipit kombëtar të qitjes me pistoletë; Petrit Majlindi; Zebo Durmishi; Refit Jazoj; Stefanaq Stratoberda; Kleanthi Prof, Hanxhari; Skënder Kanina etj. “të thanin piten”! Ushtrimet e qitjes, me armët e këmbësorisë zhvilloheshin, në poligonin shtetëror të Urës së Beshirit.

Pas përfundimit të qitjeve të planifikuara dhe shkrepjes së raketës jeshile, e cila sinjalizonte përfundimin e detyrës së ditës, disa qitës të dalluar, mblidheshin, më vete dhe garonin kush e kush do të kishte precizion më të saktë. Për tabelë qitjeje, ata vinin kapelën e njërit nga pjesëmarrësit në grupin e “inatçinjve” dhe shenjonin kundër saj.

Një ditë i ra radha të vendosej për shenjë kapelja e Zebo Durmishit; me stemën e aviatorit dhe me anekset e saj. Dikush e qëlloi afër zhgabës por në pambuk dhe bëri një vrimë në kapele. Zebua, si njeri me humor të pranueshëm dhe të këndshëm, e vuri kapelën në kokë dhe kur vajti në shtëpi, u ngrys në fytyrë, vari turinjtë e hyri drejt e në kuzhinë, atje ku rrinte Dedua (e ema), e ulur në divan. Kur e pa të birin ashtu, Nëna e moshuar u shqetësua dhe pyeti: “Po ti mor lumëmadh çfarë ke sot që je si reja me breshër? Sikur të janë mbytur gjemitë apo sikur të ka ngrënë gomari grurin?”

E pa, me vëmendje e si me dhimbje djali Nënën e i tha: “Dedo, sot do të kishe mbetur pa djalë?” dhe i dëftoi kapelën, me vrimë anash. “Bu-bu, korba Nënë”, tha labushja dhe zgjidhi cepin e shamisë ku kishte mbrojtur ca para e ia dha Zebos.

Mbasi shtiri në dorë të hollat, Zebua u bë shend e verë, dhe gëzonte, si i vogël. U çel e gjithë shtëpia. Me vete, shoku im tha: “Ia hodha”!

“... vijon...”

...vijon... Prita 24 orë për të marrë mirëkuptim, por më kot. Meqenëse thesi u hap, po them disa opinione vetjake, për të mirin Zebo Nexhip Durmishaj, të cilin e kam njohur nga afër dhe për një kohë të gjatë. Mund të dalë dikush, nga ata që kanë vrarë ariun e të thotë: “Avash se na e bëre hero Zebon!” Ua them me gjongul se ky njeri, vërtet nuk ishte Perëndi, por ashtu siç ishte, ishte një dhe i rrallë. Pastaj njeriu çmohet sipas punës që bën, pavarësisht nga pozicioni, profesioni, aftësitë etj. etj. Dhe Zebua i meriton të gjitha sa thuhen për të. Fundja ky është opinioni im, të cilin nuk kam të drejtë t’ia imponoj askujt.

Nëse mund të jap një përkufizim ku të përmblidhen të gjitha tiparet e Tij, mund të them se Zebo Durmishaj ishte një babaxhan; zemërmirë e zemërbardhë. Ai ishte tepër i zgjuar e i mençur nga ata njerëz që vështrojnë e kuptojnë gjithçka. Zebua ishte hokatar; mjeshtër i fjalës dhe me tipare artisti, në shpirt e në qëndrim. Fjala e tij ishte e ëmbël, e butë e nuk fyente njeri.

Zebua ishte mik i të gjithëve; Atë e donin dhe e kërkonin të gjithë, ndaj i mblidheshin si bletë. E kërkonin njerëzit Zebon se kënaqeshin me fjalën e tij të llastuar e me humorin e Tij të pëlqyer. Ai njeri nuk dinte të mbante meri e nuk e njihte hakmarrjen. Më ka lënë mbresë fakti që Zebo Durmishi ishte tepër tolerant dhe suportonte shaka të rënda, por me kripë.

Nëse mund të bëhet fjalë për vese të tij, e them me kompetencë se shoku im pinte duhan por e kishte qejf të tymoste cigare nga të shokëve si Manushi, e të tjerë. Përdorte pijet alkoolike por nuk ishte alkoolist i thekur. Kishte fantazi të zhvilluar dhe improvizonte situata aty për aty.

Kur u aksidentua me vdekje shoku i tij i shkollës dhe i jetës, i paharruari Refit Jazoj, të cilin e donte dhe e respektonte shumë, e pashë Zebon të mpakur e disi të tërhequr. Nuk i thonë shaka, kanë qenë bashkë një jetë të tërë.

Uniformën dhe trupin i mbante pastër; hante me sqime por nuk ishte grykës. Nuk rendte pas fustaneve; kishte familje të mrekullueshme, kujdesej shumë për rritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve...

  • I paharruar qoftë kujtimi i Tij!

...Vijon... në ditët më të afërta!

“... vijon rrëfimi me episode...”

Ishte viti 1968. Zebos i dhimbte dhëmballa. Kush e ka provuar, e njeh çfarë do të thotë të kesh dhimbje dhëmballe. Edhe shoku im ishte shumë i shqetësuar dhe nuk gjente karar, kur e zinin dhimbjet e dhëmballës.

Refit Jazoj, shok i ngushtë i tij, nuk e vështronte dot shokun e tij, tek vuante. Një ditë i tha shokut të tij të ngushtë, të cilin, për hir të së vërtetës e donte shumë dhe merrte prej tij të njëjtën ndjenjë miqësie të çiltër: “Zebo, i tha Refiti; njoh një dentist të mirë, në Laprakë. Është çifut. Shkojmë dhe mbarojmë punë se mjeku është kompetent dhe dorëlehtë.”

U kandis Zebua por i tha shokut të ngushtë: “Vij, atje ku më thua veçse dua që me ne të dy të vijë dhe Niaziu!” Kishte besim tek unë dhe më donte si bodigard.

U tha; u bë. Të tre, në këmbë, morëm udhën për në Laprakë. Për fatin tonë të mirë, klinikën dentare e gjetëm të hapët dhe çifuti na mirëpriti.

Doktori e uli pacientin në karrigen që rrotullohet dhe po i bënte pyetjet dhe këqyrjet e rastit. Refiti qëndronte në këmbë pranë pacientit; unë -gjithashtu. Nuk e kisha vënë re Refit Jazon, i cili, me Zebon bënte shakara të rënda, që kishte në dorë pistoletin.

Pritëm pak dhe Zebua, i cili nuk donte ta hiqte dhëmballën, nuk kishte parë Refitin të mbante në dorë pistoletin por mendonte si të rrëshqiste nga kjo situatë e pakëndshme. Si me drojë i tha mjekut: “Po mua nuk më koagulon gjaku si të tjerëve!”

Atëherë, mjeku i zgjuar e profesionist i regjur në këto punë, iu drejtua, Zebos: “Derisa është kështu, çohu nga karrigja ku je ulur dhe hajde të të bëj disa analiza, për koagulimin e gjakut!”

Refiti, i mërzitur që nuk i eci, iu drejtua Zebos: “E gjete shtegun për të dalë nga situata o K..., po ta ujdis unë qejfin!” Futi pistoletin në këllëf Refit Jazua dhe të tre si kalanderë, u kthyem në repart. ...Vijon episodi tjetër... së shpejti!

Tmerr, mes të tmerrshmes

“... Vijon rrëfimi me fragmente...”

Viti 1968, nuk ishte i tmerrshëm vetëm për Çekosllovakinë, një vend socialist u pushtua ushtarakisht nga makina luftarake sovjetike, e trumbetuar si një manovër e domosdoshme sigurie për kampin. Ne, të djegur nga qulli, i frynim kosit. Ushtria dhe populli ynë ishin në një shkallë gatishmërie shumë të lartë. Siç i kujtoj ato ditë të rënda të cilat i kam provuar në kurriz, 24 orë pa ndërprerje i mbanim kallashnikovët në krah dhe kompletin e municionit në një çantë me krehra të mbushur, shto çantën me maskën kundragaz, në qafë. Flinim ku të mundnim; më së shumti në tokë, në lëndinat me bar, pranë aeroplanëve, të cilët i kishim shpërndarë nëpër cepa të aerodromit. Efektivat ushqeheshin në mensën e repartit ku pilotët ishin të privilegjuar.

Gushti i atij viti erdhi i nxehtë. Natën flinim të veshur, me gjithë pajime; ditën, shtriheshim ku të mundnim, hijeve. Shoku im Zebo Durmishaj, një ditë ishte shtrirë dhe e kishte këputur gjumi, në një hije, pranë gardhit të dafinave të larta. Gërhinte, e ishte në gjumë të thellë.

Kohët e fundit, shoku im kishte shfaqur ankesa kardiake. Ndoshta e kishte nga stresi i atyre ditëve. Ndoshta mund të kishte dhe ndonjë arsye tjetër. Aso kohe, aparaturat matëse dhe diagnostikuese të zemrës, nuk se ishin të përsosura. Ato i përgjigjeshin kushteve në të cilat ishte mjekësia. Kontrollet periodike, që bënin pilotët, nuk kishin evidencuar ndonjë defekt në zemrën e Zebos, megjithatë, Ai ankohej.

Refit Jazoj kaloi aty pranë dhe e pa shokun e tij të ngushtë të rënë në gjumë të thellë. Ndoshta e donte për të bërë muhabet, ose donte të vërtetonte një gjë, se Zebua, ankohej më kot dhe nuk kishte probleme me zemrën.

Kallashin e kishte në krah Refiti, madje nga ata me qytë metalike. Fishekët po ishin sheshit, si ata luftarake dhe të tjerët, fishekë manovre. Mbushi dy krehra me nga 5-6 fishekë manovre dhe i vajti, pa ndjerë Zebos, tek koka. E vuri armën në distancë nga koka e shokut sa djegja e barutit të mos e dëmtonte dhe shkeli këmbëzën e armës. Kallashi “gjëmoi” me një zhurmë të llahtarshme. Zebos i doli gjumi, në çast dhe fërkoi sytë e mendoi se mos kishte sulmuar i flamosuri pushtues sovjetik. Kur pa sipër fytyrës shokun e tij të ngushtë, shoku im u qetësua disi dhe vuri buzën në gaz.

Refiti, për ta shpënë qëllimin deri në fund, hoqi krehrin nga kallashi; futi krehrin tjetër dhe e shkrepi, si herën e parë. U përpëlit pak Zebua dhe u ngrit në këmbë. Refiti, si triumfator, bërtiti: “Ik o Zebo vëllai dhe mos u anko nga zemra mbasi nuk ke gjë nga organi jetik!”

“... Vijon, së shpejti episodi i fundit!...”

Një manovër interesante dhe e zgjuar

“... Vijon dhe mbaron rrëfimi episodik...”

Miku im Zebo Durmishi, ishte “dashnor” i pijeve alkoolike dhe jo alkoolike. Ai nuk ishte pijetar, por adhuruesi i pijeve. Në një rast, gjithnjë në vitin e largët 1968, mbasi ishte bërë denoncimi i Traktatit të Varshavës dhe vendi ynë ishte larguar nga ky Traktat, Zebua, kishte rënë dakord të festonin, duke pirë. Ata kishin caktuar lokalin, pijet që do të përdornin dhe kishin rënë dakord për një kuotë të caktuar parash. Secili, për vete.

Mbasi kishte kryer punë në Skuadrilë, kur moti u freskua disi, shoku im vajti në shtëpi. Ai e kishte shtëpinë, pranë e përballë Bankës së Shtetit dhe përballë Postës Qendrore. Katin nuk e mbaj mend. Nga toka, bërtiti, në emër të së shoqes, kapedanes Bejaze. E dëgjoi zërin e të shoqit, Bejazja fisnike dhe doli në balkon.

Shoku im, duke aktruar, gjoja ishte me ngut, i tha të shoqes: “Më hidh 500 lekë se do të shkoj me shërbim dhe nuk kam para me vete.” Për ata që nuk e dinë, oficeri, në atë kohë duhet të kishte gjilpërë me 2 m pe, në kapele dhe 500 lekë në portofol. Rregullat, i zbatonte, me fanatizëm Zebua.

Bejazja, e cila ia dinte burrit huqet, i tha: “Ngjitu lart që t’i marrësh paratë!” Por Zebua ishte i zgjuar dhe e kishte të qartë se po të ngjitej në shtëpi, nuk do të merrte gjë.

“Po monedha është letër dhe, po e hodha nga balkoni, mund ta marrë era dhe ta çojë në ndonjë kat tjetër!”

“Lidhi një gjë parasë që mos ta marrë era!”

I erdhi turp nga gjitonët, Bejazes namuzlie se Zebua e ngriti tonin. Bëri si bëri, gruaja e mirë ia hodhi paratë të shoqit. Zebua mori paratë, hoqi atë gjënë e rëndë, dhe zuri të fërkonte duart, si shenjë se: “Ia hodha dhe këtë herë!”

Duke parë veprimet me hile të burrit, i cili vështronte lart, nga balkoni, në shenjë triumfi, Bejazja, me gjuhën e trupit, i tha të shoqit, duke vënë njërën dorë në fyt: “T’u zëntë në gurmaz paraja që more...” Fund!